Kërko

Gesù Cristo, Vangelo della XXIV domenica anno A Gesù Cristo, Vangelo della XXIV domenica anno A

Fjala e Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu Jezusi i thotë Pjetrit se duhet t’i falë fyerjet jo shtatë herë, po shtatëdhjetë herë shtatë. E pse u dashka të falim dikë, që na ka bërë keq? Shëmbëlltyra ungjillore na thotë pikërisht këtë: ashtu si Zoti na fal ne, ashtu edhe ne duhet t’i falim ata, që na bëjnë keq. E kërkojmë përditë këtë, me lutjen e “Atynës”, kur themi: “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë!”.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të meshës së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë 'A', sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Në qendër të Fjalës së Zotit të kësaj së diele është FALJA. “Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh mëkatet tua do të falen”, pohon Leximi I nga Libri i Siracidit (Sir 28,2). Në fragmentin e Ungjillit nga Mateu (18,21-35), Jezusi i thotë Pjetrit se duhet t’i falë fyerjet jo shtatë herë, po shtatëdhjetë herë shtatë. E pse u dashka të falim dikë, që na ka bërë keq? , mund të pyesim, për t’u përgjigjur menjëherë: sepse ne të parët jemi falur e shumë herë më tepër.

“Nuk të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë”: kjo është këshilla që Jezusi ia thotë Pjetrit, i cili e pyeste se sa herë ishte e drejtë të falte. Krishti, në Ungjillin e kësaj sё diele, na tregon shëmbëlltyrën e pronarit që i fal borxhin shërbëtorit të vet, i cili, nga ana e tij, nuk tregon po të njëjtën mëshirë për një tjetër, që i kishte borxh. Ky fragment ungjillor reflekton mbi mëshirën e Zotit dhe mbi forcën e faljes.

Falja është mënyra me të cilën fiton Zoti. Falja është shenja e dashurisë së paskajshme të Zotit që na le të lirë për t’u larguar, por Ai e pret kthimin tonë gjithmonë. E kur një person e përjeton gëzimin e faljes, nuk mund të mos ia dhurojë faljen edhe tjetrit.

Duhet t’i rezistojmë tundimin për të mos e mbyllur zemrën tonë ndaj atij që na ka fyer dhe kërkon faljen tonë e, të mos harrojmë se falja nuk e mohon padrejtësinë a fyerjen e pësuar por e konsideron njeriun, të krijuar në shëmbëllim të Zotit, dhe ripohon se njeriu është gjithmonë më i madh se e keqja që bënë.

Në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu (Mt 18, 21-35), Jezusi na tregon shëmbëlltyrën e mbretit të mëshirshëm dhe të shërbëtorit të pashpirt, në të cilën rrëfehet jokoherenca, pandershmëria e atij që i pari është falur e pastaj refuzon të falë të afërmin. Sjellja jokoherente e këtij shërbëtori është edhe sjellja jonë njerëzore, kur refuzojmë t’i falim vëllezërit tanë. Ndërsa mbreti i shëmbëlltyrës ungjillore është imazhi i Zotit që na do me një dashuri kaq të pasur me mëshirë sa të na pranojë, duaj dhe falë vazhdimisht.

Kushdo që ka përjetuar gëzimin, paqen dhe lirinë e brendshme, që vjen nga falja që ka përjetuar, edhe ai mund t’i hapet mundësisë për të falur të tjerët. Në lutjen e Atynë-s, Jezusi e ka vendosur pikërisht mësimin e kësaj shëmbëlltyre, duke vënë në lidhje të drejtpërdrejtë faljen që ia kërkojmë Zotit, me faljen që duhet t’ua ofrojmë vëllezërve tanë. 

