Zv.ministrja e jashtme palestineze: “Armëpushimi duhet të jetë i menjëhershëm”
R.SH. – Vatikan
Amal Jadou, pas një karriere të gjatë diplomatike, që nga viti 2019, është zëvendësministre e jashtme e qeverisë së Shtetit të Palestinës. Gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” e kontaktoi në zyrën e saj në Ramallah, për ta pyetur mbi zhvillimet e mundshme të konfliktit izraelitopalestinez në orët dhe ditët në vijim. Duke shprehur shqetësimin e saj për gjakderdhjen e tmerrin e ditëve të fundit, për fatin e palestinezëve në Gaze dhe në Cisjordani, ajo nënvizon se “Palestina po paguan një haraç të madh gjaku, sidomos përsa i përket popullsisë. Gra, të moshuar, fëmijë, njerëz me aftësi të kufizuara: dhuna e ushtrisë izraelite është e verbër dhe nuk pyet për askënd”. Por, mbi të gjitha, nënvizon ajo, qeveria palestineze sheh me shqetësimin heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare para vuajtjeve 75 vjeçare të popullit palestinez. “Më bën përshtypje – vëren Amal Jadou - që nga shumë anë bëhet thirrje për krijimin e korridoreve humanitare, të cilat, pavarësisht nga dobia e tyre, presupozojnë pashmangshmërinë e një lufte, por askush nuk po bën thirrje me forcë për armëpushim të menjëhershëm, përveç Papës Françesku”.
Nëse bashkësia ndërkombëtare do të arrinte të vendoste armëpushimin, sipas zv.ministres së jashtme palestineze, qeveria është gati të marrë përsipër përgjegjësinë për administrimin e Gazës. Përparësi, nënvizon ajo, “është ndalimi i shkallëzimit të dhunës së panevojshme të Izraelit, i cili mohon “të drejtën legjitime të palestinezëve për të pasur shtetin e tyre të lirë dhe të pavarur”.
E pyetur nëse kanë ndryshuar marrëdhëniet me Hamasin pas 7 tetorit, Amal Jadou përgjigjet: “Për ne, Hamasi është parti politike palestineze, që ndahet në një krah politik dhe një krah ushtarak. Parti, që ka përfaqësimin e saj elektoral. Pasi thashë këtë, nuk mendoj se është aktuale sot të shohim dallimet në gjirin e popullit palestinez. Kush ndodhet nën bombardimet pa kriter të Izraelit, në këtë kohë, nuk i vë në diskutim këto dallime. Si popull, ndihemi të bashkuar në ndjenjën e përbashkët të dhimbjes, zhgënjimit dhe indinjatës për të vuajturit. Megjithatë, dua t'ju kujtoj, për t'iu përgjigjur pyetjes suaj, se Organizata për Çlirimin e Palestinës është përfaqësuesja e vetme e ligjshme e popullit palestinez dhe se horizonti i dy shteteve mbetet objektivi ynë strategjik.
ytë e të gjithëve janë drejtuar kah Rripi i Gazës, por edhe gjendja në Bregun Perëndimor (Cisjordani) nuk është e mirë, denoncon zv.ministrja e jashtme palestineze. Vijon agresioni i përditshëm në Jenin, Nablus, Betlehem, Hebron e në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, me dhjetëra atentate, kryer nga izraelitët që nga 7 tetori. “Jemi veçanërisht të shqetësuar – pohon Amal Jadou - për praninë gjithnjë e më të shpeshtë, përkrah ushtrisë izraelite, të ekipeve të kolonëve të armatosur civilë, që kryejnë akte brutale nën vështrimin indiferent të ushtrisë. Po kështu, mbyllja e pikave kufitare pengon mijëra punëtorë palestinezë të shkojnë në punë, për të garantuar një minimum jetese në këtë kohë krize. Unë vetë, - denoncon ajo - pavarësisht nga statusi im diplomatik dhe qeveritar, jam mbyllur në Ramallah që prej 20 ditësh dhe nuk mund të bashkohem me familjen në Betlehem. Do të doja t’i bëja një thirrje Papës Françesku: për hir të autoritetit të tij moral të njohur, të ndjeshmërisë ndaj kauzës së të ligshtëve dhe të shtypurve, zëri i tij për armëpushimin e menjëhershëm është tejet i rëndësishëm sot”.