Kërko

ostia calice eucaristia comunione Santa Messa ostia calice eucaristia comunione Santa Messa 

Historia e Solemnitetit të Korpit të Krishtit

Kjo festë filloi të kremtohej që më 1264 kur, duke pranuar devocionet eukaristike të lindura në shekujt XII e XIII, për t'iu kundërvënë doktrinave heretike rreth pranisë së Krishtit në lëndët e shuguruara, kjo festë u shtri në Kishën mbarë nga Papa Urbani IV përmes bulës Transiturus.

R.SH: - Vatikan

Kisha katolike kremton solemnitetin e Korpit e Gjakut të Shenjtnueshëm të Krishtit, i cili në mesharin e sotëm romak njihej me emrin latinisht "Corpus Domini". Kjo festë filloi të kremtohej që më 1264 kur, duke pranuar devocionet eukaristike të lindura në shekujt XII e XIII, për t'iu kundërvënë doktrinave heretike rreth pranisë së Krishtit në lëndët e shuguruara, kjo festë u shtri në Kishën mbarë nga Papa Urbani IV përmes bulës Transiturus.

Qe pikërisht Papa Urbani IV i cili e kremtoi personalisht festën e parë të Korpit të Krishtit në Orvieto (Itali), në verën e të njëjtit vit, me solemnitet të madh. Në këtë kohë ndodhi edhe mrekullia e Bolsenës në Lazio, ku një meshtar bohem, Pjetri nga Praga, i cili kishte dyshime mbi praninë reale të e Krishtit në Eukaristi, ndërsa kremtonte Meshën, pa sesi nga hostja e shuguruar nisi të pikonte gjak. I njoftuar për faktin e mrekullueshëm, Papa Urbani IV ngarkoi ipeshkvin e Orvietos t'ia sillte linin shenjt të përgjakur dhe shkoi personalisht ta merrte këtë dëshmi kaq tronditëse të pranisë së Krishtit.

Në Romë kremtimi filloi që nga njëmijë e katërqinda, në kohën e papës Nikolla V, me Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran dhe procesionin drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, që përshkohet nëpër rrugën Merulana qysh nga viti i largët 1575. Që prej tre shekujsh, papët e ndryshëm që janë ulur në fronin e shën Pjetrit, kanë vijuar, me pak ndërprerje, të ndjekin të njëjtën rrugë, duke mbledhur miliona besimtarë rreth Eukaristisë, burim i bashkimit e ushqim kryesor për jetën e të pagëzuarve. Kështu secili besimtar ftohet në këtë solemnitet të ulet rreth sofrës eukaristike, ku ka vend për të gjithë, e të shijojë më mirë Praninë reale të Krishtit, që kremtohet çdo ditë e çdo vit në Meshën Shenjte.

Pra, Corpus Domini – solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit është festa e Eukaristisë, Sakrament në të cilin Jezusi na la kujtimin e gjallë të Pashkëve të Tij, ngjarje qendrore në historinë e njerëzimit. Është diçka e bukur që në këtë festë besimtarët shtrëngohen rreth të Shenjtnueshmit Sakrament tё Eukaristisё për ta adhuruar, e shoqërojnë me procesion nëpër rrugë, shprehin, me shumë shenja devocionin, fenë në Krishtin e gjallë dhe gëzimin për praninë e Tij në mes tyre. 

Po pёrfundojmё me këtë lutje të bukur që zakonisht lutët nga besimtarët gjatë Meshës pas Kungimit të Shenjtë në Kishë.

Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua.
Trupi i Krishtit, më shëlbo mua.
Gjaku i Krishtit, deh më ngij mua.
Ujët e kraharorit të Krishtit, më pastro mua.
Mundimi i Krishtit, më forco mua.
O i ëmbli Jezus, më dëgjo mua.
Ndër plagë të tua më fshih mua.
Mos lejo të ndahem prej teje.
Prej armikut të shpirtit më dil zot mua.
Në fill të vdekjes sime, Ti më thirr mua.
E më urdhëro të vij te Ti,
që me shenjtër të të lëvdoj Ty,
përgjithmonë e motit të jetës. Amen!

