Kërko

Edith Stein, Shën Tereza Benedikta e Kryqit Edith Stein, Shën Tereza Benedikta e Kryqit

Më 9 gusht, kalendari kishtar kremton Shën Terezën Benedikta e Kryqit, Pajtore e Evropës

U lind në Breslavë, në një familje hebraike. 14 vjeç, e e braktisi fenë dhe u bë ateiste. Studioi filozofi në Gëtingen, ku u bë ndjekëse e Edmund Huserlit, themelues i shkollës së fenomenologjisë. Më 1921 përqafoi katolicizmin dhe më 1922 u pagëzua. Më 1932 e thirrën si pedagoge në Mynster, por nuk mundi të vijonte për shkak të ligjeve raciale. Më 1933 hyri në Karmelin e Këlnit dhe u bë Tereza Benedikta e Kryqit. Më 1942 e mbyllën në kampin e shfarosjes në Aushvic, ku e mbytën me gaz, më 9 gusht

R.SH. - Vatikan

Një jetë, që nisi në prehërin e një familjeje hebreje, vijoi në rrethet universitare, në kërkime filozofike e në një kuvend karmelitanesh, për të përfunduar në kampin nazist të përqendrimit, në Auschwitz. Kjo është Shën Tereza Benedikta e Kryqit, në shekull Edith Stein (Breslavia 1891 - Auschwitz 1942),  karmelitane e zbathur, martire, bashkëpajtore e Evropës, të cilën Kisha e përkujton sot, 9 gusht. Figurë e jashtëzakonshme, që la pas një vepër të mirënjohur filozofike e shpirtërore, nga e cila shkëputëm, për ta kujtuar, shkrimin me ngjyrime të ndjeshme aktuale, titulluar “Të falem, o Kryq, e vetmja shpresë”.

“Të falem, o Kryq Shenjt, ti shpresa jonë e vetme!”. Kështu na mëson të themi Kisha në kohën e Mundimeve, kushtuar vuajtjeve të hidhura të Zotit tonë Jezu Krishtit.

Bota është në flakë: lufta ndërmjet Krishtit e antikrishtit ka shpërthyer krejt haptazi. Prej këndej, po more anën e Krishtit, mund të të kërkohet të flijosh edhe jetën.

Kundroje Zotin, që varet para syve të tu mbi dru, vetëm pse u bind deri në vdekjen mbi kryq. Nuk erdhi në botë për të bërë vullnetin e vet, por atë të Atit. Nëse dëshiron të jesh përkrah të Kryqëzuarit, duhet të heqësh plotësisht dorë nga vullneti yt e të mos kesh tjetër dëshirë, veçse të bësh vullnetin e Zotit…

Bota është në flakë: flakë që mund të kallet edhe mbi shtëpinë tonë, por mbi të gjitha gjuhët e flakëve, naltohet Kryqi, e asnjë flakë në botë nuk mund ta shkrumbojë. Kryqi është udha që të çon nga toka, në qiell. Kush e rrok me fe, dashuri e shpresë, lartohet deri në gjirin e Trinisë.

Bota është në flakë: dëshiron ta shuash? Kundroje Kryqin! Nga zemra e shporuar tejpërtej me heshtë, gurron gjaku i Shëlbuesit, gjak që mund të shuajë edhe flakët e ferrit...

Përmes pushtetit të Kryqit, mund të jesh i pranishëm në të gjitha viset e dhimbjes, atje ku të çon dashuria, të cilën e thith nga zemra hyjnore. I Kryqëzuari të bën të aftë që, me gjakun e Tij të paçmueshëm, të lënosh, të shpëtosh, të  shëlbosh.

Sytë e të Kryqëzuarit ngulen në sytë e tu e të pyesin: “Dëshiron ta lidhësh përsëri, seriozisht, besën me mua?”

Si do t’i përgjigjesh?

Bota është në flakë: E ku të shkoj, o Zot? Vetëm ti ke fjalë jete! Ave Crux! Të falem, o Kryq. E vetmja shpresë” 

Shkëputur nga “Edith Stein, jeta, doktrina, tekste të panjohura”, Romë, 2005, fq 127-130.

09 gusht 2023, 11:45