Kërko

Papa Françesku shuguron imzotin Xuereb Papa Françesku shuguron imzotin Xuereb 

Imzot Xuereb: shkoj në Kore me shpresën e paqes në zemër

Intervistë me imzot Xuereb, nunc apostolik në Kore e Mongoli, pak ditë para nisjes së tij për Seul. Imzot Xuereb ishte dje tek Papa Françesku i cili, si i uroi udhë të mbarë, bekoi Korenë dhe Mongolinë.

R. SH. - Vatikan

Imzot Xuereb ishte dje tek Papa Françesku, pak para nisjes për Kore e Mongoli. Ati i Shenjtë i uroi udhë të mbarë, duke e bekuar atë dhe viset ku do të shërbejë: Korenë dhe Mongolinë. Nunci i ri, imzot Xuereb, dy ditë para nisjes së tij për Seul, dha këtë intervistë. 

 

Koreja, paqja, shërbimi i Papëve. Janë temat e forta  të intervistës, dhënë Vatican News nga kryeipeshkvi Alfred Xuereb, nunc apostolik në Kore e Mongoli. Imzot Xuereb, që do të shkojë në Seul të shtunë, më 26 maj, për të nisur misionin e tij të rëndësishëm në një çast historik për gadishullin korean, kujton edhe rolin që ka luajtur e vijon të luajë Kisha vendase për pajtimin ndërmjet dy Koreve. Dje imzot Xuereb pati gëzimin të kremtonte Meshën me Papën Françesku, në Shtëpinë e Shën Martës dhe të përshëndetej me Atin e Shenjtë para nisjes. Françesku e siguroi nuncin se do të lutet për të e për mbarë Kishën në Kore e Mongoli, duke i dhënë edhe bekimin.

Imzot Xuereb, pas pak ditësh ju do të filloni shërbimin tuaj në Kore e Mongoli. Ç’mund të na thoni për këtë fillesë?

Po, mungojnë dy ditë, sepse do të nisem nesër, më 26 maj, datë që përkon me përvjetorin e shugurimit tim meshtarak. Ashtu si 34 vjet më parë iu përgjigja  thirrjes “eja e ndiqmë!” të Zotit, kështu i përgjigjem edhe thirrjes së Tij për të shkuar në Kore. E meqë në këto vjet qe shumë besnik me mua e më mbështeti me hiret e Tij, po nisem plot besim për këtë mision të ri, i sigurt se do të më ndihmojë ta kryejë sa më mirë që të mundem!

Ju po e nisni shërbimin tuaj në Kore në një çast historik. Me ç’sy e shikoni procesin e paqes ndërmjet Koreve, të cilin Papa Françesku e ndjek me shumë vëmendje?

Procesi i paqes ndërmjet dy Koreve, i nisur me takimin historik të dy liderëve koreanë më 27 prill, ngjall shpresa të mëdha. Udha është ende në fillesat e saj  e  sigurisht do të jetë e gjatë e me shumë pengesa, që duhen kapërcyer. Papa Françesku e fton gjithë Kishën t’i mbështesë palët e interesuara për ta ndërtuar paqen e për t’u ofruar breznive të reja një ardhmëri me harmoni e prosperitet. Kisha katolike në Korenë e Jugut, në këto 23 vjet, është mbledhur çdo të martë në katedralen e Seulit, për të kërkuar, tek këmbët e Virgjërës Mari, hirin e ribashkimit. Jam i sigurt se Ajo, nga qielli, i shikon me sytë plot mirësi bijtë e saj në Kore!

Kardinali Parolin, kohët e fundit, ka thënë se në gadishullin korean “është  ndezur një shpresë e madhe”?

“Jam një mendjeje me kardinalin Parolin kur thotë se me zhvillimet e fundit është ndezur një shpresë e madhe. Kisha ka një rol tejet të rëndësishëm në këtë proces  ribashkimi e, duke ndjekur mandatin e Mësuesit Hyjnor, vijon të ungjillëzojë e të japë ndihmesën e vet edhe në nivel diplomatik, për të arritur objektivat aq shumë të dëshiruara.

Ju keni shërbyer pranë tre Papëve të fundit.  Përvojë e jashtëzakonshme kjo, për shërbimin tuaj të ri ndaj Kishës, si nunc apostolik… .

Mendoj se Zoti i mirë deshi të më përgatiste për këtë mision përmes një shkolle shumë të posaçme, duke u shërbyer së afërmi Papëve të fundit. Nga secili prej tyre mësova t’i shërbej Jezusit dhe Kishës me përvujtëri e bujari. Më mësuan se udha  kryesore është ajo e Kryqit të Krishtit, që të çon gjithnjë në jetën e lume të Ringjalljes. Prandaj po shkoj në Kore e në Mongoli plot me besim, i sigurt për mbështetjen shpirtërore të shumë njerëzve të njohur këto vite afërsie me Papët,  që e pasuruan shumë shërbesën time meshtarake.

 

27 maj 2018, 10:00