Kërko

Papa Françesku dhe gjykatësi Mohamed Abdelsalam Papa Françesku dhe gjykatësi Mohamed Abdelsalam

Fillon propozimi i kandidaturave për Çmimin Zayed 2024

Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor njofton se filloi pranimin e kandidaturave për Çmimin Zayed 2024 kushtuar Vëllazërimit Njerëzor, i cili vlerëson ata që punojnë për të promovuar përparimin njerëzor dhe bashkëjetesën paqësore

R.SH. – Vatikan

         Komiteti për Çmimi Zayed 2024 kushtuar Vëllazërimit Njerëzor hapi dje, 1 qershor, periudhën gjatë së cilës pret kërkesat për kandidatët, që do ta fitojnë atë në vitin 2024.

Kujtojmë se ky Çmim u krijua në shkurt 2019, pas takimit historik të Papës Françesku me Imamin e Madh të Al-Azharit, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe, pas publikimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar nga krerët fetarë. Çmimi Zayed i bën të njohur ndërkombëtarisht ata individë dhe subjekte, që kanë dhënë kontribut të madh në përparimin njerëzor dhe në bashkëjetesën paqësore. Me vlerë prej 1 milion dollarësh amerikanë, ai mund t’u jepet individëve dhe organizatave të ndryshme, pavarësisht nga feja apo prejardhja.

Siç nënvizoi Sekretari i përgjithshëm i Çmimit Zayed për Vëllazërimin Njerëzor, gjykatësi Mohamed Abdelsalam: “Me fillimin e edicionit të vitit 2024 të këtij Çmimi, bëjmë thirrje të propozohen kandidaturat e atyre njerëzve dhe organizatave, që punojnë për vëllazërimin njerëzor në të gjitha nivelet e shoqërisë, duke i frymëzuar të tjerët për t'i shërbyer të mirës së përbashkët dhe duke e përmirësuar botën”. Emrat mund të shkruhen në faqen zyrtare të internetit https://zayedaward.org/, deri më 1 tetor 2023. Një komitet i pavarur gjyqtarësh dhe ekspertësh në fushën e paqes e të bashkëjetesës do të shqyrtojë kandidaturat dhe do të zgjedhë fituesit.

Ceremonia e dorëzimit të Çmimit do të mbahet më 4 shkurt 2024, në përkim me Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor të njohur nga OKB-ja dhe në përvjetorin e nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor. Ky çmim është fituar edhe nga vetë Papa Françesku, nga Imami i Madh i Al-Azharit Ahmed Al-Tayeb, nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, nga aktivistë kundër ekstremizmit, organizata humanitare e veprimtarë të paqes.

02 qershor 2023, 13:19