Të rinjtë, në festë Të rinjtë, në festë 

Heparkia e Ungros: më 2 qershor, dita e rinisë

Më 2 qershor Heparkia e Ungros do të kremtojë ditën e rinisë. Do të marrin pjesë më se 500 të rinj, që do të kenë mundësi të bisedojnë e të ballafaqohen.

R. SH. - Vatikan

“Rast i përshtatshëm për t’i bërë jehonë shpresave të të rinjve, në plan të parë në Sinodin e 2018-tës, si dhe për të thelluar vetëdijen se shprehja “Mos kini frikë”, është ftesë e Zotit për t’u çliruar nga çdo druajtje e për t’ia hapur zemrën tjetrit, duke i mirëpritur pasuritë dhe vlerat e pafundme,  që na i dhuroi Ai vetë. Posaçërisht vlerat e veçanta të identitetit tonë si Arbëreshë të ritit greko-bizantin, që duhet t’ua transmetojmë breznive të reja, për t’i edukuar me ndjenjën e përkatësisë e të dashurisë për traditat e veta”.

Me këtë frymë - shprehur në një notë baritore rinore dioqezane - më 2 qershor, në shenjtëroren e San Cosmo Albanese, do të kremtohet dita dioqezane e të rinjve të Heparkisë  Arbëreshe të Ungros. “Bota jonë nuk mund të mos kujdeset për breznitë e reja, sepse pa ta Arbëria nuk mund të ketë ardhmëri”. Kështu shprehet ipeshkvi i Ungros, imzot Donato Oliverio, i cili do të takohet me të rinjtë e Heparkisë e me ta do ta kremtojë edhe liturgjinë hyjnore. “Është ngjarje e madhe, e pasur me emocione, prekëse, pjesë përbërëse e atmosferës së pritjes për kremtimet e njëqind vjetorit të heparkisë” - kujton prelati arbëresh.

Dita e rinisë do të jetë shprehje e vëllazërimit! Në të, më se 500 të rinj do të kenë mundësi të bisedojnë, të ballafaqohen, të diskutojnë e edhe të dëfrehen, duke i harruar për ndonjë orë celularët e smartphonet e duke jetuar çaste të vërteta takimi, me njerëz konkretë, të pranishëm, me vëllezër e motra në fe.

31 maj 2018, 14:29