Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
bibbia 6.jpg bibbia 6.jpg 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i parë i Mbretërve

Do të flasim sot, për të parin nga dy librat bibilike të Mbretërve, gjithnjë, duke iu referuar vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Libri i parë dhe i dytë i Mbretërve, fillimisht, përbënin një libër të vetëm. Autorët përdorën material arkivor, të cilin nuk e kemi më sot, si për shembull, Librin e Analeve të Mbretërve të Judesë. Ata shfrytëzuan edhe traditën gojore dhe kujtesën historike të popullit hebraik.

Në fillim të Librit të parë, gjejmë Davidin në shtrat, gati duke vdekur. Jemi rreth vitit 970 para Krishtit. Në fund të Librit të dytë, do të gjejmë rrethimin e Jeruzalemit nga mbreti babilonez Nabukodonosor, në vitin 587 para Krishtit. Pra, të dy Librat përshkojnë historinë e monarkisë për më se 400 vjet e, thënë kështu, duket sikur janë tejet të rëndë e të mërzitshëm.

 Deri në një farë mase… pastaj, siç ndodh shpesh me Biblën, gjërat nuk janë asnjëherë ashtu si mendohen fillimisht. Ajo që, në pamje të parë, duket thjesht, një histori mbretërish, betejash e aleancash, e cila mund t’u interesojë vetëm historianëve, bëhet dëshmi e gjykimit të Izraelit për vetveten dhe për ngjarjet ku përfshihet, në dritën e besnikërisë ndaj besëlidhjes me Zotin.

Libri i parë i Mbretërve përbëhet nga 22 kapituj

Libri i parë i Mbretërve përbëhet nga 22 kapituj. 11 të parët flasin për vështirësitë në trashëgimin e fronit të Davidit, mbi të cilin ulet Salomoni, që – duhet kujtuar – është biri i Betsabesë dhe i mëkatit të famshëm të Davidit (shih emisionin e kaluar). Praktikisht, mund të themi se ëndrra për një mbretëri të Izraelit, bashkuar nën një sovran të vetëm, përfundon me të. Sapo e filluar, monarkia davidike duket e përfunduar, sepse me vdekjen e Salomonit, ndahet më dysh, në mbretërinë e Izraelit në veri e, në atë të Judesë, në jug.

Historia e Salomonit

Por, ajo që bën më shumë përshtypje, është mënyra me të cilën trajtohet figura e mbretit Salomon, i cili, nga kapitulli 2 deri në kapitullin 10, ekzaltohet për urtinë e tij proverbiale, ndërsa në kapitullin 11, me pak rreshta e shpejt e shpejt, largohet nga skena. Në fakt, Salomoni, mbreti më i ditur e më i urtë, ai që pati kërkuar dhuratën e urtisë e jo të pushtetit, që pati ndërtuar Tempullin e madh të Zotit, ndryshoi e ia kushtoi zemrën e vet zotave të tjerë. Mëkati i idhujtarisë së Salomonit nuk peshon në krahasim me lavdinë e tij, që duket e pacënuar, por rëndon mbi pasardhësit. Izraeli duket sikur turpërohet e bën ç’është e mundur për ta harruar këtë faj, që s’e priste.

Ardhja e Elisë profet

Dy, gjërat për t’u përmendur në pjesën e dytë të librit: teologjia e historisë, që i jep shpirt tregimit, dhe dukja e profetit të madh, Elisë – qendra e strumbullari i kësaj pjese. Duke filluar nga kapitulli 11, autori deuteronomist i librit i interpreton të gjitha ngjarjet e monarkisë në këndvështrimin ngushtësisht fetar, ku historia e teologjia shkrihen në një tregim të vetëm. Izraeli shkruan historinë e monarkisë, jo duke e shpikur atë, por duke interpretuar, në dritën e fesë e të besnikërisë ndaj besëlidhjes me Zotin, ngjarje që kanë ndodhur vërtet.

Përkrah këtij përshkrimi të kujdesshëm të figurave “zyrtare” të mbretërve ka, siç ndodh shpesh në Bibël, njerëz që e ndryshojnë rrjedhën e historisë dhe u japin kuptim tregimeve, të cilat, përndryshe, do të mbeteshin krejt të thata. Ky është rasti i Elisë profet, historia e të cilit është një nga arsyet më të mira për ta lexuar Librin e parë të Mbretërve. Jo rastësisht, në Ungjill, edhe vetë Jezusi i referohet Elisë, të parit e më të madhit ndër profetët, që “duhej të vinte për t’ia përgatitur rrugën Mesisë”. Gjithashtu, është Elia ai, i cili, së bashku me Moisiun, duket në malin Tabor, para shndërrimit të Krishtit.

Ku është Zoti? Dëshmia e Elisë profet

Figurë vendimtare, që fillimisht pikturohet si njeri i fortë, i fuqishëm, arrogant në sfidën me 450 profetët e Baalit mbi malin Karmel, pastaj, i dhunshëm kur i vret një nga një e, së fundi, i frikësuar kur largohet në shkretëtirë për të shpëtuar nga mbretëresha Gezabela, që donte ta vriste.

E aty, në mal, ndodh diçka unike, për të cilën duhet lexuar e rilexuar kapitulli 19. Në malin Horeb, Elia vëren se fryn një erë e vrullshme, e njëjta që pati ndarë më dysh ujrat e Detit të Kuq, por Zoti nuk ishte aty; pastaj vjen tërmeti, si ai që u pat dëgjuar në malin Sinai, por Zoti nuk ishte aty; më pas, zjarri, si ai i dukjes së parë të Hyut para Moisiut, por as aty nuk ishte Zoti; së fundi, ia mbërrin një shkulm ere, pëshpëritja e një puhize të lehtë, frushkullima e heshtjes dhe, Elia e kupton se ndodhet para Zotit të vet.

Kjo është pjesa biblike, që ndan më dysh historinë e Izraelit dhe mënyrën e tij për ta kuptuar misterin e Zotit. Duhet lexuar, në mënyrë që çdo besimtar, ashtu si Elia, të mësojë si ta kuptojë Zotin, i cili nuk është aty, ku na është dukur se ka qenë gjithmonë, ose aty, ku mendojmë se duhet të jetë. Se Hyu nuk është vetëm pushtet, forcë, fitore, por edhe prani kaq e pakapshme, sa të mendojmë, nganjëherë, se nuk është.

31 maj 2018, 09:00