Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe e Adoleshentëve: Save the Children, kërcënohet e drejta për mbijetesë
R.SH. - Vatikan
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe Adoleshentëve 2023, që kremtohet sot, 20 nëntor, ka fytyrën e mijëra fëmijëve të vrarë, të plagosur, të gjymtuar apo të detyruar të ikin në gjysmën e fundit të këtij muaji, për shkak të shkallëzimit të konfliktit në Gaza. Duke e zgjeruar vështrimin tonë, ka më shumë se 400 milionë të mitur që jetojnë në zona lufte në botë, më shumë se dyfishi, krahasuar me mesin e viteve 1990, ndërkohë që edhe në Evropë numri i të ekspozuarve ndaj konfliktit është katërfishuar vetëm në një vit, nga 2 në 9 milionë, si rezultat i luftës në Ukrainë. Në nivel global, ndikimi i luftërave, së bashku me atë të ndryshimeve klimatike dhe pasojat e Covid-19, kërcënon drejtpërdrejt të ardhmen e 1 deri në 10 fëmijëve dhe po rrezikon arsimimin e 222 milionë prej tyre në moshën shkollore. Nësa vetë fëmijët e quajnë njëzëri si prioritetin e tyre kryesor në kohë krizash atë që të mund të vazhdojnë të shkojnë në shkollë dhe të mësojnë, kjo shpresë u mohohet. Kujtojmë, si shembull, afërsisht 6.5 milionë të mitur në Sudan, të cilët gjatë shtatë muajve të fundit të konfliktit kanë humbur mundësinë e uljes në bankat e shkollës për shkak të dhunës dhe pasigurisë në të cilën ndodhet vendi. Këtë vit - për shkak të përleshjeve të armatosura – kjo fatkeqësi u ndodhi edhe 1.4 milionë fëmijëve që jetojnë në rajonin e Sahelit, në Burkina Faso, Niger dhe Mali, ndërsa në Etiopi 2.3 milionë nxënës nuk munden ende të kthehen në shkollë pas marrëveshjes së paqes të vitit 2022, që i dha fund konfliktit.
Përveç konflikteve, kontinenti afrikan po vuan pasoja të rënda për shkak të ndikimit në rritje të krizës klimatike, e cila tashmë ka zhvendosur pothuajse 2 milionë vajza dhe djem në Afrikën Sub-Sahariane në vitin 2022, pothuajse dyfish në krahasim me një vit më parë. Por ndryshimi i klimës po ndikon në jetën e fëmijëve në çdo gjerësi gjeografike, duke kontribuar në thellimin e krizës më serioze ushqimore në dekadat e fundit.
Rreth një e pesta e të porsalindurve këtë vit do të jenë viktima të urisë
Sipas një studimi të ri nga Save the Children - organizata që ka luftuar mbi 100 vjet për të shpëtuar djemtë dhe vajzat në rrezik dhe për t'u garantuar atyre një të ardhme - publikuar sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Adoleshentëve, pohon se të paktën 17.6 milionë fëmijë kanë lindur ose do të lindin të uritur në vitin 2023: afërsisht 33 fëmijë në minutë, me një rritje prej 22% krahasuar me dhjetë vjet më parë.
Save the Children pohon se rreth një e pesta e të porsalindurve këtë vit do të jenë viktima të urisë, në krahasim me vitin 2013, kur ishin 14.4 milionë.
Sipas analizës, Afrika dhe Azia do të përbëjnë 95% të lindjeve të fëmijëve të kequshqyer në botë në vitin 2023[5]. Të dhënat nuk përfshijnë ndikimin që ka shkallëzimi i dhunës në territorin e pushtuar palestinez mbi urinë apo lindjet në rajon.
“Më shumë se 17 milionë foshnja do të lindin këtë vit në një botë ku uria do ta konsumojë fëmijërinë e tyre: 33 fëmijë në minutë: po aq, ose shpesh edhe më shumë se një klasë shkolle në Itali. Uria do të shkatërrojë ëndrrat e tyre, do t'ua shuajë lojën, do t'ua ndërpresë arsimimin dhe do t'ua kërcënojë jetën” - pohon Daniela Fatarella, Drejtore e Përgjithshme e Save the Children. “E ardhmja e këtyre fëmijëve rrezikohet para se të nisin të marrin frymë. Fryma e parë e jetës, e para e vdekjes! Ne duhet të mbrojmë fëmijërinë e tyre dhe të ardhmen e tyre para se të jetë tepër vonë”.
Një ndër vendet ku të paktën 25% e popullsisë vuan nga uria kronike është Republika Demokratike e Kongos (DRC) ku rreth 1.5 milionë fëmijë do të lindin të kequshqyer, numri më i lartë në vend që nga fillimi i regjistrimeve të FAO-s, të cilave do t’u shtohen 6.6 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç.
