JFK, malli për një Amerikë, që nuk ekziston më
R.SH. - Vatikan
Takimi me Historinë, ai me shkronjën H të madhe, ishte në vitin 1962 me krizën kubane. John Fitzgerald Kennedy ishte dyzet e pesë vjeç, president i Shteteve të Bashkuara për njëzet e një muaj. Oficer i dekoruar për akte heroike gjatë Luftës II Botërore, kishte mosbesim instinktiv ndaj ushtrisë dhe besim të pafund tek vëllai i tij, Roberti. Kombinimi e shtyu të ndërmjetësonte me Nikita Hrushovin dhe të anonte drejt një zgjidhjeje diplomatike. Kur të gjithë, duke përfshirë edhe Papën e Mirë, Gjoni XXIII, i trembeshin shpërthimit të luftës atomike, Kenedi mbylli marrëveshjen me rusët mbi bazën e një transaksioni të thjeshtë ushtarak: "Nxirrni raketat tuaja nga Kuba, të miat nga Turqia".
Mbylli sytë në krye të detyrës!
John Fitzgerald Kennedy ishte presidenti i fundit që vdiq në krye të detyrës, si sot, më 22 nëntor 1963! Pas Dallasit, presidentët nuk udhëtuan më me makina të hapura as nuk mbajtën më fjalime në publik, pa xhamin mbrojtës.
Miti i Camelot, një shpikje e Jacqueline pas vrasjes së burrit të saj, është shumë më tepër nostalgji për një Amerikë që nuk ekziston më. Ishte ende Amerikë relativisht e pafajshme, ku jeta private e politikanëve qe jashtë kufijve, programet televizive fillonin në katër pasdite dhe filmat shfaqeshin ende në kinematë në qytetet rurale të Midwest. Amerikanët blinin një makinë me rrogën e një muaji dhe një shtëpi me rrogën e një viti. E ardhmja ishte e përballueshme dhe hëna e ndritshme… Pastaj erdhi Vietnami, Watergate, vrasja e vëllait të tij Robert dhe ajo e Martin Luther King, inflacioni…
Sot Kennedy do të ishte njëqind e gjashtë vjeç: është e pamundur ta mendosh si të vjetër. E po ashtu, për një tjetër si Ai!
(Sintezë nga Enrico Beltramini, profesor emeritus në Universitetin Notre Dame de Namur, Kaliforni)