Nobeli për Paqen, aktivistes iraniane Narges Mohammadi
R.SH. – Vatikan
Ndërmjet 305 kandidaturave, nga të cilat një e treta ishin organizata, Çmimi Nobel për Paqen 2023 iu dha sot (6 tetor) iranianes Narges Mohammadi për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe për promovimin e të drejtave të njeriut e të lirisë për të gjithë. Çmimi i këtij viti njeh edhe impenjimin e "qindra mijëra njerëzve, që manifestuan kundër politikave diskriminuese dhe shtypëse të regjimit teokratik kundër grave", siç pohon Komiteti suedez në motivacionin e tij.
Mohammadi është ende në burg. Amnesty: kushte çnjerëzore
50-vjeçarja Narges Mohammadi mbahet arbitrarisht e arrestuar që nga maji 2016. Ajo ndodhet në burgun Shahr-e Rey në qytetin Varamin të provincës së Teheranit, ku, qëllimisht, i mohohet asistenca shëndetësore, në shenjë hakmarrjeje për fushatat e saj publike, si ajo kundër përdorimit të izolimit nëpër burgje dhe ajo, që kërkonte të dilte në pah përgjegjësia për qindra vrasje të paligjshme, gjatë protestave të nëntorit 2019. Narges Mohammadi u dënua me dhjetë vjet e tetë muaj burg, 154 goditje me kamxhik dhe dënime të tjera, në dy raste të veçanta, për shkak të veprimtarisë së saj për të drejtat e njeriut. Në fund të prillit 2022, autoritetet hetimore hapën një çështje të re. Organizata ndërkombëtare Amnesty International ka denoncuar shpesh kushtet mizore e çnjerëzore, në të cilat ajo mbahet në burg.
Inxhiniere dhe gazetare, vlerësuar edhe me çmimin Sakharov
Para se të burgosej, Mohammadi ishte zv.kryetare e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, tani, e mbyllur nga autoritetet e Iranit. Mohammadi punonte së bashku me fituesen e një Çmimi të mëparshëm Nobel për Paqen, Shirin Ebadi, edhe ajo iraniane, e cila e themeloi Qendrën. Ebadi u largua nga Irani pas rizgjedhjes së diskutueshme të presidentit Mahmoud Ahmadinejad në vitin 2009, që shkaktoi protesta të papara dhe përgjigje tejet të ashpra nga autoritetet. Inxhiniere me profesion dhe aktive si gazetare, në vitin 2018, Mohammadi u nderua me çmimin Sakharov. Por, në vitin 2022, u gjykua për pesë minuta dhe u dënua me tetë vjet burg dhe 70 goditje me kamxhik. Për të dhe për të burgosurit e tjerë politikë, gjatë javëve të kaluara, hyri në grevë urie aktivistja dhe avokatja e të drejtave të njeriut Nasrin Sotoudeh, edhe ajo e burgosur. Nga ana e tij, Bashkimi Evropian e ka dënuar fuqishëm persekutimin e Narges Mohammadi-t, duke i bërë thirrje Iranit të "respektojë detyrimet, që rrjedhin nga ligjet ndërkombëtare dhe të lirojë urgjentisht gruan iraniane, duke pasur parasysh edhe keqësimin e gjendjes së saj shëndetësore".