Robert Schuman: kur gjeniu politik përkon me qiellin
R.SH. - Vatikan
Që Evropa të rigjejë shpirtin e saj! Gjatë dhjetë viteve të fundit, Papa argjentinas e nxiti vazhdimisht Kontinentin e Vjetër të rikthehet në ëndrrën e Etërve Themelues. "Në Parlamentin Evropian mora guximin të flas për 'gjyshen Evropë'. U thashë eurodeputetëve se në shumë vende po rritej përshtypja e përgjithshme për një Evropë të lodhur dhe të moshuar, sterile, pa gjallëri, vend ku idealet e mëdha, të frymëzuara, duket se kanë humbur forcën e tyre tërheqëse; një Evropë në rënie, që duket se nuk është më e aftë për të krijuar". Kështu u shpreh Papa Françesku teksa merrte çmimin “Karli i Madh” në Aachen, në Sallën Mbretërore të Pallatit Apostolik, më 6 maj 2016. Një ëndërr origjinale evropiane, plazmuar nga Alcide de Gasperi, Konrad Adenauer dhe Robert Schuman, triptik shtetarësh të gjallëruar nga feja e thellë e krishterë, që i nxiti të meditonin dhe të luteshin në një kuvend benediktin në Rhine, përpara se të nisnin bisedimet paraprake të Traktatit të Parisit më 1951.
Papa Françesku e shpalli Robert Shumanin (1886-1963) të Nderuar të Kishës. Në qershor të vitit 2021, botoi një dekret, duke njohur virtytet e tij heroike e duke i hapur rrugën e lumnimit këtij njeriu, që pajtoi Francën me Gjermaninë. Në fjalimet e shumta publike, Papa ka përsëritur dëshirën që fryma e Deklaratës Schuman të frymëzojë liderët e sotëm të Bashkimit Evropian.
Shekulli i një evropiani
I lindur më 29 qershor 1886, në solemnitetin e Shën Pjetrit dhe Palit, në Dukatin e Madh të Luksemburgut, Robert Schuman që në moshë të re frymëzohej nga një kozmopolitizëm i jashtëzakonshëm evropian. Robert Schuman lindi në Gjermani, nga një baba francez, gjuha amtare e të cilit ishte luksemburgase, që u bë gjermane me aneksimin e një pjese të Lorenës, dhe nga një nënë luksemburgase, gjermane nga martesa. Studioi në Dukatin e Madh, ku mësoi gjuhën e Molierit. Karriera e tij politike filloi në moshën 33-vjeçare, në vitin 1919, kur, pas Luftës së Parë Botërore, u zgjodh deputet i Moselit. Gjatë mandatit të tij, mbështeti Konkordatin me Selinë e Shenjtë dhe mbrojti drejtësinë sociale.
Veprimtaritë e tij u ndërprenë nga Lufta II Botërore. I arrestuar dhe i burgosur nga Gestapo nga shtatori 1940 deri në prill 1941, u arratis dhe qëndroi i fshehur deri në fund të konfliktit, duke u strehuar sidomos ndër kuvende, si Trappe de Notre-Dame des Neiges. Pasi u kthye paqja, ishte ministër i Jashtëm francez nga viti 1948 deri në 1952.
Feja, erudicioni dhe angazhimi politik
Dëshmi e kuptimit të saktë të së mirës së përbashkët dhe detyrës së shtetit, është shkrimi i tij i asokohshëm, në të cilin theksohet: "Jeta pa përgjegjësi politike është sigurisht më e lehtë, veçanërisht në çrregullimin aktual. Por askush nuk ka të drejtë t'i shmanget detyrave të veta, sot më pak se kurrë. Shëndeti im është i mirë, pavarësisht sulmeve të lodhjes që jo gjithmonë shpjegohen me punën e bërë. Por shpresoj të jem në gjendje të plotësoj të gjitha kërkesat e arsyeshme. Për këtë ia besoj veten Provanisë".
