Shenjtorët javës 30 korrik - 6 gusht
R. SH. Vatican News
E diel 30 korrik, Kisha katolike kremton të Dielën XVII të vitit kishtar, ciklit të parë 'A'. Gjithnjë më 30 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Pjetër Krizologun, ipeshkëv i Ravenës dhe dijetar, si edhe shën Abdonin e shën Senën, martirë.
Në jetën e njeriut, gjëja më e rëndësishme është përpjekja për të fituar Mbretërinë e qiellit. Kjo, ftesa që na drejton Fjala e Zotit e kësaj së Diele të 17-të gjatë vitit kishtar ‘A’ (Libri Parë i Mbretërve 3, 5. 7-12; Letra e shën Palit apostull drejtuar Romakëve 8, 28-30 dhe Ungjilli nga Mateut 13, 44-52) dhe, njëkohësisht, impenjimi ynë, që duhet ta kujtojmë mirë në të gjitha rrethanat e jetës, në lutje e në meditim, në çastet e punës e të prehjes, në udhë e në vatrën shtëpiake. E pohojnë këtë leximet biblike të kësaj së diele, duke nënvizuar se njeriu duhet të orientohet nga një ndërgjegje, që kërkon me etje të vërtetën, që mbron me guxim drejtësinë, i vetëdijshëm se vetëm kështu mund t’i shërbejë vërtet Mbretërisë së Hyjit
Të hënën, më 31 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Injacin e Lojolës, themeluesit të Shoqërisë së Jezusit (jezuitëve), shën Justinin de Jacobis, ipeshkëv në Abisini, nga Kongregata e Misioneve.
Më 1 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Alfonsin Maria de Liguori, ipeshkëv e dijetar i Kishës, themelues i Kongregatës së të Shëlbuemit, shtatë vëllezërit makabej dhe shën Pjetrin Favre, meshtar jezuit.
Të mërkurën, më 2 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Euzebin, ipeshkëv i Verçelit, shën Pjetër Juliani Eymars, meshtar, themelues i Sakramentinëve dhe shën Shtjefni I, papë.
Të enjten më 3 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Lidien, dishepulle e Shën Palit Apostull, që u hapi dyert të krishterëve në Filipi, duke e kthyer shtëpinë në kishën e parë në Evropë.
Të premten më 4 gusht, kalendari kishtar kujton Famullitarin e madh të Arsit, shën Gjon Maria Vianej, pajtor i klerit, dhe shenjtorët Justinin e Kreshencin, martirë.
Të shtunën më 5 gusht, festë e madhe në Romë për kujtimin e kushtimit të Bazilikës së Zojës së Madhe.
Të dielën e ardhshme më 6 gusht, Kisha Katolike kremton solemnitetin e Shndërrimit të Zotit tonë, Jezu Krishtit, si edhe shën Ormisdën, papë.