Kjo është një lutje e përpiluar nga shën Injaci i Lojoles

Shën Toma i Akuinit e himni “Pange lingua”, përkthyer nga atë Gjergj Fishta

Shën Toma Akuini, është ndër shenjtorët me një shpirt thellësisht eukaristik. Himnet e mrekullueshme, që Kisha i këndon për të kremtuar misterin dhe praninë reale të Korpit e të Gjakut të Krishtit në Eukaristi, buruan nga feja e tij e nga dija e tij teologjike. Për ta dëshmuar këtë vlerësim, po vendosim në faqen tonë të internetit, himnin e mrekullueshëm Eukaristik “Pange lingua”, në të cilin Toma i Akuinit shkriu gjithë dashurinë dhe besimin që kishte në misterin e Eukaristisë. Himni, aq aktual në festën e solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit, mund të shijohet në përkthimin e françeskanit atë Gjergj Fishta, por edhe në latinisht, gjuhë në të cilën e shkroi vet shën Toma i Akuinit:

Ja himni Pange Lingua i kënduar në stilin e këngës kishtare Gregoriana...

Pange lingua (tksti në gjuhën shqipe, përkthyer nga Atë Gjergj Fishta)
1 Korpit t’Krishtit të lumnueshem
thueja , gjuhë, lavdet me nderë,
Si dhe gjakut të paçmueshem,
Qi n’perdlim t’ktij sheklli t’mjerë
- Fryti i barkut të shêjtnueshem -
Rregji i nierzve derdhi ‘i herë.

2 Lé per né edhe dergue
Prej nji Virgjine s’kullueme,
Si n’ket shekull pat jetue
Edhe msimet dha t’amshueme,
Shtekun jetës i a ka mbarue
Në një mnyrë krejt t’mrekullueme.

3 N’t’mbramen darkë t’asajë natës s’ndershme
Ulë me vllazen m’tryezë me ngranun,
Tuj i u shtrue krejt ligjes s’hershme,
Qi per hae dikúr kje dhanun,
Dymbdhetë vllazensh çetës së vlershme
Ushqim vehten desht me u dhanun.

4 Fjala mish në mish të gjallë
Me fjalë t’vet buken e shndrron
N’gjak t’vet venen shndrron per mallë,
E se shisja s’e kupton,
N’ zemer besen per m’ia njallë
T’mirit feja e bardhë mjafton.

5 Sakramend, prá, kaq t’madhnuem
Le t’a adhrojmë me ftyrë per dhé,
Edhe dokja e motit të shkuem
T’i a lëshojë rendin sjelles së ré:
N’shka s’ mbrrinë mendja me kuptuem,
Ndihmë t’na bâhet shêjtja Fé.

6 Ati e Biri sod e p’rhera
Bekue kjoshin n’brohorí,
Lavdi u kjoftë edhè u kjoftë ndera
Të tanë jetë e t’tanë fuqí;
Shpirtit, rrjedhë dý vehtjesh tjera,
M’nja i kjoftë lavdi me lumní.
Ashtu kjoftë!

“Pange lingua” (Teksti latin)
Pange língua gloriósi
Córporis mystérium,
Sanguinísque pretiósi,
Quem in mundi prétium
fructus ventris generósi
Rex effúdit géntium.

Nobis datus, nobis natus
ex intácta Vírgine,
et in mundo conversátus,
sparso verbi sémine,
sui moras incolátus
miro cláusit órdine.

In suprémae nocte cenae
recúmbens cum frátribus,
observáta lege plene
cibis in legálibus,
cibum turbae duodénae
se dat suis mánibus.

Verbum caro panem verum
verbo carnem éfficit:
fitque sanguis Christi merum.
Et si sensus déficit,
ad firmándum cor sincérum
sola fides súfficit.

Tantum ergo Sacraméntum
venerémur cérnui:
et antícuum documéntum
novo cedat rítui:
praestet fides suppleméntum
sénsuum deféctui.

Genitóri, Genitóque
laus et jubilátio,
salus, hónor, virtus quoque
sit et benedíctio:
procedénti ad utróque
cómpar sit laudátio.
Amen.

31 maj 2018, 10:10