Croce cielo sole Croce cielo sole 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të kohёs sё Pashkëve “B”

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do të meditojmë Fjalën e Zotit të dielës së 6-të të kohës së Pashkëve, ciklit tё dytё, sipas kalendarit liturgjik tё kishёs.

Qytet i Vatikanit

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 6-të të kohës kishtare të Pashkëve, ciklit tё dytё, sipas kalendarit liturgjik tё kishёs.

Ungjilli i kёsaj sё diele na ofron kumtin qё na kujton se nuk ka gёzim mё tё madh se dashuria e Hyjit Atё që na dhurohet në Jezu Krishtin, Birin e Tij. Njё dashuri qё na ёshtё dhuruar pёr t’u dёshmuar ndaj tё gjithёve, pёr ta bindur botёn se me tё vёrtetё “Zoti ёshtё dashuri”.  Pra, leximet biblike të kësaj së diele na japin përgjigjen se “kush është Hyji?” dhe “si shfaqet dashuria e Hyjit ndaj nesh?”.                          

Urdhi i dashurisë, që hap dhe mbyll fragmentin e Ungjillit të kësaj të Diele, gjen në Jezusin modelin, arsyen dhe masën: «Siç ju kam dashur unë ju». Është një dashuri e ndërsjelltë: "duani njëri-tjetrin". Dhe është një dashuri që del nga komuniteti i mbyllur dhe përhapet e zgjerohet në botë, bëhet e frytshme: shtyn drejt një nisjeje "që të shkojnë e të japin fryt". Dashuria e Jezusit, model i dashurisë njerëzore, është një dashuri miqësie, prandaj një marrëdhënie besimi ndërmjet njerëzve, një dialog.

Pra, leximet biblike të kësaj së diele flasin për  dashurinë e Zotit: një dashuri, e cila nga Ati Qiellor përmes Birit mbërrin tek çdo njeri, tek besimtarët, të cilët e kanë për detyrë ta përhapin e ta mbjellin këtë farë dashurie përreth tyre. Të gjithë njerëzit, pa kurrfarë dallimi, janë të ftuar në marrin pjesë në shëlbim, do të thotë, janë të ftuar të marrin pjesë në këtë dashuri të Hyjit, sepse Zoti nuk ka preferenca, Zoti nuk bënë dallime, e prandaj kushdo e do Zotin dhe të afërmin, dhe në jetën e vet të përditshme e zbaton drejtësinë, i çfarëdo populli qoftë, atë njeri Hyji e pëlqen dhe pranon. Krishti Gjallë shpall urdhërin e ri të dashurisë e na dhuron Shpirtin, për të na ndihuar të jemi e të bëhemi një zemër e një shpirt të vetëm me njëri-tjetrin.

Liturgjia e kësaj së diele na kujton se ta njohësh, ta pranosh Krishtin e Gjallë, do të thotë ta duash e ta pranosh Hyjin në vëllezër e motra, të cilët Ai na porosit t’i duam porsi vetveten. Shën Gjoni me tri fjalë na kujton se “Zoti është Dashuri” (1 Gjn 4,8.16) e si rrjedhojë, gjithçka në jetën e njeriut matet me masën e dashurisë ndaj Hyjit dhe ndaj njeriut. Prandaj mos ti harrojmë fjalët e Shën Palit: “…nëse unë nuk kam Dashuri, para Zotit jam një asgjë absolute” (1 Kor 13,2).

Në këtë të Diele të gjashtë të Pashkëve, liturgjia e Fjalës na drejton edhe një herë thirrjen të duam, të besojmë në dashurinë e Zotit dhe të jetojmë në saje të kësaj dashurie, të bëhemi e të jemi të aftë për të dhuruar jetën tonë për vëllezërit. Bibla na kujton se “kushdo që dashuron, ka lindur prej Zotit”. “Ky është urdhërimi i im – thotë Zoti – të duani njëri tjetrin”. Prej të gjitha gjërave njerëzore, dashuria është e vetmja që nuk do shpjegime. “Të dashuruarit që “shpjegohen” mes tyre, janë ata që kanë filluar të largohen prej njëri tjetrit” (André Frossard).

