Më 10 gusht, kalendari kishtar kremton shën Lorencin, martiri i të fundmëve
R.SH. – Vatikan
Dëshmia e këtij martiri të shenjtë, lindur në Spanjë në gjysmën e parë të shekullit të tretë, karakterizohet nga devotshmëria dhe bamirësia. Menjëherë pas zgjedhjes së tij, Papa Siksti II i besoi detyrën e kryediakonit. Si përgjegjës për veprimtaritë bamirëse në dioqezën e Romës, Shën Lorenci administron mallra dhe oferta për të siguruar nevojat e të varfërve, jetimëve dhe vejushave.
Ruajtësi i "thesareve të Kishës"
Udha e tij u ndërpre që në rini nga persekutimi. Në vitin 258 pas Krishtit, perandori romak Valeriani nxorri ediktin sipas të cilit të gjithë ipeshkvijtë, presbiterët dhe diakonët e krishterë duhej të dënoheshin me vdekje. Kështu, kapen Shën Lorenci e diakonët e tjerë, por edhe Papa Siksti II. Papës i pritet koka më 6 gusht. Në fillim, perandori i fal jetën Shën Lorencit, pasi i kërkon t’i dorëzojë të ashtuquajturat "thesare të Kishës". Por Shën Lorenci ua shpërndan ofertat e mbledhura të varfërve e bashkë me ta, me të sëmurët e me të mënjanuarit shkon tek perandori duke i thënë: “Ja, thesaret e Kishës”. Katër ditë më vonë, më 10 gusht, martirizohet edhe ai vetë.
I djegur për së gjalli në një skarë
Sipas një "passio" të lashtë, mbledhur nga Shën Ambrozi, Shën Lorenci u dogj në një skarë. Në "De Officiis", shën Mabrozi imagjinon një takim ndërmjet Shën Lorencit dhe Papës Siksti II, përgjatë rrugës së martirizimit. Në takim, është Lorenci ai që flet: “Ku po shkon o atë pa djalin? Ku nxiton, ipeshkëv i shenjtë, pa diakonin tënd? Nuk e ke pasur kurrë zakon të ofrosh fli pa diakonin tënd. Pra, çfarë nuk të pëlqeu tek unë, o atë? Ndoshta, isha i padenjë? Më vër në provë, shikoje vetë nëse ke zgjedhur një shërbëtor të padenjë për flinë e gjakut, dhuruar Zotit. A do ta refuzosh atë të cilin e ke pranuar në misteret hyjnore si shoku yt i udhës drejt flijimit?”
Nga martirizimi në lavdi
Martirizimi i Shën Lorencit, që ndjek Papën Siksti II, është dëshmi supreme e dashurisë. Shën Leoni i Madh, në një predikim, e komenton torturimin e Shën Lorencit në këtë mënyrë: “Flakët nuk mundën ta mposhtin dashurinë e Krishtit; dhe zjarri që digjej jashtë ishte më i dobët se ai, që digjej brenda shpirtit”. E shton: "Zoti donte ta lartonte aq shumë emrin e tij të lavdishëm në mbarë botën, sa që nga Lindja në Perëndim, … e njëjta lavdi që i takoi Jeruzalemit, për shkak të martirizimit të Shën Shtjefnit diakon, i takoi edhe Romës, falë shën Lorencit”.
Tradita
Sipas përshpirtërisë popullore, më 10 gusht, natën e martirizimit të Shën Lorencit, nga qielli bie një shi yjesh. Në të vërtetë, janë meteorë nga Perseidet, por tradita thotë ata përfaqësojnë lotët e derdhur nga shenjti gjatë martirizimit, ose – sipas një tradite tjetër – shkëndijat, që binin nga skara mbi të cilën u dogj martiri.
Bazilika e Shën Lorencit dhe kisha në Panisperna
Pas vdekjes, trupi i Shën Lorencit u varros në rrugën Tiburtina të Romës. Në këtë vend, perandori Konstandin ngriti një bazilikë, restauruar në shekullin e 20-të pas dëmeve të shkaktuara nga bombardimet amerikane të Romës, më 19 korrik 1943, gjatë Luftës II Botërore. Në vendin e martirizimit u ngrit kisha e Shën Lorencit në Panisperna. Sipas disa burimeve, emri rrjedh nga zakoni i fretërve dhe i klariseve, që më 10 gusht, u shpërndanin të varfërve "panis et perna", bukë dhe proshutë.
Poezia "X gushti"
Martirizimi i Shën Lorencit ka frymëzuar vepra arti, thënie popullore dhe poezi. Kështu shkruan Giovani Pascoli në poezinë “X gusht”:
“Shën Lorenc, unë e di pse kaq shumë
yje në ajrinë e qetë
digjen dhe bien, sepse lotë pa fund
rrokullisen nga qielli vetë”…