Kërko

 il sacerdote poeta albanese don Ndré Mjedja il sacerdote poeta albanese don Ndré Mjedja

Dom Ndre Mjedja, në përvjetorin e vdekjes

Atdhetari, meshtari e poeti shqiptar, dom Ndre Mjedja, ndërroi jetё si sot, më 1 gusht 1937, cilësohet si "mjeshtër i fjalës poetike" dhe "poet me një konceptim poetik të mirëfilltë, që solli risi në vargun e poezisë shqipe".

R.SH. - Vatikan

Mё 1 gusht, kujtojmё pёrvjetorin e vdekjes sё  dom Ndré Mjedjёs, atdhetarit, meshtarit, lirikut klasik dhe poetit ëndërrues

Meshtari, poeti e gjuhëtari i madh, që mbeti në kujtesën e popullit si këngëtari i "Bylbylit në kafaz", i "Rinisë" e i "Andrrës së jetës", një ndër fytyrat më të ndritura të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare, dom Ndré Mjedja, ndërroi jetë më 1 gusht të vitit 1937, ndërsa lindi në Shkodër, më 20 nëntor 1866.  Tërë jetën përshkoi rrugët e pafundme të botës së madhe, nga Lavali i Francës, në Manrezë të Spanjës; nga Kraljevica e Bosnjës Hercegovinës në Chieri të Italisë, nga Krakovia e Polonisë në vendlindje dhe në fshatin Kukel.

Veprimtaria e dom Ndré Mjedjës është shumë e njohur. Ai nuk bën pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe. Në veprën “Jezuitët Martirë në Shqipëri” botuar vjet më parë nën kujdesin e jezuitit italian At Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “ Po të ishte gjallë Mjedja do të shkumbëzonte nga përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim ortodoksinë e tij katolike e tomistike, teologjike e filozofike”. (“Gesuiti Martiri in Albania”, Cusano Milanino, Febbraio, 1966, fq. 45)

Prandaj duke e përkujtuar në përvjetorin e vdekjes, po vëmë theksin mbi veprat e tij më pak të njohura, ato fetare.  Ndonëse shumica e veprave fetare të dom Ndré Mjedës janë përkthime apo përshtatje, mund të themi me plot gojën se me to meshtari poet dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe.

Ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shęjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç; “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927; “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes.
Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”.

Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së rë". Në XXI kapituj tregohet jeta e vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Pio XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike që Papa Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve, të asaj kohe, me rastin e kremtimeve të dyqind vjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë, ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re.

Në kreun e parë - siç e quan dom Ndré Mjedja, lexojmë: “Luigj Gonzaga! Ęmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me ęjë; që ka begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të nji pastrís ęjëllore; qi ká xë mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltërna e kisha gjithkű permęndet fëja e Krishtit, prei qândres së Kështęnimit në Romë, e deri në mâ të largtin katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder pyje të páshteg, nder shkretína të mndërshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’ęmen fëmijvet, qi të jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne”.

Në kreun XXII të librit, që titullohet “Zani i Shęjtit Atë Papë” shpjegohet edhe arsyeja që e shtyu Mjeden lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë kohë biografisë së një Shenjti: ...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me i pergiá e me shkue mbas gjurmëve të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shęjte, mësimi i të vertetave të Fës, e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë tjeter veç njikaq prej moshës së rë katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit, simbas nevojëve të soçme... (gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare – shënimi ynë) per mirërritjen e pshtimin e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per ta...”- shkruhet në Letrën Apostolike të Shenjtit Atë Papë.

Një tjetër vepër me karakter fetar është “Historia Shejte” kryevepër e llojit, që bashkon gjuhën e stilin popullor dhe atë të kultivuar njëherësh. Vepër e dom Ndré Mjedjës është edhe një nga librat më të njohur e më të përdorur të uratëve), apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës e përdoret ene edhe sot nga shumë besimtarë. Janë vepra shkruar me dorë mjeshtri, prifti, artisti e shkencëtari. E në përvjetorin e vdekjes së tij, Dom Ndre Mjeda na flet përsëri për veprën e tij të palodhur në dobi të fesë e të kombit

Dom Ndré Mjedja është edhe ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e Imzo Pjetër Bogdanit dhe të imzot Pjetër Budit, shkroi për dialektin shqiptar të Istries dhe për Perikopenë e Ungjillit të shek. XIV. Vepra e Ndre Mjedjës u botua e plotë në tri vëllime në Prishtinë në vitin 1982 nën përkujdesjen e Sabri Hamitit dhe një studim mjaft i vlefshëm me shtatë vëllime nga Mentor Quku.

01 gusht 2023, 19:10