Zëra nga Cisjordania: në fije të perit, para tmerrit të luftës
R.SH. – Vatikan
Tensioni po shtohet dita-ditës në Cisjordani, ku Izraeli ka intensifikuar operacionet e tij anti-terroriste. Numri i palestinezëve të vrarë vazhdon të rritet. Në Jenin, frika po arrin nivele të papara. Në këtë vend shtrihet kampi më problematik i refugjatëve, me 17 mijë njerëz. Vetëm të enjten e kaluar u vranë, në përleshjet me ushtarët izraelitë ,rreth pesëmbëdhjetë të rinj. Izraeli përdor edhe aviacionin. Me gjithë praninë e “Teatrit të Lirisë” - një institucion kulturor i themeluar së bashku me disa intelektualë izraelitë në vitin 2006, i cili gjithmonë ka kërkuar dialogun - shpresat për pajtim janë zbehur.
"Ndërsa flas, jemi ulur në shtëpi duke pritur pushtimin, nuk e dimë kur do të ndodhë dhe si. Mund të jetë gjatë ditës, ose natës. Mund të ndodhë në çdo kohë", pohon Walid Basha, palestinez i krishterë nga Jenini, profesor i mikrobiologjisë në Nablus, në Universitetin Kombëtar An-Najah, në një intervistë telefonike me Radio Vatikanin / Vatican News. Në Jenin jetojnë 20 mijë banorë, të krishterët janë një pakicë tejet e vogël, prej rreth 140 vetësh. "Kisha na është djegur dhe nuk është restauruar kurrë. Një nga pikat më të nxehta të konfliktit është pikërisht përballë kishës". Me gjithë mundimet e kësaj lufte dhe tundimin për të emigruar, profesori dëshiron të qëndrojë në qytetin e tij.
Numërojmë viktimat, por nuk jemi numra
Ai e ka ende të gjallë kujtimin e 3 korrikut, kur ushtria izraelite kreu sulmin më masiv në zonë që nga viti 2002. “Ndodhi në orën 9.30 të mëngjesit, ndërsa të gjithë ishin në shkollë, ose në punë. Rreth 4 mijë nxënës nuk mundën të largoheshin nga shkolla deri në orët e vona të natës. Sot, i gjithë qyteti është i rrethuar nga snajperë, ushtarë, tanke. Është e tmerrshme. Jemi në luftë. Pesëmbëdhjetë palestinezë u vranë këtu brenda një dite. Numërojmë viktimat – vë në dukje profesori - por nuk janë numra, janë njerëz. Kemi humbur shumë rini në Jenin”. Basha përshkruan edhe rrugët e Jeninit: “Janë shkatërruar rrugët e komunikimit, infrastrukturat, shenjat e trafikut.” “Palestinezët kërkojnë liri”, nënvizon ai. Mendimi i profesorit shkon tek fëmijët e Gazës, tek gruaja e krishterë, muzikantja më e mirë palestineze, vrarë ndërsa kthehej në shtëpi nga kisha.
Asnjë lajm nga miqtë e mi në Gaza
Walid Basha flet për kolegët dhe miqtë e shumtë, që ka në Gazë. Ndërmjet tyre janë edhe murgeshat e Rruzares Shenjte. Fatkeqësisht, kontaktet janë shumë të vështira. "Ka rreth njëzet ditë, që s’kam dëgjuar gjë për ta. Ç’po ndodh atje është e tmerrshme. Jemi dëshmitarë të një fatkeqësie. Imagjinoni mijëra njerëz me një banjë të vetme, pa ujë; kemi frikë nga kolera, tifoja, tuberkulozi, koronavirusi. Dy ditë më parë, tre qen po hanin kufoma në rrugë”. Ndërkohë, veprimtaritë akademike, pashmangmërisht, vijojnë online, me të gjithë studentët tejet të stresuar. Profesori komenton: "Të gjithë rrinë e shikojnë. E gjithë bota shikon, por askush nuk kujdeset për njerëzit në Gazë. Atje ka një vatër arlami. Jam kundër atyre që vrasin - saktëson ai - nuk e dua Hamasin mbi krye. Unë jam i krishterë, besoj në Jezu Krishtin, jemi këtu që prej dy mijë vitesh, jam palestinez, do të doja vetëm lirinë dhe dinjitetin për t’u ndierë qenie njerëzore. Ju nuk mund ta imagjinoni se çfarë do të thotë të mos kesh lirinë për të lëvizur. Është fatkeqësi".