Kardinali Tagle e fushata Share the Journey per emigrantët Kardinali Tagle e fushata Share the Journey per emigrantët 

Karitasi Ndërkombëtar: në qershor, fushatë e re për emigrantët

Karitasi Ndërkombëtar do të organizojë, në qershor, “Javën globale të veprimit” për t’i inkurajuar bashkësitë katolike, e jo vetëm ato, të ndajnë udhën me emigrantët e refugjatët.

Alessandro Gisotti - Vatikan

Nga 17 deri më 24 qershor, Karitasi Ndërkombëtar do të organizojë “Javën globale të veprimit”. Java e ka zanafillën në fushatën “Share the journey” (Të bashkëndajmë udhëtimin), edhe ajo, e promovuar nga organizmi bamirës ndërkombëtar, kryesuar nga kardinali Luis Antonio Tagle. Nisma u përurua nga Papa Françesku në shtator 2017 e synon t’i japë përgjigje thirrjes për një kulturë takimi.

Tagle: ta tregojmë me vepra kujdesin për emigrantët

         Java e veprimit e qershorit do të ketë ngjarje, gjatë të cilave bashkësitë katolike do të ndajnë përvojën e përditshme me emigrantët dhe refugjatët. Karitaset e të gjithë botës do të organizojnë dreka, veprimtari e nisma për të realizuar takime reale ndërmjet emigrantëve dhe njerëzve, në mënyrë që këta t’i kuptojnë shkaqet, që nxisin ikjen nga shtëpia e nga atdheu dhe ta kapërcejnë frikën e paragjykimet.

Tagle: të mos ngremë mure

         Kryetari i Karitasit Ndërkombëtar, kardinali Luis Antonio Tagle, shpreson që kjo Javë të dëshmojë “me vepra e jo me fjalë, ç’do të thotë të kujdesesh për emigrantët”. Për informacione mbi fushatën “Share the journey” e, në veçanti, për “Javën globale të veprimit”, që do të zhvillohet qershorin e ardhshëm, është krijuar një seksion i veçantë në faqen e internetit të Karitasit Ndërkombëtar: journey.caritas.org.

09 maj 2018, 14:20