Kërko

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kosovë, Edi Rama: kërkojmë dënim të vendosur nga ana e Bashkimit Evropian

Kryeministri i Shqipërisë ndodhet këto ditë në Romë e sot, mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm italian, Antonio Tajani. Gjatë saj, ai i "kërkoi BE-së ta ngrejë alarmin demokratik në nivelet më të larta dhe të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për t'i dhënë përgjigjen e duhur mesazhit të papranueshëm të Beogradit”, i cili ka deklaruar ditë zie kombëtare në Serbi, pas episodit të së dielës

R.SH. – Vatikan

Në dritën e shkallëzimit të dhunës, që ka përgjakur edhe një herë Kosovën, kryeministri shqiptar Edi Rama i kërkoi Brukselit të mbajë qëndrim të vendosur kundër atyre, që i konsideron "përgjegjës për rikthimin e terrorit" në shtetin ballkanik me shumicë shqiptare. Vdekja e policit kosovar në përleshjet e armatosura të së dielës - një nga incidentet më të rënda me armë në veri të Kosovës, gjatë viteve të fundit - sipas kryeministrit shqiptar, “u provokua qartësisht nga ata, që kanë interes ta çojnë Kosovën drejt terrorit”. Kryeministri i Shqipërisë ndodhet këto ditë në Romë e sot, mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm italian, Antonio Tajani.

“Kriminale dhe e papranueshme”

Çka ndodhi, sqaroi Rama, ishte “kriminale dhe e papranueshme”. “I kemi kërkuar BE-së ta ngrejë alarmin demokratik në nivelet më të larta dhe të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për t'i dhënë përgjigjen e duhur mesazhit të papranueshëm të Beogradit”, i cili ka deklaruar ditë zie kombëtare në Serbi, pas episodit, që shkaktoi vdekje e plagosje edhe ndër anëtarët e grupit të armatosur pro-serb.

“Koha për ta dënuar me zë të lartë ngjarjen në veri të Kosovës”

Pasi e gjykoi zinë kombëtare si "sinjalin më të keq, që Serbia mund t'i japë në këtë çast gjithë BE-së", kryeministri i Shqipërisë theksoi se "derisa të mos ketë një deklaratë të dytë të BE-së (pas asaj të 19 shtatorit) mbi ndodhitë e fundit, nuk do të ndjekim linjën e deklaratës së parë”. “Pavarësisht se ç’bën Serbia – përfundoi Rama – nuk do të heqim asnjë ‘presje’ nga kërkesat, që Bashkimi Evropian do t’i bëjë Kosovës”, në atë masë me të cilën Brukseli do ta njohë peshën e incidentit të armatosur. “Kjo është koha për ta dënuar me zë të lartë ngjarjen në veri të Kosovës”, vërejti kryeministri shqiptar, duke e cilësuar zinë e shpallur nga Beogradi si “të papranueshme”.

Tajani: gati të rrisim praninë e KFOR-it në Kosovë

U pronocua edhe ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili nënvizoi se Italia e ka dënuar gjithnjë dhunën në Kosovë. “Ne punojmë për paqen dhe stabilitetin në atë rajon – nënvizoi ai. - Kam biseduar me kryeministrin kosovar Kurti dhe me presidentin serb Vuçiq. U ritheksova se Italia është e gatshme të vlerësojë hipotezën e përforcimit të pranisë së KFOR-it e, për këtë, kam folur edhe me ministrin [e mbrojtjes, Guido] Crosetto. Puna e ushtarëve tanë vlerësohet nga të gjithë dhe ne duam të shmangim aksidente e viktima të reja”. "Zgjidhja – përfundoi Tajani - nuk është kurrë lufta, por diplomacia. Dhuna sjell dhunë dhe dialogu sjell dialog. Do të bëjmë gjithçka mundemi për ta rifilluar dialogun".

27 shtator 2023, 15:24