Më 6 korrik kalendari kujton Shën Marinë Goreti, martirja që i premtoi parajsën vrasësit të vet
R. SH. - Vatikan
Më 6 korrik kalendari kishtar përkujton shën Marinë Goreti, virgjër e martire. Shembull i shenjtërisë në jetën e përditshme të jetuar me besnikëri koherente.
Maria Tereza Goreti, ose Marieta, siç e thërrisnin të afërmit, nuk është e vetmja vajzë që parapëlqeu më mirë të vdiste, sesa të pranonte joshjet e një njeriu që deshi t’ia turbullonte jetën. Pothuajse çdo ditë kronika flet për ushtrimin e dhunës mbi vajza të reja, të pambrojtura.
Po prindërit e Marietës nuk mundën ta mbronin....
Shkaku për të cilin Kisha e paraqet si shembull këtë shenjte 12 vjeçare, nuk është vetëm sepse u shqua për pastërti morale, por pse gjithë jeta e saj ishte shembullore, pse zgjodhi vdekjen jo vetëm për të mbrojtur nderin, por kryesisht për t’iu bindur urdhrit hyjnor: “Jo, jo, Zoti nuk do; është mëkat!” - i bërtiti djaloshit Aleksandër Sereneli, kur ai deshi të përdorte dhunën.
Familja Goreti, me origjinë nga Korinaldo, në provincën e Ankonës, e shtyrë nga nevoja, pati emigruar në Agro Pontino, dhjetë kilometra larg Netunos, aty nga fundi i shekullit të kaluar. Njerëzit e saj, të mësuar me punë të rëndë ndër ara, u strehuan në një shtëpi të vjetër. E ndërsa nëna e babai punonin tokën, Maria kujdesej për katër vëllezërit, më të vegjël se ajo.
Ishte vetëm dhjetë vjeçe, kur i vdiq i ati, i sëmurë nga malarja. Kështu s ‘ëmës, Asuntës, iu desh të punonte gjithë ditën për të siguruar jetesën.
E Maria, që nuk kishte mundur të vijonte rregullisht shkollën, tani hoqi dorë nga gjithçka, për t’iu kushtuar plotësisht shtëpisë e vëllezërve. Kur kishte sadopak kohë të lirë, vraponte te Kisha e largët për të ndjekur katekizmin. E kështu mundi të merrte kungimin e parë.
Ishte tepër e zhvilluar për moshën, prandaj tërhoqi vëmendjen e djaloshit të shqetë Aleksandër Serenelli. Ajo i kundërshtoi vazhdimisht. Por Aleksandri nuk hoqi dorë. Një ditë, kur nëna u nis për në arë, duke e lënë Marietën vetëm me motrën e vogël (e cila më vonë do të bëhej murgeshë ndër Françeskanet Misionare të Zojës së Papërlyer), pas refuzimit të zakonshëm të vajzës, e theri disa herë me thikë. E mbartur në spitalin e Nettunos, vdiq një ditë më pas, duke e falur vrasësin me fjalët: “Për dashuri të Krishtit e fal dhe dëshiroj të vijë me mua në Parajsë!”. Ishte data 6 korrik e vitit 1902.
I dënuar me burgim të përjetshëm, Aleksandër Sereneli u lirua pas 27 vjetësh për sjellje të mirë. Më 1910 tha se kishte parë në vegim Martiren e vogël e që atë çast jeta e tij ndryshoi. Më 1950 e ëma e Marietës dhe të vëllezërit ishin të pranishëm në shenjtërimin e vashës që nuk pranoi të përlyhej me mëkat.
365 ditë: "Maria Goreti, vasha që ktheu në fe vrasësin e saj"
Nga rubrika radiofonik e Radio Vatikanit 365 ditë, 2008
Bazilika e Shën Pjetrit në Romë është përplot me njerëz, ardhur nga të katër anët e Italisë. Papa Piu XII do të shpallë një shenjtore të re. Është data 26 qershor 1950 e Maria Goretti po bëhet model për gjithë të krishterët.
Në radhët e para, një zotëri i moshuar, rreth gjashtëdhjetë e shtatë vjetëve, gjunjëzohet e qan në heshtje, i zhytur në kujtime. Kanë kaluar pothuajse pesëdhjetë vjet që atëherë. Ishte 5 korriku i vitit 1902…
Në një qytezë, në jug të Romës, Aleksandri, një djalosh nëntëmbëdhjetë vjeç, për të shpëtuar nga vapa e korrikut, mbështetet tek muri i shtëpisë së fqinjëve, familjes Goreti. Ndërsa përfiton nga hija freskuese, vëren përmes perdeve, Marinë, njërën nga vajzat e familjes Goreti, që është vetëm në shtëpi. Ka ca kohë që Aleksandri ia ngul sytë fqinjës së re e të bukur. Është përpjekur disa herë t’i afrohet, por ajo është shmangur gjithnjë urtisht. E sikur të pranonte pikërisht tani?
Aleksandri hyn fshehurazi në shtëpi. Vasha kërcen përpjetë, kur kujtohet për praninë e djaloshit, që mend e ha me sy: qëllimi i tij duke qartë. E kap për dore e mundohet me të gjitha forcat ta pushtojë. Situata bëhet e padurueshme…
I tërbuar nga qëndresa e Marisë, Aleksandri nxjerr thikën. E ther një herë, dy, tri... katërmbëdhjetë herë. Maria rrëzohet e mbytur në gjak. I tmerruar, djaloshi ia mbath këmbëve duke uluritur. Njerëzit vrapojnë, pyesin ç’ka ndodhur, i afrohen shtëpisë, hyjnë brenda e gjejnë trupin e Marisë, që po jep shpirt në një pellg gjaku.
Vasha çohet menjëherë në spital, por kot. E ndjen se vdekja është afër, e megjithatë nuk trembet. Përkundrazi, ndjen një paqe të madhe në shpirt: e di se po shkon tek Jezusi. Kështu vasha e ngushëllon nënën e mbytur në lot dhe e fal vrasësin: “Për dashuri të Jezusit, e fal Aleksandrin… e dua që edhe ai të vijë me mua në Parajsë”.
Janë fjalët e fundit që shqiptojnë buzët e ngrira. Maria vdes. Është vetëm dymbëdhjetë vjeçe.
Në burg, Aleksandri nuk ndjen kurrfarë brerjeje në ndërgjegje, derisa një ditë shkon ta takojë ipeshkvi, i cili i tregon se Maria e ka falur. Aleksandri papritmas shpërthen në dënesë. Zbulon se është i denjë për dashuri e falje. I tronditur në thellësi të shpirtit nga kjo siguri, preket nga dashuria e Zotit, kthehet e kërkon publikisht falje. Sapo del nga burgu, shkon të takojë nënën e Marisë, e cila e pret me krahë hapur. Në Bazilikën e Shën Pjetrit, lotët rrjedhin në faqet e Aleksandrit, tashmë plak. Maria e nëna e saj e kanë falur për krimin e shëmtuar. Aleksandri ndjen në shpirt ëmbëlsinë e mëshirës e lotët e tij janë lot gëzimi…
(nga rubrika radiofonik e Radio Vatikanit 365 ditë, 2008)