Kërko

 I Santi, vetrate I Santi, vetrate

Shenjtorët e javës më 1 – 8 tetor

E Diel më 1 tetor Kisha katolike romake kremton të Dielën e 26-të gjatë vitit liturgjik, ciklit të parë 'A', e po më 1 tetor, sipas kalendari kishtar bie përkujtimi i shën Terezës së Jezusit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve.

R.SH. - Vatikan

E Diel më 1 tetor,  Kisha katolike romake kremton të Dielën e 26-të gjatë vitit liturgjik, ciklit të parë 'A', e po më 1 tetor, sipas kalendari kishtar bie përkujtimi i shën Terezës së Jezusit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve.

Të hënën më 2 tetor, bie festa e Engjëjve të Rojës. Kjo e kremte na kujton se Zoti dërgon engjëjt e tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë. Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak jashtë radhëve të saj

Të martën më 3 tetor, bie përkujtimi i shën Dionizit Areopagitë e shën Gerardit nga Brogne.

Të mërkurën më 4 tetor, kalendari përkujton shën Françeskun e Asizit, themeluesin e Urdhrit të françeskanëve, i mirënjohur dhe i nderuar në trevat shqiptare. Festa e shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet dhe njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.

Të enjten më 5 tetor, kalendari përkujton Shën Plaçidin e shën Maurin, dishepuj të shën Benediktit, dhe shën Maria Faustina Kovalskën, shpallur shenjte nga Papa Gjon Pali II.

Të premten më 6 tetor, kalendari përkujton Shën Brunon nga Kalabria, meshtar, themelues i Çertozinëve.

Të shtunën, më 7 tetor bie festa e Zojës Rruzare, festë shumë e përzemërt për besimtarët katolikë shqiptarë. Kujtojmë se në trevat shqiptare ka disa Tempuj që i kushtohet Zojës së Bekuar Rruzare, po përmendim atë në Shkodër Kishën te Arra e Madhe dhe Kishën famullitare në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, në Kosovës e në vende tjera.

Po më 7 tetor, kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Sergjin e Bakun, martirë, shumë të nderuar nga populli shqiptar, të cilëve u kushtohet edhe një nga Kishat më të lashta në Shqipëri, jo larg qytetit të Shkodrës, pranë fshatit Shirq, ku lumi Drin bashkohet me Bunën. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI për nderim ndaj dy martirëve, emrat e të cilëve në shqip morën trajtat Shën Shirqi e Shën Bahti.

Të dielën e ardhshme më 8 tetor, Kisha katolike romake do të kremtojë të dielën e 27-të gjatë vitit kishtar,ciklit të parë 'A'. e gjithnjë më 8 tetor, kalendari kishtar përkujton shenjtoret Benedikta e Pelageja, virgjëra e martire; shën Feliçin e shën Ugon.

30 shtator 2023, 16:57