Cerca

Vatican News
ipeshkvijtë nigerianë ipeshkvijtë nigerianë 

Ipeshkvijtë e Nigerisë: Shteti ta garantojë sigurinë

Britmë alarmi nga ana e ipeshkvijve nigerianë pardje, ditë në të cilën u kremtua Mesha e Dritës për 17 viktima. Ndërmjet tyre, edhe dy meshtarë të masakrës, kryer më 23 prill, në fshatin Mbalom të shtetit Benue.

R.SH. -Vatikan

Britmë alarmi nga ana e ipeshkvijve nigerianë pardje, ditë në të cilën u kremtua Mesha e Dritës për 17 viktima. Ndërmjet tyre, edhe dy meshtarë të masakrës, kryer më 23 prill, në fshatin Mbalom të shtetit Benue.

Ipeshkvijtë e Nigerisë: Shteti të garantojë sigurinë për të gjithë.

Shteti duhet t’i mbrojë të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e fetare, përndryshe Nigeria rrezikon të pushtohet nga kaosi e terrori i përgjithshëm. Ky, kushtrimi i lëshuar nga ipeshkvijtë nigerianë, nësa varrosnin viktimat e masakrës së 23 prillit. Ndërmjet të vrarëve, edhe don Joseph Gor e don Felix Tyolaha. Këtë ditë zije, Konferenca ipeshkvnore nigeriane e shpalli ditë mobilizimi, për të protestuar kundër masakrave të vazhdueshme mbi të krishterët, kryer nga barinjtë Fulani.

Kardinali Onaiyekan: të vrasësh në kisha a në xhami, do të thotë të fyesh Zotin

“Si qenie njerëzore, jemi pushtuar nga dhimbja e shumë prej nesh, të tronditur thellë, vonë do ta marrin veten. Ishin të pashpjegueshme e edhe të pafalshme valët e vrasjeve në Benue para 23 prillit, kur humbën jetën këta martirë e edhe të tjerë, pas tyre - kujtoi kardinali John Olorunfemi Onaiyekan, kryeipeshkëv i Abuzhës, në homelinë e mbajtur gjatë funeralit të viktimave të masakrës së Mbalom, pranë Se Sugh U Maria Pilgrimage Centre, në Aytai, shteti i Benue. “Nuk mund të lejojmë që të vijojë më një gjendje e tillë! Çdo jetë njerëzore është e çmuar për Zotin, që e krijoi sipas shëmbëlltyrës e në përngjasim të vet. Nuk është çasti të rrimë duke numëruar të vdekurit, por nuk mund të mos theksojmë edhe se të vrasësh njerëz në kisha a në xhami, është fyerje që i bëhet drejtpërdrejt Zotit - shtoi kardinali - duke pohuar, në vijim, se autoritetet duhet të ndërhyjnë për të garantuar sigurinë e të gjithëve.

Në mikrofonet e Radio Vatikanit, kardinali Onaiyekan kërkoi t’i jepet fund dhunës

“Në Meshën e madhe Dritës për 17 të vrarët, një muaj më parë, morën pjesë shumë ipeshkvij - pohoi kardinali në mikrofonet e Vatican News - Ishte një turmë e vërtetë njerëzish. Të pranishme, edhe autoritetet civile, si dhe zëvendës-presidenti i vendit, që erdhi mes nesh në shenjë solidariteti. Ngritëm problemin e sigurisë në vend. Këto 3-4 vjetët e fundit kemi pësuar masakra të shumta. Gati çdo ditë. Kjo është e padurueshme. Gjërat duhet të ndryshojnë. Për këtë ka përgjegjësi qeveria, kanë autoritetet kombëtare. Besoj se njerëzit e ndjejnë veten të inkurajuar nga ajo, që thamë gjatë Meshës.

Kisha e nxit Presidentin  ta shpëtojë vendin nga lufta fisnore ose fetare

Koncepti i pohuar nga imzot Alfred Adewale Martins, kryeipeshkëv i Lagos, gjatë një Meshe për shpirtin e viktimave të Mbalom, ishte: “Presidenti Muhammadu Buhari duhet të veprojë me shpejtësi e të kërkojë që çdo njeri ta rifitojnë besimin e humbur! Është autoriteti më i lartë dhe ati i kombit. E nxisim presidentin të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij problemi, nëse dëshiron ta shpëtojë vendin nga lufta fisnore apo ajo fetare. Na shtyn ta themi këtë, ndjenja e dashurisë për kombin tonë, Nigerinë, sepse besojmë në forcën dhe unitetin e vendit” - theksoi imzot Martin.

Pas masakrës së Mbalom ipeshkvijtë patën botuar një komunikatë të ashpër, përmes së cilës i kërkonin Presidentit Buhari të largohet nga detyra, “nëse nuk është i zoti ta garantojë sigurinë për të gjithë nigerianët”.

23 maj 2018, 18:14