Kërko

28-vjetori i masakrës së Srebrenicës 28-vjetori i masakrës së Srebrenicës

Këshilli i Evropës: “ta kujtojmë Srebrenicën e të mësojmë prej saj”

Në përvjetorin e masakrës së tetë mijë të rinjve dhe burrave myslimanë gjatë luftës në Bosnjë, më 11 korrik 1995, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, bën thirrje të kujtohet mësimi i Srebrenicës. Nacionalizmat janë ende kërcënim, nënvizon ajo. “Evropa kujton përgjegjësinë dhe paaftësinë e saj për të mbrojtur”, pranojnë në një notë, Josep Borrell dhe Oliver Varhalyi

R.SH. – Vatikan

“Sot kujtojmë mijëra burra dhe djem të vrarë vetëm për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare, në gjenocidin e Srebrenicës. U bëjmë homazhe jetëve të humbura, që nuk mund të rikthehen, dinjitetit dhe guximit të familjeve, që kanë humbur të dashurit e tyre. Dhimbja dhe vuajtja mbeten reale dhe të prekshme”. Kështu deklaroi Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, në përvjetorin e masakrës së tetë mijë të rinjve dhe burrave myslimanë gjatë luftës në Bosnjë, më 11 korrik 1995.

 “Kur urrejtja çon në krime të këtij lloji, është e vështirë të gjesh fjalë për të shprehur sa e thellë është mungesa e humanizmit, ose sa e thellë vuajtja që shkakton ajo”, pohon zonja Buriq nga Strasburgu. “Megjithatë, duhet t'i mbajmë ngjarje të tilla të rrënjosura fort në ndërgjegje. Kur e dimë se ç’janë në gjendje t’i bëjnë njëri-tjetrit qeniet njerëzore, kujtohemi se kemi përgjegjësi të madhe në parandalimin e paragjykimeve, të diskriminimeve dhe të dhunës, që kanë shënuar historinë e kontinentit tonë”.

Së fundi: “në një kohë kur nacionalizmi i skajshëm po përpiqet të riafirmohet në disa pjesë të Evropës, duhet ta kujtojmë rëndësinë e jashtëzakonshme të dinjitetit njerëzor dhe të të drejtave themelore. Ta kujtojmë Srebrenicën dhe të mësojmë prej saj”, theksoi Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës.

BE: në Srebrenicë, Evropa nuk qe në gjendje të mbrojë

Ndërkaq, në një notë të përbashkët, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme e Sigurinë, Josep Borrell dhe Komisari evropian për Zgjerimin, Oliver Varhalyi, deklaruan se sot, në 28-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, “Evropa kujton përgjegjësinë dhe paaftësinë e saj për të mbrojtur. Tani, ndërsa lufta përflak sërish kontinentin evropian, premtojmë të veprojmë më mirë për të mbrojtur paqen dhe jetën”.

  Ata e quajnë ngjarjen e vitit 1995 si një nga “faqet më të errëta të historisë evropiane”, ndajnë me familjet dhimbjen dhe nënvizojnë impenjimin e Brukselit “në favor të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegonivës”, duke premtuar mbështetjen e kandidaturës së saj për hyrjen në BE.

“Pajtimi – vijon nota e tyre – mund të arrihet vetëm mbi bazën e së vërtetës, të paqes e të drejtësisë. Nuk mund të tolerohet mohimi i genocidit, revizionizmi historik dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës”. Së fundi, u bëhet thirrje krerëve të vendit ballkanik të punojnë së bashku për një të ardhme në paqe.

Mijëra në ceremonitë e përkujtimit të genocidit, përveç serbëve

Sot, që në orët e para të mëngjesit, mijëra vetë u mblodhën në Potoçari, në hyrje të Srebenicës, ku u mbajtën ceremonitë zyrtare të përkujtimit të 28-vjetorit të genocidit të trupave serbe të Bosnjës, kryesuar nga gjenerali famëkeq, Ratko Mladiq. U varrosën edhe mbetjet e 30 viktimave të masakrës, gjetur gjatë 12 muajve të fundit, të cilat u shtohen 6.652 varreve dhe rrasave të bardha, të pranishme në varrezën e Potoçarit. Ashtu si në vitet e mëparshme, munguan përfaqësuesit e Serbisë e të Republikës Serbe të Bosnjës, që vijojnë ta mohojnë genocidin, megjithëse pranojnë se në Srebrenicë janë kryer tmerre.

11 korrik 2023, 13:49