Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Cristo abbraccia la nostra croce (Pasqua). Autore: Ana Maria Laurent Cristo abbraccia la nostra croce (Pasqua). Autore: Ana Maria Laurent 

Mё 30 maj, kalendari kujton Shën Zhanën d’Ark, virgjër

Shën Zhanën d’Ark u dënua nga një gjykate kryesuar nga Kushon, ipeshkëv i Bovesë. Zhana nuk kishte mbrojtës, qëndroi e papërkulur e dëgjoi pa i luajtur qerpiku dënimin me vdekje: djegie mbi turrën e druve si shtrigë. Nga flakët, që ia pushtonin trupin, ajo s’ia ndante sytë të Kryqëzuarit, të cilin rrëfyesi e mbante të ngritur lart para saj

R. SH. - Vatikan

Më 30 maj kalendari kishtar përkujton Shën Zhanën d’Ark, virgjër.
Sapo i kishte mbushur trembëdhjetë vjet, u tha prindërve, Zhakut e Izabelës: “Dëgjoj shpesh zërat e shenjtorëve: zërin e Kryengjëllit Mikel, të Shën Katerinës së Aleksandrisë e të Shën Margeritës së Antiokisë; më bëjnë thirrje për të ecur në rrugën e përshpirtërisë!”.
Ndërsa në moshën 18 vjeçe u besoi të fshehtën e madhe: “Zërat më bëjnë thirrje të çliroj Francën!”. I ati u tërbua e ajo u detyrua të ikë nga shtëpia, ku nisën ta shikojnë si të çmendur. Por kur parafoli mundjen e Francës, e paralajmërimi i saj u vërtetua pikë për pikë, fisnikët e zonës e shoqëruan tek mbreti, që ndodhej në Kinon.

Asokohe mbret ishte Karli VII, 26 vjeç, i ligsht, pa kurrfarë sigurie në vetvete, i torturuar nga mendimi se ishte bir i paligjshëm, që ia kishte ushqyer vetë e ëma.  Ndërkaq veriu i Francës, me gjithë Parisin, ishte ndër duart e anglezëve e të borgonjonëve; në ushtrinë e Francës mbretëronte plogështia e shpërdorimi, Orleans-i ishte i rrethuar nga anglezët. E kjo katundare analfabete i foli mbretit për fitore, ia zbuloi mendimet e fshehta të së tashmes e të së kaluarës, i paralajmëroi ndëshkime qiellore në se nuk do ta shpëtonte Francën. Atëherë mbreti, pasi u këshillua me profesorët e gjykatësit, i la dorë të lirë.

Dikush e quante të marrë, dikush shenjte! Ndërkaq Zhana d’Ark kishte në mendje një plan krejt të qartë, që filloi me riorganizimin e ushtrisë: nënshtroi komandantët, i detyroi trupat t’i bindeshin, rivendosi disiplinën. Pa bërë asnjë mrekulli tjetër: është kjo mrekullia e saj. Fliste, qortonte, nxiste. E dinte se Francës së gjunjëzuar, i duhej një fitore e menjëhershme. Nisi, prandaj, të mendojë për trupat që duhet të çlironin Orleans-in nga rrethimi. Ushtarët, që rifituan dinjitetin e tyre, iu binden me kënaqësi Zhanës, ndonëse ajo tregohej tepër e ashpër me ata që blasfemonin.

Erdhi, pastaj, veprimi politik kryesor. Zhana e hoqi pothuajse zvarë Karlin VII në Reims, ku e kurorëzoi më 17 korrik 1429. Kështu Franca kishte një mbret të vërtetë e të padiskutueshëm, para të cilit tani qytetet e shumta armike hapnin portat. Kjo është kthesa politike dhe ushtarake që çoi drejt fitores: në vitin 1437 Karli VII hyri ngadhënjimtar në Paris. Po Zhana nuk ishte më. Pasi u plagos para Parisit (shtator 1429) ajo u kap nga borgonjonët, të cilët ia shitën anglezëve.

Ata hapën menjëherë kundër saj një proces gjyqësor. U paraqit si shtriga e Ruënit para një gjykate të kryesuar nga PierrKushon, ipeshkëv i Bovesë, në të cilën bënin pjesë dyzet anglezë e po aq francezë anglofilë. Zhana nuk kishte mbrojtës, në një kohë kur edhe pjesëmarrja e gruas në luftë, veshur si mashkull, konsiderohej krim. Qëndroi e papërkulur para gjykatësve, ripohoi se “zërat” nuk e kishin gënjyer, kapërceu një çast ligështie, i thirri sërish “zërat”, dëgjoi pa i luajtur qerpiku dënimin me vdekje: djegie mbi turrën e druve si shtrigë.

E dogjën, sapo i kishte mbushur 19 vjet, në mes të Sheshit të Tregut në Ruë. Nga flakët, që ia pushtonin trupin, ajo s’ia ndante sytë të Kryqëzuarit, të cilin rrëfyesi e mbante të ngritur lart para saj. Në vitin 1455 papa Kalisti III urdhëroi të rishikohej procesi e të rehabilitohej plotësisht Virgjëra e Orleanit. Zhanë d’Ark, për të cilën janë shkruar mijëra faqe historike e letrare, u shpall e lume nga papa Piu X në vitin 1910; shenjte nga Papa Benedikti XV në vitin 1920.

30 maj 2018, 12:03