Nënë Tereza dhe Jezusi në të varfrit
R.SH. / Vatikan
“Përshkoni lagjen Celio të Romës, ngjituni deri te Kisha e Shën Gregorit dhe kërkoni shtëpinë romake të “Misionareve të Bamirësisë” të Nënë Terezës. Ndodheni në mes të një korridori të shkurtër e të ngushtë. Prisni në këmbë, sepse nuk dini ku të trokisni. Jeni në mes të varfërisë më të madhe që keni parë ndonjë herë. Pikërisht përballë Kishës. Para jush, një dhomë e bardhë dhe e zhveshur. Brenda, vetëm një altar i vogël, prej nga Jezusi i kryqëzuar thërret vazhdimisht:
"Kam etje!".
Fjalia e shkruar në anglisht ta përshkon zemrën si thikë.
E mjerimi i mrekullueshëm pothuajse të huton.
E edhe të bën ta vësh veten ballë për ballë me gjithçka shikon!
Atëherë ju sulmojnë një mori pyetjesh…
E pyet veten se çfarë është themelore për ty, pa mundur të gjesh përgjigje, sepse kur je jashtë, gjithçka, edhe e tepërta, të duket themelore!
Nga ato mure të gjora fryn një përshpirtëri, që ngjall emocione të thella dhe të bën për vete pa e kuptuar ende mirë çfarë po të ndodh në shpirt.
Të lind përshtypja se ke zbritur në një planet tjetër…
A ka mundësi që jashtë, përtej asaj dere, dhjetë metra larg, grindet qytetërimi ynë i trazuar dhe i pasur perëndimor?
Murgeshat shkojnë e vijnë! Një grup ndalon në korridor. Por si bëjnë të gjithë, mbledhur në cepin e vogël të atij korridori të ngushtë? Si flasin, pa bërë zë e lëvizin duke u dukur të palëvizshëm, që ti të mos shqetësohesh e të mos shqetësosh?
E të mos prishet ajo klimë qetësie, që rri pezull gjithandej, për të mos e cikur atë heshtje, edhe të jashtme, në të cilën duket se flet vetëm zëri i lutjes, që ta rrënqethë shtatin?
E ndërsa kërkesa e Jezusit për të shuar etjen e tij të pashuar të troket si çekiç në kokë, ti del dhe gjendesh rishtas në mes të turmës. I pushtuar nga një shqetësim i madh, i paprovuar ndonjë herë!
Ndjen nevojën për të kërkuar falje. E, papritmas, kujtohesh se sytë e tu janë të lagur nga lotë të pavetëdijshëm. Tani flasin lotët! E zëri i Nënë Terezes….
Nënë Tereza, si Françesku, pati thënë
“Nëse Françesku i Asizit do të kthehej i gjallë sot, do t'u shërbente të varfërve si unë, sepse mundohem të bëj sot, atë që bëri ai tetë shekuj më parë, me të njëjtën dashuri…nuk u kënaq me fjalë, nuk diskutoi për varfërinë, e jetoi krejtësisht në jetën e tij dhe në atë të fretërve të tij, duke u bërë më i fundmi ndërmjet të varfërve më të varfër. Vetëm kjo dashuri për Jezusin, e jetuar si akt feje, mund ta ndërtojë Mbretërinë e Perëndisë” – na kujton Nënë Tereza.
Jezusi na jep forcën, guximin dhe këmbënguljen për të ndihmuar të varfrit!
Jezusi, të cilin e takojmë çdo mëngjes në agim, na shtyn dhe na ndihmon për t’i kërkuar të vuajturit më të braktisur të shoqërisë sonë.
Kështu e takoi Nënë Tereza Jezusin për herë të parë.
“E takova Jezusin çdo ditë të jetës sime”- titullohet libri i Don Giovanni di Michele, botuar në 2023 nga Akademia e të Pamësuarve. Ndërmjet kapakëve, “135 takime njerëzore me Jezusin”.