Kërko

Hersh Golberg - Polin Hersh Golberg - Polin 

Kryetarja e të afërmve të pengjeve, Papës:"Faleminderit për ndihmën"

Rachel Goldberg-Polin është nëna e izraelitit të ri Hersh, njëri nga dy djemtë e plagosur, rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmit të tërbuar të 7 tetorit. Në një video, falënderon Papën për vëmendjen dhe shqetësimin kushtuar "240 qenieve njerëzore varrosur gjallë në Gaza": kanë fe të ndryshme, por të gjithë janë bij të Zotit!

R. SH. - Vatikan

Ka kaluar më se një muaj që kur Rachel Goldberg-Polin nuk ka lajme nga i biri, Hersh. Djali, 23 vjeç, është një nga “240 qeniet njerëzore që u varrosën të gjallë në Gazë”, pra një nga pengjet e Hamasit. Terroristët e plagosën dhe e rrëmbyen gjatë sulmit të 7 tetorit në shkretëtirën e Supernova, ku u masakruan rreth 260 vetë, ndërsa mijëra të tjerë vriteshin në kibbutz dhe nëpër rrugë.

Faleminderit Françeskut

Këto javë Rashela u bë zëdhënëse e familjeve të fëmijëve të rrëmbyer, ndërsa tani iu drejtua, përmes një videoje, mediave të Vatikanit, e pikërisht Papës, i cili që nga fillimi i dhunës dramatike në Tokën e Shenjtë, nuk pushon së nisuri, në çdo fjalim publik, thirrje pas thirrjesh për “lirimin e pengjeve”. Thirrja e fundit është ajo e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, më 5 nëntor kur, duke menduar sidomos për fëmijët, Françesku kërkoi që  pengjet e mbajtura ende nga Hamasi “të rikthehen në gjirin e famljeve të tyre”.

Të gjithë janë bijtë e Zotit

“Faleminderit që gjetët kohë për të na ndihmuar t’i lirojmë 240 qeniet njerëzore të varrosura gjallë nën Gaza”, thotë gruaja në filmim. “Janë të  feve të ndryshme: myslimanë, hebrej, të krishterë, hinduistë, budistë. Edhe ata janë qenie njerëzore. Janë bijtë e Zotit”.

Rachel Goldberg-Polin e vlerëson "shumë" "përpjekjen" e Papës për t'i kthyer të gjithë në shtëpi, tek familjet e tyre. Këtë thekson nëna e tmerruar nga një situatë e tillë kriminale, ndaj i dërgon Papës jo vetëm ankime e kërkesa por edhe, e sidomos, një puthje nëne, duke i shprehur "dashuri dhe respekt".

Asnjë lajm nga djali që nga 7 tetori

Hera e fundit që Hersh Goldberg-Polin u pa nën një strehë fushore ku  ishin strehuar ai dhe pjesëmarrësit e tjerë të festës, duke u përpjekur t'i shpëtonin raketave dhe të shtënave të Hamasit. Mesazhet e tij të fundit u arritën prindërve rreth orës 8 të mëngjesit të datës 7 tetor. Që atëherë - siç u kujtua më sipër - nuk ka pasur asnjë lajm tjetër. Pasi kaloi faza e tmerrit dhe e terrorit, nëna Rashel dhe burri i saj, Jon, vendosën të kërkonin sa më shumë informacion për djalin. Një hamal, a dhomë, në shtëpinë e tyre, është shndërruar në një lloj selie, ku mblidhen familjarë e miq, madje edhe të afërm të pengjeve të tjera. Të gjithë përpiqen t'i sjellin të dashurit  në shtëpi ose, në çdo rast, të mbledhin informacione dhe të krijojnë kontakte. Punë aspak e lehtë, që po zhvillohet përmes një fushate mediatike ndërkombëtare, në ballë të së cilës është Rakela, e ngushëlluar nga mbështetja njerëzore e Papës Françesku.

10 nëntor 2023, 16:20