                                                        Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   Sir 27, 30 – 28, 7

Lexim prej Librit të Siracidit

Kush e zbaton synimin e mbrapshtë, mbi të ai kthehet e nuk e di se nga i ka ardhur. Përqeshja e poshtërimi s’i ndahen krenarit dhe hakmarrja i rri në pritë si luani. Në lak do të bien ata që i gëzohen rënies së të drejtëve, para se të vdesin, dhimbat do t’i shkrijnë. Hidhërimi dhe urrejtja njënjë janë të urrejtshme, të dyja në zemër i ndryen mëkatari. Kush do të hakmerret, do të gjejë hakmarrje prej Zotit e mëkatet e tija gjithmonë i ruan para sysh. Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen. Njeriu që mban hidhërim kundër njeriut, si mund të kërkojë prej Hyjit shërim?! S’ka mëshirë për njeriun, të ngjashmin e vet, e këndej lutet t’i falen mëkatet e tija?! Ai, vdekatar, mban në zemër hidhërim, e lyp që Hyji të jetë me të i dhimbshëm?! Kush do të lutet për fajet e tija?! Le të bjerë në mend mbarimi yt e pusho të urresh; kujto shkatërrimin e vdekjen dhe mbaj urdhërimet. Fjala e Zotit.

Pslami 103

Ref: Zoti është i mirë e i madh në dashuri

——————————————-

Bekoje, shpirti im, Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im, Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

——————————————-

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

——————————————-

Sepse mirë e di si jemi të përbërë,

s’e harron se ne jemi pluhur.

Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona,

as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

——————————————-

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,

aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë. 

Sa është lindja larg perëndimit,

aq larg i tret prej nesh fajet tona.

——————————————-

 

Leximi i dytë   Rom 14, 7-9

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, në të vërtetë, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete, dhe asnjëri nuk vdes për vete. E njëmend, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, e nëse vdesim, vdesim për Zotin. Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim, jemi të Zotit. Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve dhe i të gjallëve. Fjala e Zotit.

 

Aleluja: Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti:

duani njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha juve.: Aleluja

 

Ungjilli   Mt 18, 21-35

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Pjetri iu afrua Jezusit dhe e pyeti: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?” Jezusi iu përgjigj: “Nuk po të them shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë! Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. Kur filloi të bëjë llogari, ia sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. E, pasi nuk kishte t’i kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ Edhe zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.  Porse, shi ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të vetin, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti për fyti duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ Atëherë i ra ndër këmbë shoku i tij dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ Por ai nuk deshi dhe shkoi e e shtiu në burg deri të kthente detyrimin. Kur shërbëtorët tjerë – shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ngjau. Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthejë tërë detyrimin. Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj”. Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XXIV GJATË VITIT: KËSHTU DO TË BËJË ME JU EDHE ATI IM QIELLOR!

(Sir 27, 27 – 28, 7; Ps 103 (102); Rom 14, 7-9; Mt 18, 21-35)

Sa herë që lexoj pjesën e Ungjillit të sotëm, më vjen e vetvetishme t’i bëj vetes këtë pyetje: «Nëse çdo herë që rrëfehem jam i sigurtë se Zoti m’i fal mëkatet, sado të rënda ato mund të jenë, a kam mësuar ndonjë gjë nga e gjithë kjo që, edhe unë, të jem i mëshirshëm me të tjerët?»

Në leximet e sotme liturgjike jemi të ftuar, pra, të meditojmë më nga afër për mëshirën e pakufi të Hyjit ndaj nesh dhe, pikërisht për këtë arsye, edhe ne të dimë ta falim njëri-tjerin. Në leximin e parë, rabini i mençur, Siracidi, thotë: «Falja padrejtësitë të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen!» E më poshtë i argumenton teolo­gjikisht fjalët e veta: «Njeriu që mban hidhërim kundër njeriut, si mund të kërkojë prej Hyjit shërim? S’ka mëshirë për njeriun, të ngjashmin e vet, e këndej lutet t’i falen mëkatet e tija?! Ai, vdekatar, mban në zemër hidhërim e lyp që Hyji të jetë me të i dhimbshëm?!» E psalmi saktëson se Hyji na fal jo sepse e meritojmë, por ngaqë Ai ka një mëshirë të pamasë: «Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona, / as nuk na shpagon sipas të këqijave tona. / Sepse sa është lartësia e qiellit me tokë, aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë».

