Më 1 korrik kalendari kujton shën Aronin e shën Esterin
R.SH. - Vatikan
Më 1 korrik kalendari kishtar përkujton shën Aronin e shën Esterin, të cilët i njohim përmes Besëlidhjes së Vjetër të Biblës.
Shën Aroni, vëllai i madh i Moisiut dhe Marisë, lindi në Egjipt nga leviti Amram, i biri i Kaathit, dhe nga Lochabed. Ai u martua me Elizabetën, motrën e Naassonit, e cila ishte kreu i fisit të Judës. Pati katër fëmijë: Nadabin dhe Abiun, të cilët vdiqën pa fëmijë; Eleazari dhe Ithamari, përkundrazi, e përjetësuan meshtarinë deri në ardhjen e Krishtit (i cili qe meshtar sipas rendit shumë më të vjetër të Melkisedekut, jo Aronit).
Shën Aroni është një nga figurat qendrore të pesë librave të parë të Biblës, që njihen me titullin e vetëm: Pentateuku. Bibla, kujtojmë, është edhe i vetmi burim biografik për këtë shenjt. Vëlla një gjaku me Moisiun, Aroni qe bashkëpunëtor i ngushtë i kryetarit karizmatik, që Zoti ia pati dërguar popullit të tij, skllav në Egjipt, për ta udhëhequr drejt tokës së premtuar. Hyji e lartoi Aronin, njëlloj si vëllain e tij, Moisiun, me të cilin lidhi besën e përhershme dhe i shuguroi të dy me vajin e shenjtë, si priftërinj për popullin e zgjedhur. Njeri i brishtë e mëkatar si të gjithë njerëzit tjerë të vdekshëm, Aroni megjithatë mbetet model i bashkëpunimit me Hyjin për realizimin e planit të tij të dashurisë për të mirën e njerëzimit.
Shën Ester është mbretëreshë shenjte. E është pikërisht heroina judaike, që i dha emrin njërit prej librave të Biblës: “Libri i Ester”. Martiriologët e lashtë latinë e kremtojnë festën e Esterit më 1 korrik, ndërsa të krishterët koptë e vendosin të kremten e “mbretëreshës së Persianëve” më datën 20 dhjetor. Në Kishat e traditës bizantine Ester kremtohet së bashku me Etërit e Besëlidhjes së Vjetër. Ndër kremtime jo përkujtohet me këto fjalë: “Përkujtimi i së drejtës Ester, që e çliroi popullin e Izraelit nga vdekja”.
E famshme është lutja e saj drejtuar Zotit për ta siguruar këtë shpëtim: “Ma dëgjo mua uratën, që jam qyqe vetëm e që nuk kam tjetër mbrojtës, përveç Teje, o Zot, sepse vetveten po e vë në rrezik...vëre në gojën time fjalën e përshtatshme....na çliro nga dora e armiqve tanë, shndërroje vajin tonë në gëzim, dhimbjen tonë, në shëndet. Ata që sulmojnë trashëgimin tënd, o Hyj, ndëshkoi në mënyrë shembullore. Duku, o Zot, dëftohu!”.