Latinist, helenist dhe njohës i Shën Agustinit, Robert Schuman ia kushtoi jetën idealit humanist kristian evropian. Me besim të sinqertë, të rrënjosur në lutje dhe në Ungjill, Pali VI e përshkroi arkitektin e Traktatit të Romës si "pionier i palodhur i një Evrope të bashkuar". Pjesëmarrja e tij e përditshme në Eukaristi, në heshtje e meditim të thellë, ngjalli habinë dhe admirimin e të gjithë atyre që e takuan. Sa herë që mundte, gjunjëzohej para të Shenjtnueshmit Sakrament dhe rrëfehej. Njeri i lutjes personale dhe liturgjike, e kremtonte rregullisht Liturgjinë e Orëve. Shtegtarë për paqen dhe zhvillimin në Evropë, në vitin 1958, Robert Schuman, kryetar i Lëvizjes Evropiane, u zgjodh njëzëri kryetar i parë i Parlamentit të ri Evropian. Në vitin 1959, i goditur nga simptomat e para të sklerozës cerebrale, hoqi dorë nga angazhimet e tij.
Shenjt, me kostum e kravatë
Shën Injaci i Lojolës do ta kishte quajtur soditës në veprim. Ndoshta sepse Schuman e konsideroi angazhimin e tij politik si mision. Pak e dinë se ai donte të hynte në seminar për t'u bërë prift. Mendohet se shoku i tij më i mirë i pati thënë në atë kohë: "Sot na duhen shenjtorë me kostume".
Homazhe në Metz
Këtë vit janë planifikuar disa kremtime eukaristike për të kujtuar përvjetorin e tij. Në Bruksel, sot, 4 shtator, u çua një meshë në Kapelën për Evropën, kremtuar nga At Sowa dhe nga At Manuel Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm i COMECE që bëri homazhe për babain e unitetit evropian më 2 shtatorin e kaluar në katedralen e Saint-Étienne, ku Schuman pushon në paqe. Në vitin 1963, ipeshkvi i atëhershëm i Metz-it, imzot Paul-Joseph Schmitt, e përmblodhi jetën e politikanit me këto fjalë: "Ashtu si madhështia e ashpër e katedrales së dioqezës sonë i mahnit ata që e shohin për herë të parë, ndershmëria dhe integriteti themelor i të ndjerit tonë ngjall admirimin në mbarë Botën. Shkëlqimi i pakrahasueshëm i vetratave të kësaj kishe, që quhet feneri i Zotit, na kujton vështrimin e tij të tejdukshëm plot pastri. Robert Schuman synonte të ishte ndërtues i madh, urë, njeri i takimeve vëllazërore dhe i dialogut të frytshëm ndërmjet popujve shpesh kundërshtarë. Apostull i pajtimit dhe i paqes".
Po kujtojmë vetëm disa nga kremtimet eukaristike për këtë përvjetor. Në Bruksel, sot, 4 shtator, u çua një meshë në Kapelën për Evropën, e kremtuar nga At Sowa dhe nga At Manuel Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm i COMECE. Mdërsa më 2 shtatorin e kaluar, në zonën e Moselës, dioqeza e Metz bëri homazhe për babain e Unitetit evropian në katedralen e Saint-Étienne, ku Schuman pushon në paqe.
Në vitin 1963, ipeshkvi i atëhershëm i Metz-it, Imzot Paul-Jose Schmitt, e përmblodhi jetën e politikanit me këto fjalë:
"Ashtu si madhështia e ashpër e katedrales së dioqezës sonë i mahnit ata që shkelin këtu për herë të parë, ndershmëria dhe integriteti themelor i të ndjerit tonë ngjall admirimin e mbarë Botës, që e kujton si njeri i takimeve vëllazërore dhe i dialogut të frytshëm ndërmjet popujve, apostull i pajtimit dhe paqes".