Edhe Jezusi ngul këmbë në Ungjillin e sotëm në këtë “tepri” mëshire që duhet të kemi ndaj njëri-tjetrit. Kur Shën Pjetri i bën pyetjen: «Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë», Jezusi i përgjigjet: «Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë?». Na duket interesante “bujaria” që tregon Pjetri kur pyet nëse duhet të falim deri në shtatë herë, kur e dimë mirë se ne njerëzit e kemi të vështirë të falim qoftë edhe vetëm dy herë të njëjtën fyerje. Por është teologjikisht shumë më interesante përgjigja e Jezusit. Në Besëlidhjen e Vjetër, njëri prej pasardhësve të Kainit, Lameku, duke dashur të tregonte se sa i drejtë ishte, thoshte këto fjalë: «Dëgjoni zërin tim: vrava njeriun pse më pat plagosur, edhe një djalosh pse më pat rënë. Kaini do të hakmerret shtatëfish, kurse Lameku shtatëdhjetë herë shtatë.» (Zan 4, 23-24) Janë fjalë që dëshmojnë se si, e keqja e filluar me Kainin kur vrau të vëllanë e tij, tashmë ishte bërë kulturë urrejtjeje dhe ishte trashëguar brez pas brezi ndër pasardhësit e tij. Madje ajo ishte shumëfishuar. Prandaj Jezusi përdor shifrën «shtatëdhjetë herë shtatë», por jo më në lidhje me hakmarrjen, por në lidhje me faljen, në mënyrë që edhe ajo të krijojë ndër breza kulturën e faljes. Kështu, mekanizmit të së keqes së urrejtjes së shkaktuar nga vëllavrasësi Kain, i përgjigjet mekanizmi i faljes së shkaktuar nga Jezusi, Biri i Hyjit që dhuroi vetveten për ne. Kështu, i krishteri që zhytet në jetën me Krishtin me anë të pagëzimit, bashkëpunon me Krishtin për ta çaktivizuar këtë mekanizëm urrejtjeje në botë e për të aktivizuar mekanizmin e dashurisë e të faljes. Sa të forta dalin, atëherë, fjalët e Shën Palit që dëgjuam në leximin e dytë: «Vëllezër, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete dhe asnjëri prej nesh nuk vdes për vete... Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim, jemi të Zotit.» E, vetëm duke qenë krejtësisht të Zotit, mund të kuptohet logjika e “teprisë” së faljes që Jezusi kërkon sot në Ungjill.

Se ne jemi të thirrur të mësojmë të jemi të mëshirshëm nga fakti se Hyji është i mëshirshëm, Jezusi e shpjegon duke treguar shë­mbëlltyrën që dëgjuam. Bëhet fjalë për një njeri që i kishte borxh mbretit një shumë kolosale prej «dhjetë mijë talentash». Talenti ishte një shumë tejet e madhe paraje. Një talent ishte i barazvlefshëm me pagën e gjashtë mijë ditëve punë. E llogaritur në vite, shkonte diku rreth njëzet vite rrogë normale. E ky njeri i kishte boxh mbretit «dhjetë mijë talente». Kështu kuptohen edhe fjalët e mbretit që, i indinjuar, «dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e t’i kthehej detyrimi», sepse bëhej fjalë për shuma marramendëse. Të mos na çudisë një tepri e tillë shifrash: sot do të thonim se bëhej fjalë për ndonjë biznesmen tejet fuqishëm që ka shkuar në pikën e fali­mentimit dhe është zhytur në borxhe ndaj shtetit. Por mbreti ve­ndosi që t’i vinte në ndihmë edhe një herë kur ky iu lut: «Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha». Jo vetëm që ia shtyu borxhin, por ia fali krejtësisht atë: «Zotëria pati dhimbë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.» Një situatë vërtet mbytesë ajo ku gjendej ky borxhli i pakujdesshëm, por që u zhbllokua nga mëshira e mbretit që ia fali të gjitha.

