Kërko

Mbi 700 milionë fëmijë përballen me “rrezikun e dyfishtë”: varfërinë dhe krizën klimatike

Një e treta e fëmijëve në botë përballet me rrezikun e dyfishtë të varfërisë dhe të krizës klimatike. Kështu denoncon organizata ndërkombëtare “Save the Children”, e cila impenjohet prej kohësh për përmirësimin e jetesës së të vegjëlve në botë

R.SH. – Vatikan

Organizata për të drejtat e njeriut “Save the Children” u bën thirrje krerëve të botës të mbrojnë të ardhmen e brezave të rinj, pasi aktualisht, ata përballen me një “rrezik të dyfishtë”: varfërinë dhe krizën klimatike. Në përkim me Ditën Botërore të Ambientit, më 5 qershor, organizata njoftoi se 774 milionë fëmijë – një e treta e të vegjëlve në gjithë planetin – vuajnë pasojat e ndryshimeve klimatike.

Në një deklaratë, ajo nënvizon se fëmijët "janë ata, që kanë kontribuar më pak në krizën klimatike, por janë më të ekspozuar ndaj pasojave të saj”, gjë që i pengon të sigurojnë "ushqim, ndihmë shëndetësore dhe arsim". Organizata thekson se kjo vë në rrezik të konsiderueshëm jetën dhe të ardhmen e brezit të ri.

Disa statistika

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se së paku 1,7 milionë fëmijë, nën moshën pesë vjeç, vdesin çdo vit për shkak të ndotjes së ajrit dhe të ujit, ose për shkak të ekspozimit ndaj substancave toksike, ndërsa mbi 14 milionë fëmijë nuk mund të pijnë ujë të pastër, duke shtuar rrezikun e sëmundjeve. Gjithashtu, më se 37 milionë fëmijë humbasin mundësinë për arsimim çdo vit, për shkak të problemeve, që lidhen me ndryshimet klimatike dhe epidemitë.

Kriza e të drejtave të fëmijëve

Kriza klimatike ndikon pothuajse në çdo aspekt të jetës së fëmijëve, nga ushqimi tek shtëpia e sigurt dhe tek aftësia për t'u përqendruar në klasë gjatë vapës.

Organizata “Save the Children” nënvizon se kemi të bëjmë më “një krizë të të drejtave të fëmijëve, që prek së pari më të rinjtë dhe ngre çështjen e drejtësisë ndërmjet brezave”. Grupi ndërkombëtar, gjithnjë në linjën e parë të frontit për të drejtat e më të vegjëlve, kërkon që ata të dëgjohen e të merren parasysh në negociatat për klimën, që filluan dje (5 qershor) në Bon të Gjermanisë dhe gjatë rishikimit të statusit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator. Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike po mban një konferencë në Bon, në përgatitje të Takimit COP28, në dhjetor.

06 qershor 2023, 16:52