Shoah, janë gjetur emrat e hebrenjve të mbrojtur nga institutet fetare të rregulltarëve në Romë
R.SH. / Vatikan
Një dokumentacion i pabotuar, me listën e atyre, kryesisht të fesë hebraike, që u mbrojtën nga persekutimet nazifashiste në Romë falë institucioneve kishtare të kryeqytetit italian që u ofruan strehim: ky është dokumentacioni që u gjet në arkivin e Institutit Papnor në Romë dhe u prezantua sot, më 7 shtator, gjatë seminarit të mbajtur në Muzeun e Holokaustit në Romë: “Të shpërtuarit. Hebrenjtë e fshehur në institutet fetare të Romës (1943-1944)”.
Lista e instituteve
Në atë kohë, ishin njëqind kongregata rregulltare femërore dhe 55 kongregata rregulltare meshkullore, thuhet në një deklaratë të Institutit Biblik Papnor, të Bashkësisë Hebraike të Romës dhe të Yad Vashem - lista e të cilëve, "së bashku me numrin përkatës të njerëzve që u strehuan prej tyre", është publikuar tashmë "nga historiani Renzo De Felice në vitin 1961, megjithatë dokumentacioni i plotë konsiderohej i humbur".
Listat e gjetura tani, vazhdon njoftimi për shtyp, “i referohen mbi 4300 personave, prej të cilëve 3600 janë identifikuar me emër”, prej tyre 3200 janë me siguri hebrenj, siç doli “nga krahasimi me dokumentet e ruajtura në arkivin e Bashkësisë Hebraike të Romës”.
Dhe pikërisht për këta të fundit dimë se ku ishin fshehur e edhe “rrethanat e caktuara, vendbanimet e tyre para përndjekjes”. Dokumentacioni, i cili aktualisht është i rezervuar, për arsye privatësie, vijon njoftimi për shtyp, "e rrit ndjeshëm informacionin mbi historinë e shpëtimit të hebrenjve në kuadrin e instituteve fetare të rregulltarëve dhe rregulltareve të Romës".
Studiuesit e përfshirë
“Dokumentacioni i gjetur – thuhet në njoftimin për shtyp – është përpiluar nga jezuiti italian At Gozolino Birolo midis qershorit 1944 dhe pranverës së vitit 1945, menjëherë pas çlirimit të Romës”. At Birolo ishte ekonom i Institutit Biblik Papnor "nga viti 1930 deri në vdekjen e tij, nga kanceri, në qershor 1945", kur Rektor i Institutit ishte jezuiti At Augustin Bea, i krijuar kardinal në vitin 1959, i cili u bë i njohur "për angazhimin e tij në dialogun hebraiko-katolik, sidomos, në kontributin për dokumentin e Koncilit II të Vatikanit, Nostra Aetate”.
Në njoftimin për shtyp përmenden më pas studiuesit e përfshirë në studimin e dokumenteve të reja: Claudio Procaccia, Drejtor i Departamentit të Kulturës së Komunitetit Hebraik të Romës, Grazia Loparco i Fakultetit Papnor të Shkencave Arsimore Auxilium, Paul Oberholzer i Universitetit Gregoriana dhe Iael Nidam-Orvieto, Drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Holokaustit Yad Vashem. Hulumtimi u koordinua nga Dominik Markl, i Institutit Biblik Papnor dhe i Universitetit të Innsbruck-ut, me Rektorin e Institutit Biblik Papnor, jezuitin kanadez Michael Kolarcik.
Pushtimi i Romës
Roma, përfundon njoftimi për shtyp me të dhëna historike, "u pushtua nga nazistët për nëntë muaj, duke filluar nga 10 shtatori 1943 derisa forcat aleate çliruan qytetin më 4 qershor 1944. Në atë periudhë, persekutimi i hebrenjve u karakterizua, mes tjerash, nga dëbimi dhe vrasja e pothuajse 2.000 njerëzve, duke përfshirë qindra fëmijë dhe adoleshentë, nga një komunitet prej rreth 10.000 – 15.000 anëtarësh”.