Zjarre në Havai, rëndohet bilanci i viktimave
R.SH. – Vatikan
Që prej ditës së djeshme, e enjte, 10 gusht, ishulli havajan i Mauit është përfshirë nga zjarre me përmasa të jashtëzakonshme, që po e shkatërrojnë zonën e prekur edhe nga thatësira dhe uragani Dora, duke shkaktuar, deri tani, 53 viktima. Por “fatkeqësisht, bilanci është i destinuar të rritet ndjeshëm”, nënvizoi guvernatori i Ishujve të Gjelbër, duke pasur parasysh edhe numrin e lartë të të zhdukurve: të paktën një mijë persona ende nuk dihet ç’fat kanë pasur e ku ndodhen.
Shkatërrohet qyteti i Lahaina-s
Vdekja dhe shkatërrimi përshkuan veçanërisht qytetin historik të Lahaina-s, 80% e të cilit është djegur. Zonat e pyllëzuara, qindra ndërtesa banimi dhe shumë firma tregtare janë bërë hi e pluhur, me dëme që, sipas vlerësimeve të vetë guvernatorit, arrijnë në miliarda dollarë. Dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar të ikin nga shtëpitë. “Jemi përballë fatkeqësisë më të madhe natyrore të këtij brezi në Havai”, deklaroi guvernatori i Ishujve. Ndërkohë, hapësira ajrore mbi zonat e prekura nga zjarret është mbyllur.
Vijojnë evakuimet
Autoritetet lokale po ndihmojnë popullsinë për një evakuim masiv: të paktën 11.000 vetë janë larguar nga ishulli, ndërsa mijëra të tjerë do ta bëjnë këtë orët e ardhshme. Forcat e rendit vijojnë të punojnë për sigurinë e banorëve dhe të turistëve, si edhe për kontrollin e oqeanit: sipas njoftimeve të kapitenit të Rojes Bregdetare, Kirksey, ekipet e shpëtimit po shohin nëse ka ende njerëz në ujërat, që për ta kanë qenë shpëtim nga flakët, të cilat kërcënuan seriozisht edhe plazhet.
Dëme të mëdha në ekosistemin lokal
E ndërsa presidenti i SHBA-së, Joe Biden, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe njoftoi se do të vihen në dispozicion të gjitha fondet federale të nevojshme për luftën kundër zjarrit dhe për rimëkëmbjen, ekspertët denoncojnë pasojat dramatike që mund të ketë kjo gjendje në ekosistemin vendas, një nga ambientet më të çmuara, por edhe më të brishta në planet. Zjarret mund të kompromentojnë jetën në det, duke shkaktuar degradimin e shkëmbinjve koralorë, përshpejtimin e erozionit bregdetar dhe infiltrimin e sedimenteve në udhët e ujit të pijshëm, me pasojë ndotjen.