Por e çuditshmja vjen pikërisht këtu, sepse ky borxhli nuk mësoi asgjë nga tërë ajo mëshirë që u tregua ndaj tij: «U takua me një shok të vetin që i kishte detyrim njëqind denarë dhe, si e zuri, ia ngjiti për fyti duke i thënë: “Ma kthe detyrimin!”». Lutjet e borxhliut të vet që të kishte durim me të, ai nuk i mori aspak parasysh dhe e futi atë në burg. Sot do të thonim se e hodhi në gjyq dhe e fitoi atë. E pra, njëqind denarë ishte vetëm njëqind ditë pune, në një rrogë mesatare.

Nuk kishte si të mos i shkonte në vesh mbretit një ngjarje e tillë, duke e imagjinuar se sa shumë bujë mund të kishte bërë në oborrin mbretëror mëshira e madhe që mbreti kishte treguar ndaj këtij njeriu. Prandaj mbreti e thirri sërish dhe i tha: «Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse unë pata mëshirë ndaj teje?» E Ungjilli vazhdon: «Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthejë tërë detyrimin.» E Jezusi komentoi pa i zbutur aspak tonet: «Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im në qiell, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë e tuaj.» Biri i Hyjit e vulos me autoritetin e Tij tërë shpjegimin e kësaj shëmbëlltyre dhe ne do të gabonim shumë nëse do të përpiqeshim ta zbusnim me stërhollimet tona. Po t’u besoheshim stërhollimeve tona, me siguri edhe atë pjesën e lutjes Aty ynë që thotë «Na i fal fajet tona, si ua falim ne fajtorëve tanë», do ta ndryshonim në «Na i fal fajet tona, edhe nëse nuk i falim ne fajtorët tanë».

Por ndoshta gjithë këtë shtrembërim ne e bëjmë ngaqë nuk e mendojmë se sa seriozisht e merr Hyjit faljen e mëkateve tona. Ai e merr aq seriozisht, saqë i fshin ato krejtësisht nga jeta jonë. Në jetën e Shën Antonit të Padovës u bë i famshëm rasti i një djaloshi që shkoi të rrëfehej tek Shenjti dhe i dorëzoi atij një letër ku kishte shkruar mëkatet e tij, të cilat nuk arrinte t’i thoshte me gojë nga përmallimi i thellë që kishte. Shenjti, pasi e lexoi atë letër, ia kthehu atë djaloshit krejtësisht të bardhë. Zoti kishte bërë mrekullinë që t’i fshinte rreshtat, për t’i treguar këtij biri të vet se po ia falte mëkatet e shumta, ngaqë ishte penduar sinqerisht.

Gjithë këtë pastërti të shpirtit, pra, ne mund ta humbasim nëse nuk përpiqemi ta falim «me gjithë zemër» njëri-tjetrin. Prandaj çuditet, me të drejtë, Siracidi: «Ai, vdekatar, mban zemërim, e lyp që Hyji të jetë me të i dhimbshëm.» Patjetër që na duhet të mbajmë qëndrime në jetë ndaj disa situatave e ndaj disa njerëzve, por kjo s’do të thotë se duhet të bëjmë luftë. Kur Jezusi flet për faljen, nuk e ka fjalën edhe aq për ndjeshmërinë tonë e cila, me të drejtë, mund ta ketë të vështirë t’i kapërdijë disa lëndime, të paktën për një farë kohe, por e ka fjalën për vendimet që ne marrim me dashje ndaj njëri-tjetrit: a duam ta trashëgojmë e ta përhapin urrejtjen, apo duam ta shuajmë atë me teprinë e dashurisë që na ka mësuar Zoti? Nëse duam të qëndrojmë në urrejte, me ç’të drejtë kemi pretendimin që t’i afrohemi Zotit, i cili është Dashuria dhe «e Mira e pambaruar», siç themi te Puna e pendimit?!

«Nëse dëshiron të duash vërtet, duhet të mësosh të falësh!», thoshte Shenjta Nënë Tereza e Kalkutës.

Dom Dritan Ndoci

 

16 shtator 2023, 10:25