Kërko

 Vetrate delle Chiese gotiche Vetrate delle Chiese gotiche

Shenjtorët e javës 10-16 shtator

E diel 10 shtator, Kisha kremton të Dielën 23-të sipas vitit kishtar 'A'. Po më 10 shtator, kalendari kishtar kujton shën Nikollën Tolentino, meshtar rregulltar agostinian. Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu 18,15-20 vë në pah tre momente në të cilët duhet të realizohet korrigjimi vëllazëror: biseda vëllazërore me tjetrin, korrigjimi në praninë e dy a tre dëshmitarëve, njoftimi i Komunitetit. Mateut na fton të korrigjojmë për të nxitur drejt së mirës, për të ndërtuar, për të krijuar harmoninë

R.SH - Vatikan

E diel 10 shtator, Kisha katolike romake kremton të Dielën 23-të të kohës liturgjike sipas vitit kishtar 'A'. E po më 10 shtator, kalendari kishtar përkujton edhe shën Nikollën Tolentino, meshtar rregulltar agostinian.

Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu 18,15-20 vë në pah tre momente në të cilët duhet të realizohet korrigjimi vëllazëror: biseda vëllazërore me tjetrin, korrigjimi në praninë e dy a tre dëshmitarëve, njoftimi i Komunitetit, i cili është i ftuar t’i marrë vendimet e përshtatshme. Mirëpo, në të tri rastet, Ungjilli i Mateut, na fton të korrigjojmë për të nxitur drejt së mirës, për të ndërtuar, për të krijuar harmoninë, jo për të thënë se cila është e vërteta e për të ndarë a përçarë. E vërteta pa dashuri nuk është ungjillore.  Pastaj mos të harrojmë se gjykimi i Kishës nuk është përfundimtar: kjo punë i takon vetëm Zot.

Të hënën më 11 shtator,  kalendarit kishtar përkujton shenjtorët Proto e Gjaçinto, martirë dhe të Lumin Bonaventura nga Barcelona, rregulltar françeskan.  Liturgjia e ditës na kujton se nganjëherë, për të bërë vepra të mira, duhet shumë guxim: ka njerëz që nuk kanë guxim të pendohen dhe u krijojnë pengesa atyre që bëjnë vepra të mira. Shenjtorët, duke u përpjekur t’i ngjasin Krishtit, kanë qenë gjithnjë njerëz të guximshëm.

Të martën më 12 shtator, kremtohet festa e Emrit të Shenjtë të Virgjërës Mari, si dhe përkujtohet shën Guido nga Brabanti e Shën Silvani i Veronës.  Emri i Zojës Mari na kujton se nuk mund të quhemi ndjekës të Krishtit, në se nuk jemi edhe njerëz të uratës. Jezusi kalonte net të tëra në lutje, duke na mësuar të vërtetën se bota kthehet në rrugën e Zotit ‘me gjunjë’.

Të mërkurën më 13 shtator, kalendari përkujton shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i Kishës, këndues i mrekullueshëm i lavdisë së Zotit.  Liturgjia e ditës na kujton se revolucionari më i madh që njeh historia është Jezusi: duke shpallur Ungjillin, në mënyrë të veçantë ‘Lumnitë’, Krishti revolucionarizoi mendësinë e mbarë popujve dhe vuri në jetë një ligj të ri

Të enjten më 14 shtator, Kisha katolike kremton festën e Naltimit të Kryqit të Shenjtë të Jezu Krishtit, siç njihet tek popullit shqiptar, festën e Shëna Kryqit, e po në këtë datë përkujton edhe shën Albertin, patrik të Jerusalemit. 

Festa e Naltimit të Kryqit të Shenjtë kremton një fakt historik të epokës së perandorit Kostandinit e nënës së tij Helenes, kur qe zbuluar mbi Golgotë në Jerusalem, Kryqi, mjeti i vdekjes së Krishtit. Ky Kryq i Krishti gjendet në Bazilikën e Jerusalemit. Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar, shëlbon gjithësinë dhe njerëzimin. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit të gjithëve na është dhuruar jeta e amshuar. 

Të premten më 15 shtator, kalendari kishtar do të kremtojë një nga festat më prekëse që ka për zemër populli besimtar katolikë, atë të Zojës së Dhimbshme . Në dhimbje, më ndihmo, o Zot. Martire megjithëse pa vdekur është Maria nën kryqin e të Birit. Nga shkatërrimi e dhimbja do të vijë ngjallja; në vend të Birit të humbur, do të ketë një mori e madhe besimtarësh në Krishtin.

Të shtunën më 16 shtator, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Kornelin papë e Çiprianin ipeshkëv e martirë, Eufemian, martire dhe Vitorin, papë. Liturgjia e ditës na kujton se ta jetosh e ta kumtosh Ungjillin, shpesh herë do të thotë t’i kundërvihesh kulturës në të cilën jeton. Na shtyn të mos pranojmë atë që duket se e pranojnë të gjithë e na kujton se, ndryshe nga të tjerët, ne nuk i pranojmë kënaqësitë dhe pushtetin e kësaj bote, në të cilën jemi shtegtarë që ecin drejt një bote më të mirë

Të dielën e ardhshme më 17 shtator Kisha katolike romake do të kremtojë të dielën e 24-të gjatë vitit kishtare 'A'., e gjithnjë më 17 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Robert Belarminin,  kardinal jezuit e dijetar i Kishës.

Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu (Mt 18, 21-35) Jezusi i thotë Pjetrit se duhet t’i falë fyerjet jo shtatë herë, po shtatëdhjetë herë shtatë. E pse u dashka të falim dikë, që na ka bërë keq? Shëmbëlltyra ungjillore na thotë pikërisht këtë: ashtu si Zoti na fal ne, ashtu edhe ne duhet t’i falim ata, që na bëjnë keq. E kërkojmë përditë këtë, me lutjen e “Atynës”, kur themi: “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë!”.

10 shtator 2023, 08:29