Kërko

Shën Deda Guzman Shën Deda Guzman

Më 8 gusht kalendari kishtar kujton Shën Dedën Guzman, themelues të Urdhërit të Vëllezërve Predikatarë

Nuk kërkoi tituj, shtegtoi në këmbë, jetoi me lëmoshë, predikoi Ungjillin me fjalë shumë të thjeshta mes turmave të popullit. Por ajo që kishte më tepër rëndësi e që i bindte dëgjuesit, ishte se e jetoi fjalë për fjalë atë që predikoi, duke i ftuar të gjithë të bëjnë kthesën e madhe e të ecin në rrugën e Zotit. U zgjodh dy-tri herë ipeshkëv, por gjithnjë refuzoi, sepse donte mbi gjithçka, të jetonte mes vëllezërve, në varfëri të plotë

R.SH. - Vatikan

Shën Deda Guzman lindi në vitin 1175 në Kaleruega, provincë e Burgos, në familjen Guzman.Ishte bir i Feliçes dhe i Gjovanna de Azës. Që i ri ndjeu thirrjen për rrugë rregulltare. Me lejën e Papës, filloi të predikonte në një mënyrë krejt të re, të panjohur më parë. Nuk kërkoi tituj, shtegtoi në këmbë, jetoi me lëmoshë, predikoi Ungjillin me fjalë shumë të thjeshta mes turmave të popullit. Por ajo që kishte më tepër rëndësi e që i bindte dëgjuesit, ishte se e jetoi fjalë për fjalë atë që predikoi, duke i ftuar të gjithë të bëjnë kthesën e madhe e të ecin në rrugën e Zotit. U zgjodh dy-tri herë ipeshkëv, por gjithnjë refuzoi, sepse donte mbi gjithçka, të jetonte mes vëllezërve, në varfëri të plotë.Sapo përfundoi një nga luftërat e shumta, që aso kohe, si sot, nuk pushonin kurrë, më 1214 Deda shkoi në Tuluzë, ku lindi grupi i parë i etërve predikatarë. Pasi pati predikuar në veri të Italisë e në Marke, i raskapitur nga shtegtimet e pafundme, u vendos në kuvendin e tij të shumëdashur të Bolonjës, në një qelë që nuk ishte e tija, sepse ai, Themeluesi, nuk kishte asnjë qelë të vetën.
Aty edhe ndërroi jetë më 8 gusht 1221, i rrethuar nga sivëllezërit, të cilëve u la këtë testament shpirtëror: “Jini të mëshirshëm, ruajeni përvujtërinë, mblidhni thesaret e varfërisë shenjte”. U shpall shenjt më 13 korrik 1234 nga papa Gregori IX. Urdhëri i etërve predikatarë, të njohur me emrin Dominikanët, që sot numëron 600 shtëpi me 6000 anëtarë, vijon të ecë në rrugën e themeluesit.

08 gusht 2023, 09:45