Kërko

Pas bombardimeve izraelite në Rafah Pas bombardimeve izraelite në Rafah

Françesku: të lirohen pengjet, të mos derdhet gjak i pafajshëm

Në një mesazh në faqen e tij @Pontifex, Papa i fton njerëzit të luten dhe të agjërojnë në Ditën kushtuar paqes në Tokën Shenjte: "Civilët nuk duhet të jenë viktima të konfliktit". Ipeshkvi ndihmës i Patriarkatit Latin të Jerusalemit, imzot William Shomali, bën të njohur gjendjen e refugjatëve të krishterë në famullinë e Gazës: kanë rezerva ushqimi dhe uji, por ka mungesë karburanti për të prodhuar energji elektrike. Kemi shpresë në Zotin

R.SH. – Vatikan

Ndërsa ushtria izraelite po përgatitet për fazat e ardhshme të luftës kundër Hamasit, sot e gjithë Toka Shenjte, së bashku me Kishat e botës, është mbledhur në lutje për paqen. Ftesën e Patriarkatit Latin të Jerusalemit, Papa e përsërit në një mesazh nga faqja e tij @Pontifex në rrjetin shoqëror X, duke kërkuar që dita e sotme t’i kushtohet “lutjes dhe agjërimit për paqen". Më pas, thirrja e fuqishme: "Të lirohen pengjet, civilët të mos jenë viktima të konfliktit, të respektohet ligji humanitar dhe të mos derdhet më gjak i pafajshëm".

Imzot Shomali: po ndihmojmë njerëzit në Gazë

Përsa u përket planeve ushtarake të Izraelit dhe aksionit të mundshëm tokësor në Gazë, sot, zëdhënësi ushtarak, Daniel Hecht, deklaroi se Tel Avivi nuk është prononcuar ende për to e opcionet janë të ndryshme. “Po përgatitemi - shpjegoi ai në një konferencë për shtyp - por nuk e kemi thënë ende cili është plani. Të gjithë flasin për ofensivë tokësore, por mund të jetë ndryshe". Sipas Programit Ushqimor Botëror të OKB-së, në dyqanet e Gazës ka mbetur ushqim i mjaftueshëm vetëm për 4-5 ditë. "Po ndjekim zhvillimet e ngjarjeve në Gazë dhe jetën e të krishterëve të famullisë latine orë pas ore", pohon ipeshkvi William Shomali, vikar i përgjithshëm i Patriarkatit Latin të Jeruzalemit, për Radio Vatikanin - Vatican News. "Po ndihmojmë njerëzit nëpërmjet agjencive humanitare dhe realiteteve të krishtera në vend, si Shërbimi Katolik dhe misioni papnor.

Rezervat po mbarojnë

Famullitarët e Gazës - pohon prelati - kanë një depozitë për ushqim dhe ujë, por u mungojnë paratë për t’ua dhënë organizatave e familjeve. Aktualisht, në famulli, janë strehuar 400-500 vetë dhe një numër i ngjashëm ndodhet në famullinë ortodokse. Të krishterë ka edhe në spitalin anglikan”. Në Gaza ka fondacione të krishtera, prandaj, përmes tyre mund të kujdesemi për ta, vazhdon imzot Shomali. “Ata hanë bashkë e u çojmë ujin të gjithëve”, tregon ai, duke shpjeguar se nuk ka mbetur shumë karburant dhe energji elektrike për të nxjerrë ujin nga nëntoka. “Në famullinë latine – shpjegon prelati – kemi një pus, nga i cili nxjerrim ujë, por vetëm kur ka elektricitet”. Shqetësimi është i madh. Nëse "bllokada e Gazës vazhdon - deklaron vikari i Patriarkatit - do të mungojnë edhe gjërat më të nevojshme. Deri tani, kemi pasur mundësi të gjejmë çka na nevojitet, por duke paguar çmime të larta: një shishe ujë, e cila më parë kushtonte 2 euro, tani kushton rreth 6 euro; është shumë për njerëzit. Për fat, herë blejmë e herë i marrim gjërat e nevojshme, si uji dhe ushqimi, falas nga agjenci të ndryshme, por jemi të shqetësuar për të ardhmen”.

Dita e Lutjes për Paqen

Sot, në të gjitha Kishat e botës kremtohet Dita e Lutjes për Paqen. "Besojmë dhe jemi të sigurt - pohon imzot Shomali - se Zoti na dëgjon gjithmonë dhe se feja lëviz malet. Do t'i kërkojmë Hyjit t'i japë fund luftës dhe të ketë paqe e drejtësi në vend të dhunës dhe hakmarrjes. Shpresojmë të arrihet armëpushimi dhe paqja në Gazë”.

17 tetor 2023, 16:14