Afganistani,ndër vendet aziatike me nivele më të larta të kequshqyerjes
Sifa, 33 vjeç, që jeton në një kamp për të zhvendosurit në Kivunë Veriore, RDK, po lufton të ushqejë pesë fëmijët e saj, më i vogli, tre muajsh. Pasi humbi tre fëmijë nga malaria, kolera dhe grupet e armatosura, ajo ka frikë se edhe një tjetër, këtë herë, do të vdesë nga uria:
“Jetoj në frikë të vazhdueshme se mos humbas një nga fëmijët e mi. Vazhdoj të mendoj: ‘A do t'i shoh fëmijët e mi duke u rritur dhe duke u ushqyer me ushqim të mjaftueshëm? Kam frikë të zgjohem çdo ditë dhe të shoh se i vogli im nuk është më aty” - kujton me lot në sy Sifa. “Që kur linda, tre muaj më parë, pata vështirësi ta ushqeja foshnjën time. E di që duhet të ha më shumë, por atë pak që kemi ia jap vajzës sime nëntëvjeçare. Ajo tashmë kërkon ushqim çdo ditë dhe fle e uritur, kështu që unë përpiqem t'i jap diçka. E di që është e rrezikshme ta dërgojmë atje përjashta, por nuk kemi zgjidhje, ajo duhet të hajë. Ose të vdesë”.
Afganistani është ndër vendet aziatike me nivelet më të larta të kequshqyerjes, vendi me numrin më të madh të fëmijëve të lindur që vuajnë nga uria.
Një përparim i madh është bërë në të kaluarën për të reduktuar urinë në botë. E tregon fakti se, siç raportohet në analizën e Save the Children, në vitin 2001, 21.5 milionë fëmijë lindën të kequshqyer, një e pesta më shumë se në vitin 2023. Megjithatë, pas një tendence pozitive në luftimin e kequshqyerjes, progresi filloi të bjerë ndjeshëm në vitin 2019, kryesisht për shkak të paqëndrueshmërisë ekonomike, konfliktit dhe keqësimit të krizës klimatike.
Të dhënat më të fundit kombëtare për kequshqyerjen u publikuan përpara shkallëzimit të dhunës në Territoret e Pushtuara Palestineze: vetëm në Gaza, 2.3 milionë njerëz po luftojnë për të marrë ushqim të mjaftueshëm për shkak të bombardimeve të vazhdueshme. Ndërsa, bazuar në përqindjen e lindjeve në Rrip, raportuar nga Kombet e Bashkuara, më shumë se 66,000 fëmijë pritet të lindin në Gaza këtë vit, duke përfshirë mbi 15,000 ndërmjet 7 tetorit dhe fundit të vitit 2023. Nëse nuk do të ketë armëpushim, për këto fëmijë nuk do të ketë as jetë: jeta e tyre varet nga çasti kur u lindën.
Fëmijë apo flijime?
Sot liderët botërorë u mblodhën në Mbretërinë e Bashkuar për Samitin Global të Sigurisë Ushqimore. Janë pikërisht ata, të cilëve Save the Children u bën thirrje për të përballuar shkaqet kryesore të pasigurisë akute të ushqimit dhe të ushqyerit. Për më tepër, vetëm duke u dhënë fund konflikteve globale, duke përballuar krizën klimatike dhe pabarazinë globale dhe duke ndërtuar sisteme shëndetësore, të ushqyerit dhe mbrojtjes sociale që janë më elastike dhe më pak të prekshme ndaj goditjeve të tilla si Covid-19, konfliktet dhe kriza klimatike, do të jemi në gjendje ta përballojmë një krizë e tillë të mprehtë, që të mos përsëritet në vitet e ardhshme.
I pamjaftueshëm, angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare
Angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve nuk mjafton. Gjithnjë e më shumë emergjencat humanitare të shkaktuara nga konflikti vazhdojnë për vite me rradhë, ndërkohë që fondet humanitare po pakësohen. Në vitin 2022, pothuajse 650 milionë nga fondet e nevojshme humanitare mungonin, duke lënë 18 milionë fëmijë të pambrojtur dhe punëtorë të rrezikuar nga dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi, në “duart” e autorëve të krizave më të rënda humanitare në botë. Deficiti në burimet domosdoshme për mbrojtjen e fëmijëve në zonat e konfliktit, sipas vlerësimeve, mund të arrijë në 1 miliard dollarë deri në vitin 2026, me pasoja shumë të rënda për më të ligshtit.
Në vitin 2022, Save the Children, së bashku me partnerët e vet, arritën të mbështesin 87,1 milionë njerëz, nga të cilët 48,8 milionë fëmijë, 13,5% më shumë se në vitin 2021, me ndërhyrje dhe projekte në fusha emergjente apo zhvillimi në 116 vende të botës. Fushat e ndërhyrjes kanë të bëjnë me luftën kundër varfërisë dhe pasigurisë ushqimore, mbrojtjen, arsimin, shëndetin dhe ushqimin, promovimin e të drejtave dhe pjesëmarrjes.
Krijoni një botë pa uri, pa sëmundje, pa luftë!
Flitet shumë - e prej kohe - për një botë pa uri! Pa sëmundje! Pa luftë! Ndërsa në të vijon uria. Vijojnë sëmundjet. Vijojnë luftërat! E vijon të grijë e të korrë vdekja! E deri kur në botë do të ketë njerëz, që vdesin nga ngopja e tepruar - e ferishte që vdesin në bark të nënave të uritura! A nuk është ky një nga krimet më të shëmtuara, që u shtohet luftërave në të katër anët e globit? Aq sa fjalët uri e luftë të zënë vendin e parë në botën e fjalëve, që të tmerrojnë?