Kërko

 Forcat izraelite janë pozicionuar përgjatë kufirit me Gazën Forcat izraelite janë pozicionuar përgjatë kufirit me Gazën  (ANSA)

Sulmet izraelite në Gaza, Çisjordani e Siri. Mbyllet përsëri shtegu i Rafah

Hamasi flet për mbi 50 viktima shkaktuar nga bombardimet e Izraelit, që goditën edhe një xhami në Jenin si dhe aeroportet e Damaskut e të Halebit. Sulmet me raketa vazhdojnë në territorin izraelit, ndërsa është planifikuar edhe një sulm nga toka.

R. SH. - Vatikan

Mbrëmë, sipas Hamasit, bombardimet izraelite goditën objektiva të ndryshme në Gaza, duke vrarë më se 50 vetë. Bombardimet nuk munguan as mbi Cisjordaninë, mbi xhaminë al-Ansar në Jenin, me një numër prej katër të vdekurish, sipas agjencisë zyrtare palestineze Wafa. Ushtria izraelite pohoi se ka goditur një celulë të armatosur të Xhihadit islamik, që po planifikonte sulme të reja. Kështu, numri i të vdekurve në Bregun Perëndimor, që nga shpërthimi i luftës më 7 tetor, ka arritur në 90 vetë.

Përgatitje për pushtim tokësor

Sulmet izraelite përgatiten për pushtim tokësor, shpallur që në fillim të konfliktit të shkaktuar dy javë më parë nga sulmi i përgjakshëm i Hamasit. Dje, e shtunë, kryeministri Netanyahu mblodhi kabinetin e tij, ndërsa zëdhënësi i ushtrisë izraelite njoftoi se bastisjet do të rriten, duke shpjeguar nevojën për "reduktimin e rreziqeve mbi forcat izraelite në fazat e mëpasshme të konfliktit". Izraeli, i cili ndërkohë po grumbullon mijëra ushtarë në kufirin me Rripin, e paralajmëroi përsëri popullsinë palestineze  të lëvizë drejt jugut, në prag të operacionit tokësor.

Raketat e Hamasit mbi Izrael: alarm në Tel Aviv

Vazhdon edhe lëshimi i raketave të Hamasit kundër Izraelit. Sot sirenat e alarmit ranë në qendër të vendit dhe në zonën përreth Tel Avivit. Sipas autoriteteve izraelite, viktimat e shkaktuara nga Hamasi deri më sot janë mbi 1400, shumë prej të cilave u vranë të shtunën, më 7 tetor, gjatë sulmit të lëvizjes islamike, e cila ndërkohë jep numrin e saj të vdekjeve nga sulmet izraelite në Rrip: mbi 4300 viktima, kryesisht civilë. Deri tani, 212 persona janë mbajtur peng në Gaza, duke përfshirë izraelitë dhe të huaj, ndërsa dy të rrëmbyer dhe dy gra amerikane u liruan të premten, më 20 tetor.

Civilët e Gazës, të rraskapitur

Situata humanitare në Gaza, siç pasqyrohet nga agjencitë e OKB-së, është gjithnjë e më katastrofike. Të shtunën në mëngjes, përmes kalimit nëpër grykën Rafah me Egjiptin, tashmë e mbyllur sërish, mbërritën kamionët e parë me ndihma humanitare, por jo të mjaftueshme për popullatën, e cila prej dy javësh jeton nën rrethim. Koha, paralajmëron OKB-ja, "po skadon përpara se nivelet e vdekshmërisë të rriten për shkak të shfaqjes së sëmundjeve dhe mungesës së vazhdueshme të shërbimit shëndetësor"; palestinezët detyrohen të shuajnë etjen me ujë të papastër dhe i vetmi termocentral në territoret është shuar prej një jave, me paralizën pasuese të sistemeve të ujit dhe të kanalizimeve.

Tension në kufirin izraelito-libanez

Ndërkohë, tensioni vazhdon të rritet edhe në Izraelin verior, në kufirin me Libanin jugor, ku përleshjet mes ushtrisë izraelite dhe organizatës Hezbollah, aleate me Hamasin dhe e mbështetur nga Irani, vazhdojnë të intensifikohen. Në këtë zonë qytetet pranë kufirit u zbrazën si nga pala izraelite, ashtu edhe libaneze. Banorët ikën nga frika e shpërthimit të konfliktit. Sulmet izraelite nxorën jashtë përdorimit edhe dy aeroportet kryesore siriane: të Damaskut dhe të Halebit,  ku mbeti një i vrarë.

22 tetor 2023, 13:53