Patriku Bartolomeu I: në Ukrainë njerëzit dhe ekosistemi pësojnë humbje
R.SH. / Vatikan
“Çdo veprim luftarak është luftë kundër krijimit, pasi përbën një kërcënim të madh për ambientin natyror”. Këtë nënvizon Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, në Ditën e Lutjes për Mbrojtjen e Ambiantit Natyror (1 shtator 2023) dhe për fillimin e vitit kishtar. Në këndvështrim ekumenik, sipas traditës, këtë vit përpjekja e tij për ndërgjegjësimin prek lidhjen e ngushtë ndërmjet përmasës ngushtësisht ambientale dhe asaj të të drejtave të njeriut, të shkelura nga konfliktet.
Lufta në Ukrainë është shkatërrim i tmerrshëm ekologjik
Bartolomeu flet qartë për "pushtimin rus të Ukrainës, i cili shoqërohet me shkatërrim të tmerrshëm ekologjik". Patriku saktëson se “ndotja e atmosferës, e ujit dhe e tokës, shkaktuar nga bombardimet, rreziku i një holokausti bërthamor, emetimi i rrezatimit nga termocentralet bërthamore që prodhojnë energji elektrike, pluhuri kancerogjen i prodhuar nga ndërtesat, shkatërrimi i pyjeve dhe shterimi i pronave bujqësore të punueshme - e gjithë kjo dëshmon se njerëzit dhe ekosistemi i Ukrainës kanë pësuar dhe vazhdojnë të pësojnë humbje të pallogaritshme”. Ndaj Prelati dashuronjës dhe mbrojtës i natyrës, përsërit me forcë: “Lufta duhet të ndalohet menjëherë dhe duhet të fillojë dialogu i sinqertë”.
Gjenerata e katërt e të drejtave ambientale
Bartolomeo kujton se sot gjithnjë e më shumë theksohet, çka përkufizohet si zgjerim ekologjik i të drejtave të njeriut. Në këtë drejtim, flet për konceptin e "brezit të katërt" të të drejtave, së bashku me të drejtat individuale dhe politike, sociale, kulturore dhe solidare. “Lufta për të drejtat e njeriut nuk mund të anashkalojë faktin se këto të drejta kërcënohen nga ndryshimet klimatike, mungesa e ujit të pijshëm, toka pjellore dhe ajri i pastër, por edhe nga degradimi i mjedisit, në përgjithësi”. Prandaj rekomandohet që pasojat e krizës ekologjike të shikohen mbi të gjitha në aspektin e të drejtave të njeriut. “Është e qartë se këto të drejta - deklaron ai - në të gjitha aspektet dhe përmasat e tyre, përbëjnë një njësi të pandarë, ndaj edhe mbrojtja e tyre është e pandashme.
Gjoni i Pergamës: në Liturgjinë Hyjnore, uniteti ndërmjet njeriut dhe krijimit
Pasi i mirëpret nismat ekologjike të Patriarkanës Ekumenike jo vetëm ndërmjet të krishterëve, por edhe të atyre që besojnë fe të tjera, Patriku rikthehet përsëri tek vendet parlamentare, ndërmjet politikanëve, në fushën e shoqërisë civile, të shkencës, lëvizjeve ekologjike dhe rinore, për të theksuar se "shkatërrimi i mjedisit natyror prek mbi të gjitha të varfërit". Përballë këtyre sfidave, Bartolomeu saktëson se të gjitha përpjekjet e bëra nga Kisha për ndërgjegjësimin e plotë në këto fusha “nuk janë thjesht veprimtari shtesë”, por shprehje dhe realizim themelor i saj, si zgjatim i Eukaristisë Shenjte. Kujton edhe trashëgiminë e çmuar të pionierit të teologjisë ekologjike, të ndjerit Mitropolit Gjonit të Pergamit, i cili pati shkruar: "Në Liturgjinë Hyjnore, bota natyrore dhe materiale, së bashku me të gjitha shqisat, marrin pjesë në një unitet të pandashëm. Nuk ka antitezë ndërmjet realitetit subjektiv dhe objektiv, mendja e njeriut nuk ka synim pushtues mbi botën përreth. Kjo botë nuk ekziston kundër, nuk është objekt i njeriut, por pranohet dhe vihet në shërbim të bashkësisë. Kungimi i shenjtë nuk është vetëm bashkimi ynë me Zotin dhe me të tjerët, por edhe marrja e ushqimit, pranimi dhe vlerësimi i mjedisit natyror, inkorporimi dhe jo konsumimi i thjeshtë i materies”.