Ne, të krishterët, jemi shpesh në të njëjtat kushte të Pjetrit (Vp 10,25-27.34-35.44-48): nuk kuptojmë që dashuria e Zotit nuk mund të përdoret si privilegj; nuk mund të përdoret si krenari apo si armë: dashuria e Zotit është zjarr që na nxit të shërbejmë, të kërkojmë, të dhurojmë, të shkrihemi në dashuri për vëllezër e nevojtarë. Kushdo dashuron është bir i Zotit e Zoti e pranon, thotë Shën Gjoni (1Gjn 4,7).

Shën Nënë Tereza, Ganxhe Bojaxhiu, thoshte: “Duke jetuar e zbatuar Dashurinë, ndjehet Zoti: gati-gati preket me dorë”. Është e saktë, një e vërtetë e dëshmuar nga jeta e sa dhe e sa shenjtorëve, dëshmitarë të një pasurie të pakufishme, që na afron me Zotin dhe që u bën mirë të afërmva tanë.

                                                                Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Vap 10, 25-27.34-35.44-48

Jezusi duke u ringjallur nga vdekja nuk është më Zoti dhe Mesia i një populli të vogël, por i të gjithë njerëzimit.  Pjetri pranon centurionin Kornel, paganin e parë që hyn në krishtërim.  Hyji nuk bën dallime, u dhuron edhe paganëve të njëjtat dhurata shpirtërore të apostujve.  Edhe sot Shpirti i Hyjit na nxit për të takuar ata që jetojnë larg nga Kisha, për të ecur së bashku me ta.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Kur Pjetri arriti, Korneli i doli para e, duke rënë ndër këmbët e tija, e adhuroi. Pjetri e ngriti në këmbë dhe i tha: “Çohu në këmbë se edhe unë jam vetëm njeri!” E, duke biseduar me të, hyri brenda, ku gjeti të bashkuar shumë njerëz.  Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, shi përkundra – në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë.” Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë ata që po dëgjonin predkun. Besimtarët prej rrethprerjes që kishin ardhur me Pjetrin, u çuditën kur panë se edhe në paganë u ndikua dhurata, Shpirti Shenjt. Sepse i dëgjuan duke folur në gjuhë të ndryshme e duke madhëruar Hyjin. Atëherë Pjetri tha: “Vallë a mund ta ndalojë kush ujin të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?” Dhe urdhëroi të pagëzohen në emër të Jezu Krishtit. Atëherë iu lutën të qëndrojë me ta disa ditë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 98

Zoti ua dëftoi popujve drejtësinë e vet

Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

 

Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet ndaj shtëpisë së Izraelit.

 

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

 

Leximi dytë 1 Gjn 4,7-10

Hyji është i pari që do dhe prodhon dashuri në zemrën e njeriut.  Hyji nuk na ka dashur vetëm që ta duam sërish, por që të mësojmë nga ai që të duam njëri – tjetrin.  Është e nevojshme të mbushemi me  dashurinë e tij për ta shpërndarë mbi njerëzit, vëllezërit tanë.  Nëse i duam njerëzit pa interes dhe bujarisht, atëherë Hyji qëndron me ne. 

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Të dashur, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri. Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij. Dashuria përmbahet në këtë: jo se ne e kemi dashur Hyjin, por Ai na ka dashur ne, dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Aleluja. Aleluja

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë.

 Aleluja. Aleluja.

 

Ungjilli   Gjn 15, 9-17

Fjalët e fundit të Jezusit drejtuar dishepujve të bashkuar në Çenakull para mundimeve, shprehin shpalljen e besë-lidhjes së re të themeluar mbi dashurinë.  Dashuria e Atit në Krishtin bëhet arsyeja e ekzistencës së popullit të ri që është Kisha.  Dashurisë së Hyjit njeriu duhet t’i përgjigjet me një angazhim besnikërie. Dashuria duhet të bëhet udhëheqja e çdo veprimi të tij. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju. Qëndroni në dashurinë time! Nëse i mbani urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse edhe unë që i mbaja urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në të. Ju thashë këto, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë. Ky është urdhri im: duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju! Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni çka ju urdhëroj unë. Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim. Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë; dhe që Ati t’ju japë çkado të kërkoni në Emër tim. Këtë gjë ju urdhëroj: duani njëri-tjetrin!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

05 maj 2018, 19:13