Kërko

Martirët shqiptarë të komunizmit Martirët shqiptarë të komunizmit

Black Ribbon Day: një ditë për të kujtuar viktimat e stalinizmit e të nazizmit

23 gushti u zgjodh për të përkuar me datën e nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribbentrop, pakti i mossulmimit ndërmjet BRSS-së dhe Gjermanisë naziste, i vitit 1939, i cili përmbante protokollin e sferave të ndikimit gjerman e sovjetik në Evropë. Traktati u përshkrua nga presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, në vitin 2010, si "bashkimi i dy formave më të këqija të totalitarizmit në historinë njerëzore"

R.SH. – Vatikan

Ndër mizoritë e historisë, është e pamundur të harrohet pakti i mossulmimit, nënshkruar në gusht 1939, ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Rusisë Sovjetike. Për vite me radhë, kjo marrëveshje solli terror në territoret e ndara në zona influence ndërmjet dy diktaturave. Në vitin 2009, Parlamenti Evropian zgjodhi pikërisht këtë datë, 23 gushtin, për të kujtuar viktimat e stalinizmit dhe të nazizmit.

Pakti i mossulmimit ndërmjet BRSS-së dhe Gjermanisë tronditi gjithë botën. Ishin prej kohësh armiq të betuar e, megjithatë, Hitleri dhe Stalini e nënshkruan marrëveshjen për të ndarë ndërmjet tyre një pjesë të madhe të Evropës. Fshehurazi e larg syve të botës, Bashkimi Sovjetik mori për vete Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, përveç Polonisë dhe Rumanisë, ndërsa Gjermania mundi të zgjaste kthetrat mbi pjesën tjetër të Polonisë, Danimarkës, Norvegjisë, Holandës, Belgjikës, Luksemburgut, Francës, Jugosllavisë dhe Greqisë. Pra, ishte një pakt agresioni, që do të sillte pushtime e terror.

Në të vërtetë, 23 gushti ishte kujtuar para vitit 2009. Në atë ditë, në vitin 1989, 2 milionë njerëz u kapën për dore, duke formuar një zinxhir njerëzor prej më se 600 kilometrash, që përshkoi tre vende balltike, pikërisht për të tërhequr vëmendjen e botës në 50-vjetorin e paktit të mossulmimit ndërmjet Hitlerit e Stalinit. Dy njerëz – ose “dy djaj”, siç u quajtën nga eurodeputetët në ditën e votimit të datës – që vendosën të ardhmen e Evropës për gjysmë shekulli.

Pa hyrë në historitë e popujve, që kanë vuajtur nga komunizmi, ose nga fashizmi e nazizmi, pyetja e atëhershme në Parlamentin Evropian, tingëllon edhe sot: si duhet kujtuar kjo ditë? Atëherë, europarlamentarët ia lanë këtë çdo shteti, duke shpresuar që mediat kombëtare të mos e harronin Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit e të Nazizmit e, duke nxjerrë nga historia e tyre çdo të keqe, që ka pësuar populli i tyre nga këto ideologji – kuçedra të shekullit të kaluar. Vërtet, në shumë vende të Evropës, në Kanada, në SHBA e në shtete të tjera, kjo ditë është kthyer ligjërisht në kremtim kombëtar, gjatë së cilës, kushdo mund të dëshmojë së paku me një shirit të zi në krah refuzimin personal kundër çdo lloj ekstremizmi, intolerance e shtypjeje. Pikërisht ashtu siç nënvizohet edhe në synimin e kësaj Dite, që dëshiron të ruajë kujtimin e viktimave të internimit e të shfarosjes masive, duke promovuar, nga ana tjetër, vlerat demokratike që përforcojnë paqen dhe stabilitetin në Evropë.

Zyrtarisht, kjo ditë nuk përkujtohet me ligj as në Shqipëri e as në Kosovë, por në vitin 2010, presidenca e Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin, me të cilin caktoi 20 shkurtin si datë përkujtimi për viktimat dhe krimet e komunizmit në vend. Më 20 shkurt 1991 u rrëzua shtatorja e Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Deri atëherë, 59 mijë shqiptarë u internuan në kampet e punës së detyruar, 34 mijë të tjerë u dënuan me burg e prej tyre, 308 përfunduan në çmendinë nga torturat çnjerëzore. 6027 shqiptarë u vranë nga regjimi komunist e një pjese prej tyre nuk i dihet as varri.

23 gusht 2023, 13:49