Kërko

Takimi i  Presidentit izraelit Isaac Herzog me përfaqësues të  Kishave të krishtera, më 09.09.2023 Takimi i Presidentit izraelit Isaac Herzog me përfaqësues të Kishave të krishtera, më 09.09.2023  (Latin Patriarchate of Jerusalem)

Presidenti izraelit, të krishterëve: duam ta mbrojmë lirinë fetare

Isaac Herzog u takua me përfaqësuesit e kishave të krishtera në Haifa, në Manastirin Stella Maris, objekt i sulmeve nga ekstremistët. Morën pjesë në takim edhe Patriarku i Jeruzalemit i Latinëve, Pierbattista Pizzaballa dhe Patriarku Ortodoks i Jeruzalemit, Theophilos. Të pranishëm, edhe karmelitanët, së bashku me një grup ipeshkvijsh dhe përfaqësues të Kishave të ndryshme

R. SH. - Vatikan

Shumë anëtarë të bashkësisë së krishterë të Haifës dolën në rrugë për të protestuar kundër sulmeve të fundit të grupeve radikale hebreje në vendet e shenjta të krishtera, veçanërisht në manastirin Stella Maris. Në vazhdën e këtyre dhe episodeve të reja të dhunës kundër të krishterëve, Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, bëri një vizitë të rëndësishme në Manastirin Karmelit “Stella Maris” në Haifa. Vizita e Presidentit Herzog, shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe një delegacion i vogël zyrtarësh më 9 gusht, ishte e natyrës private. Presidenti izraelit pohoi: “Ne duhet t’i respektojmë anëtarët e të gjitha feve, këtë kemi dëshiruar që nga fillimi i ekzistencës sonë. Duaje të afërmin si vetevten".

Herzog: fenomene ekstremiste të papranueshme

Isaac Herzog nënvizoi: “Në muajt e fundit kemi parë fenomene serioze kundër emërtimeve të ndryshme të krishtera në Tokën Shenjte. Vëllezërit dhe motrat tona, qytetarë të krishterë, ndihen të sulmuar në vendet e tyre të lutjes, në varrezat e tyre, në rrugë. Këtë fenomen ekstremist e konsideroj të papranueshëm nga çdo këndvështrim. Duhet të zhduket! Ndaj i shpreh mirënjohjen policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese, që e marrin seriozisht këtë çështje”. Më pas shtoi: "Këtu, në këtë bashkësi të bukur e paqësore, që jeton në këto vise prej qindra vjetësh, askush, nuk duhet të ndjehet i kërcënuar, për asnjë arsye".

Imzot Pizzaballa: duhet punuar së bashku për të forcuar dialogun

Presidenti izraelit përfundoi: "Mesazhi im si për të krishterët që banojnë në Izrael, ashtu edhe për besimtarët në mbarë botën, është se bashkësitë e krishtera janë të sigurta! Të sigurta dhe të lulëzuara në Tokën Shenjte".

Në takim mori pjesë edhe shefi i policisë, Yaakov Shabtai. Patriarku i Jeruzalemit Imzot Pierbattista Pizzaballa foli në emër të të gjitha bashkësive të krishtera në Tokën e Shenjtë. Ai falënderoi presidentin izraelit dhe anëtarët e delegacionit të tij për mbështetjen jo vetëm me fjalë, por edhe, e krysisht, me vepra. “Ne duhet të punojmë së bashku për të forcuar dialogun, solidaritetin, dashurinë ndërmjet nesh” - pohoi - “Jetojmë në të njëjtat vende, krah për krah, ndaj duhet të jetojmë në paqe, të ndërtojmë të ardhmen tonë së bashku dhe të mbështesim njëri-tjetrin”. Presidenti Herzog shtoi: "Po, është e rëndësishme për të gjitha fetë." Ndërsa patriarku përfundoi me fjalët kuptimplote: "Të gjithë jemi bij të të njëjtit Zot".

Don Piotr Żelazko, vikar patriarkal për katolikët hebraishtfolës në Izrael

Don Piotr Żelazko e komentoi kështu këtë takim në Vatikan Radio-Vatican News: “Vizita e presidentit nënkupton angazhimin për t’i përballuar sfidat dhe shqetësimet që lidhen me dhunën kundër të krishterëve. Duke u angazhuar me liderë shpirtërorë dhe përfaqësues të besimeve të ndryshme, ky hap i rëndësishëm nënvizon dëshirën e përbashkët për krijimin e atmosferës së tolerancës, dialogut dhe unitetit"- theksoi At Żelazko - e shtoi: "Prania e komisionerit Yaakov Shabtai, shefit të policisë së Izraelit, ngjall një ndjenjë shprese e flet për një hap pozitiv drejt krijimit të një kuadri më të ngushtë paqeje, mirëkuptimi të ndërsjellë dhe bashkëjetesë harmonike”. "Ndërsa përpjekjet vazhdojnë për të krijuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse - përfundoi famullitari patriarkal - vizita në Manastirin Stella Maris është simbol i vendosmërisë kolektive për të kapërcyer vështirësitë dhe për të hapur rrugën drejt së ardhmes më të mëshirshme, më mirëkuptuese".

11 gusht 2023, 12:40