4 shkurti Ditë Botërore e Vëllazërimit Njerëzor: shpresë për të ardhmen
R.SH. / Vatikan
Kombet e Bashkuara kanë vendosur që 4 shkurti të caktohet, duke filluar nga 2021, si "Ditë Ndërkombëtare e Vëllazërimit Njerëzor". Kjo Ditё përkon me përvjetorin e nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor nga Papa Françesku dhe Imami i Madh Ahmad Al-Tayyeb. Duke adoptuar një rezolutë të tillë, Asambleja - lexohet në Komunikatën e OKB-së - i fton Shtetet anëtare ta kremtojnë këtë Ditë “për të promovuar dialogun ndërfetar e ndërkulturor”.
Propozimi u bë nga Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, kryesuar, asokohe, nga Kardinali ndjerë Miguel Angel Ayuso Guixot, president i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, dhe përgjegjës për zbatimin e angazhimeve të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi më 4 shkurt 2019 nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmed Al-Tayyeb.
Lista e angazhimeve në fushën e dialogut ndërfetar përfshin gjithashtu edhe luftën kundër diskriminimit dhe dhunës fetare. Fetë nuk nxisin kurrë për luftë e dhunë, nuk ushqejnë kurrë urrejtje, në emër të Zotit! Sepse Zoti nuk e do urrejtjen, ndaj kjo fjalë nuk duhet shqiptuar kurrë në emër të Atij të Lumit! E kjo është edhe zemra e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën, nënshkruar më 4 shkurt 2019, në Abu Dabi, nga Papa dhe Imami i Al-Azhar, Al-Tayyib.
Kështu, Dita Ndërkombëtare e Vëllazërisë Njerëzore është një rast i rëndësishëm për të promovuar mirëkuptimin reciprok, paqen dhe bashkëpunimin ndërmjet kulturave dhe feve të ndryshme. E themeluar nga Kombet e Bashkuara, kjo ditë njeh rolin themelor të dialogut dhe solidaritetit në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe harmonike. Rëndësia e kësaj dite qëndron në nevojën për të thyer muret e ndarjes dhe urrejtjes, duke promovuar kohezionin social dhe respektin reciprok. Në këtë drejtim, mësimet e Papa Françeskut, një nga mbështetësit kryesorë të kësaj dite, nënvizojnë rëndësinë e vëllazërisë si një shtyllë e bashkëjetesës njerëzore.
Në vitin 2019, Ati i Shenjtë Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, nënshkruan së bashku Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore për Paqe Botërore dhe Bashkëjetesë të Përbashkët, një tekst që fton të gjithë njerëzit vullnet të mirë të punojnë për paqen dhe vëllazërinë universale. Papa Françesku ka ripohuar shpesh se vëllazëria nuk është vetëm një vlerë e krishterë, por një parim global që duhet të drejtojë veprimet e çdo individi, pavarësisht nga besimi që ka. Papa u bëri thirrje besimtarëve dhe jobesimtarëve që të punojnë së bashku për të mirën e përbashkët, duke lënë mënjanë dallimet dhe duke kërkuar atë që bashkon dhe jo atë që ndan.
Shpresa për të ardhmen është që kjo ditë e vëllazërimit të mos mbetet një ngjarje e izoluar, por të bëhet pikënisje për një angazhim të vazhdueshëm, të qëndrueshëm dhe të përbashkët. Shpresa është që njerëzit të mund të kapërcejnë paragjykimet dhe diskriminimin, duke ndërtuar ura mirëkuptimi dhe miqësie. Prandaj, është thelbësore që institucionet arsimore, fetare dhe civile të promovojnë në mënyrë të perherme vlerat e vëllazërisë, përfshirjes dhe drejtësisë sociale.
Dita Ndërkombëtare e Vëllazërisë Njerëzore na kujton, pastaj, se ne të gjithë jemi pjesë e një familjeje njerëzore dhe se vetëm përmes unitetit dhe bashkëpunimit ne mund të përballemi me sfidat globale si konfliktet, pabarazitë dhe krizat mjedisore. Si përfundim, kremtimi i kësaj dite përfaqëson një mundësi për të reflektuar mbi rolin tonë në ndërtimin e një bote më paqësore dhe solidare, duke ndjekur shembullin dhe mësimet e Papa Françeskut, i cili vazhdimisht na fton të jetojmë vëllazërinë në jetën tonë të përditshme, duke arritur tek të gjithë ata që po përjetojnë një moment vështirësie. Duke vepruar kështu, shtëpia jonë e përbashkët do të bëhet një vend më i mirë ku të gjithë mund të ndihen të mirëpritur. .