Gaza, viktima në selinë e UNDP-së. OKB: masakra e civilëve duhet të marrë fund!
R. SH. - Vatikan
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) flet për "një numër të konsiderueshëm vdekjesh dhe plagosjesh" gjatë "bombardimit" të selisë së tij në qytetin e Gazës. E zbrazur nga punonjësit, selia është pushtuar nga qindra palestinezë të zhvendosur.
UNDP: Tragjedia e vdekjes së civilëve duhet të marrë fund!
"Tragjedia e vazhdueshme e civilëve të vdekur dhe të plagosur, të bllokuar në këtë konflikt, duhet të marrë fund" - pohon UNDP në një deklaratë. "Civilët, infrastrukturat civile dhe paprekshmëria e strukturave të Kombeve të Bashkuara - thekson - duhet të respektohen dhe të mbrohen në çdo kohë. E drejta ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masës paraprake, duhet të respektohet dhe të mbështetet".
Izraeli siguron një korridor humanitar
Sot, më 12 nëntor, ushtria izraelite siguroi një korridor humanitar 7-orësh (deri në 16:00 me orën lokale, 15:00 në Itali) për popullsinë palestineze që dëshiron të lëvizë nga veriu në jug të Rripit. Zëdhënësi ushtarak Avichai Adraee e dha lajmin arabisht. Rruga e caktuar është Salah ad Din. Adraee shtoi se do të ketë një korridor të sigurt nga spitali Shifa në qytetin e Gazës për ata që dëshirojnë të arrijnë Salah ad Din dhe do të sigurohet një pauzë "taktike" në operacionet ushtarake (deri në orën 14:00 me orën lokale) në kampin e refugjatëve Jabalya, në veri të Strip dhe në lagjen e afërt të Izbat Malien.
Netanyahu e refuzon armëpushimin
Kryeministri izraelit Netanyahu hodhi poshtë thirrjet ndërkombëtare në rritje për armëpushim, duke pohuar se beteja e Izraelit për të shtypur militantët e Hamasit, në pushtet në Gaza, do të vazhdojë “me të gjitha forcat". Armëpushimi do të jetë i mundur vetëm nëse lirohen të 239 pengjet e mbajtura nga militantët në Gaza - pohoi ai në një fjalim televiziv. Udhëheqësi izraelit ngulmoi edhe se pas luftës, që tashmë ka hyrë në javën e saj të gjashtë, Gaza do të çmilitarizohet dhe Izraeli do të ruajë kontrollin e sigurisë. Ai hodhi poshtë idenë se Autoriteti Palestinez, i cili aktualisht administron zonat autonome në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli,do të mund të kontrollojë deri në një farë pike edhe Gazën.