Kërko

Ushtarë izraelitë në Gazë Ushtarë izraelitë në Gazë  (ANSA)

Filozofi Assael: Islami dhe hebraizmi duhet të fillojnë sërish nga Marrëveshja e Abrahamit

Mendimtari hebre milanez, i cili foli në tryezën e rrumbullakët "Harmonia e ndryshimeve", që hapi Festivalin e Filmit Tertio Millennio dje në Romë, analizon të ardhmen e rrugës drejt paqes në Lindjen e Mesme dhe jo vetëm ndëmjet Izraelit e Palestinës, ndërprerë nga sulmi i Hamasit më 7 tetor. "Islami duhet t’i rimendojë marrëdhëniet e tij me Judaizmin, siç bëri Kisha Katolike me Koncilin".

R. SH. - Vatikan

Ajo që ndodhi më 7 tetor pas sulmit brutal të Hamasit “është sulm kundër paqes në të dy frontet. Ndërsa sot zgjerimin e konfliktit e duan vetëm dy aktorë, Hamasi dhe të ashtuquajturit kolonë, që kryejnë bastisje kriminale në Bregu Perëndimor” në dëm të palestinezëve. “Por rruga e paqëtimit ndërmjet Islamit dhe Judaizmit është hapur tashmë me Marrëveshjen e Abrahamit” të gushtit 2020 dhe me pranimin shumë të afërt të Arabisë Saudite “që po përfundonte” e ishte një hap larg paqes, përpara sulmit”. Ndjen keqardhje, por edhe shpresë Davide Assael, filozof hebre nga Milano, kryetar i "Shoqatës Lech Lechà, për një filozofi relacionale". Assael, i cili mban leksione në universitete të ndryshme italiane, foli dje, më 14 nëntor, në tryezën e rrumbullakët ndërfetare “Harmonia e ndryshimeve”, që hapi Festivalin e Filmit Tertio Millennio në Bibliotekën Kombëtare të Judaizmit Italian, në Romë. Në fund të takimit, Assael i pasqyron  reflektimet e tij  në Vatican News.

A mendoni se ka shpresë që "harmonia e dallimeve" të kthehet në Lindjen e Mesme nëse kjo luftë do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur?

Absolutisht. Janë vetëm dy aktorë, mendoj unë, në këtë skenar, që synojnë të zgjerojnë konfliktin për mbijetesë politike, Hamasi nga njëra anë - e nga ana tjetër të ashtuquajturit kolonë, që përfaqësohen në qeverinë Netanyahu me dy ministra, të përjashtuar nga kabineti i kufizuar i luftës, në të cilin mori pjesë presidenti amerikan Biden. Mendoj se, në këto rrethana, duhet t'i themi faleminderit Abu Mazenit, i cili nuk e miraton këtë urrejtje, ndonëse e di që, po rizgjohet kjo urrejtje, do të sundojë Hamasi. Tani për tani Hamasi, si parti politike, është i jashtëligjshëm në Bregun Perëndimor  e, siç dihet, Autoriteti Kombëtar Palestinez nuk mund të shkelë në Gaza. Përveç dy entiteteve që përmenda, besoj se asnjë nga shtetet e rajonit dhe madje as fuqitë botërore të përfshira, nuk duan që konflikti të zgjerohet. Do të niset përsëri, mendoj, nga Marrëveshja e Abrahamit, të cilën Arabia Saudite e rikonfirmoi disa javë më parë. E kjo, me që Lindja e Mesme, pas asaj që përjetoi njëzet vitet e fundit, kërkon stabilitet. Është e qartë se Irani duhet të luajë një rol të veçantë në këto marrëveshje; duhet të ketë një kapitull shumë specifik, përveç çështjes së territorit të tyre, përndryshe siguria e Izraelit nuk do të garantohet kurrë. Do ta paguajë këtë me terrorizëm të brendshëm, e edhe me sulme të egra, që po i shikojmë çdo ditë.

Pra, a janë Marrëveshjet e Abrahamit bazë e mirë për të filluar?

Ata janë një bazë e madhe, bazë historike. Duke filluar në vitin 2020, patën mbështetjen e shumë vendeve arabe dhe tani, mbështetjen e qartë të Arabisë Saudite. Unë vetë duhej të shkoja në Riad më 7 dhjetor, në një konferencë të madhe ndërkombëtare të filozofisë, për të dhënë një mendim mbi teologjinë e Marrëveshjes së Abrahamit. Kam thënë gjithnjë se marrëveshja politike duhet të pasohet nga reforma kulturore. Bota islame duhet t’i rimendojë marrëdhëniet e saj me hebraizmin, ashtu si bota katolike arriti të rimendojë marrëdhëniet e saj me hebraizmin pas Shoahut, me atë përvojë të jashtëzakonshme kulturore për mua, shumë të nënvlerësuar nga bota laike, që ishte Koncili II i Vatikanit. Në të njëjtën mënyrë, bota hebraike duhet të rishikojë edhe marrëdhëniet e saj me Islamin, domethënë duhet të shkojë në themelet e një gramatike monoteiste. Ky ndryshim kulturor mund t'i bëjë të qëndrueshme marrëveshjet politike. Sipas meje, vullneti nuk mungon; kërcënimi i vetëm është zgjerimi i konfliktit. Nëse konflikti nuk zgjerohet, mendoj se procesi do të rinisë nga Marrëveshja e Abrahamit.

Dy fjalë për marrëveshjen e Abrahamit

Marrëveshja e Abrahamit është një deklaratë e përbashkët e Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara, e arritur më 13 gusht 2020. Termi u përdor më pas për marrëveshjet ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (Izrael-United Arab); Marrëveshjen e Normalizimit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit si dhe Marrëveshjen e Normalizimit Bahrein-Izrael).

Deklarata  solli normalizimin e parë të marrëdhënieve ndërmjet një vendi arab me Izraelin, pas Egjiptit më 1979 dhe Jordanisë, më 1994. Marrëveshjet e Abrahamit u nënshkruan nga Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan, nga ministri i jashtëm i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al Zayani, Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më 15 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.

Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe u titullua zyrtarisht “Marrëveshja e Paqes së Abrahamit”: Traktati i Paqes, Marrëdhëniet Diplomatike dhe Normalizimi i plotë ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shtetit të Izraelit. Marrëveshja ndërmjet Bahreinit dhe Izraelit, titulluar zyrtarisht “Marrëveshja e Abrahamit: Deklarata e Paqes, Bashkëpunimit dhe Marrëdhënieve Konstruktive Diplomatike dhe Miqësore”, u shpall nga Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2020.

Marrëveshjet u quajtën me emrin e patriarkut Abraham, profet i të dyja feve, hebraizmit dhe Islamit, që tradicionalisht konsiderohet si patriark i përbashkët i popujve hebrenj dhe arab (përmes Isakut dhe Ismaelit).

15 nëntor 2023, 16:21