Bashkëpunimi i mediave me makinat: algoritmet dhe jeta e përditshme
Simone Tosoni
R.SH. - Vatikan
Vitet e fundit jemi dëshmitarë të përhapjes së një lloji të ri pajisjesh, të cilat mund t'i quajmë media-makina: janë mjete që, si mediat, na lejojnë të komunikojmë ose t’i përdorim për të kryer punë, të cilat më parë i kryenim ne vetë. Ashtu si makinat, për shembull, pajisjet shtëpiake punojnë për ne në këtë botë. Kujtojmë kështu altoparlantët inteligjentë si Alexa, me të cilët mund të dëgjojmë muzikë, por edhe të ndezim a të fikim dritat në shtëpi, ose robotët socialë dhe lodrat inteligjente, me funksion kryesor ndërveprimin komunikues me përdoruesit e tyre, edhe përmes gjuhës, “që ne, njerëzit, vijojmë ta flasim akoma”, “pa kërkuar ndihmën e makinave!”.
Media-makinat paraqesin disa elemente problematike, theksuar tashmë nga Papa Françesku për mediat dixhitale, për shembull në Mesazhet e Ditës Botërore të Komunikimit të viteve 2014 dhe 2019, përmes të cilave Ati i Shenjtë paralajmëron se në mediat sociale “mund të mbyllesh në sfera të informacionit, që korrespondojnë vetëm me pritjet tona dhe idetë tona, apo edhe me interesa të caktuara politike dhe ekonomike". E, më pas, tërheq vëmendjen për t’u ruajtur nga "përdorimi manipulues i të dhënave personale, që synon të shfrytëzojë avantazhet politike ose ekonomike, pa respektuar aspak njeriun, që bie pré e makinave, e aq më pak, të drejtat e tij ".
Media-makinat zgjerojnë disa mekanizma funksionale të mediave dixhitale përtej kufijve të ekranit, duke ndikuar mbi jetën tonë të përditshme në tërësi. Ata e bazojnë funksionimin e tyre në profilizimin algoritmik të përdoruesve dhe përkthimin e sjelljes së tyre, në të dhëna. Këto profile krijojnë mundësitë për rregullimin e sjelljes së makinerisë mediatike, por mund të përdoren edhe për të ndërtuar objektiva të sofistikuara komunikimi, për shembull, për dërgimin e reklamave apo të komunikimit politik, duke e bërë edhe më të mundshëm rrezikun e manipulimit.
Megjithatë, manipulimi nuk është rreziku i vetëm. Nxitja apostolike pas-sinodale e vitit 2019, Christus vivit, na paralajmëron se "funksionimi i shumë platformave shpesh përfundon duke favorizuar takimin e njerëzve që mendojnë njësoj, e duke e penguar, kështu, ballafaqimin ndërmjet atyre që mendojnë ndryshe! Kjo mund të ndodhë kur përdoren smartphone-t për të kërkuar vende, ose ngjarje në qytet e për të marrë, pastaj, propozime të zgjedhura mbi bazën e profilit tonë, duke rrezikuar të mbyllemi më tej në një flluskë vetë-vlerësuese. Prandaj, është themelore që këto aspekte problematike të jenë shumë të qarta për ata, që i projektojnë dhe i tregtojnë këto aparate, por edhe për përdoruesit e tyre, posaçërisht kur përdoren në jetën tonë të përditshme.
Sepse ka rrezik që njeriu, në vend që ta sundojë shpikjen e vet, makinën, të bëhet skllav i saj!