Kërko

Stamboll Stamboll

Për herë të parë në 20 vite, Erdoğan nuk fiton që në turnin e parë

Erdoğan dhe Kılıçdaroğlu do të konkurrojnë në raundin e dytë të votimeve, planifikuar për 28 maj. Në zgjedhjet parlamentare, koalicioni qeveritar e ruan pozitën e tij mazhoritare, pavarësisht se ka humbur mbështetjen e një pjese të popullsisë. Hija e votës, që iu mohua një milion vetëve në zonat e prekura nga tërmeti, rëndon mbi vërtetësinë e zgjedhjeve

R.SH. – Vatikan

Për herë të parë në njëzet vjet, gara për zgjedhjet presidenciale në Turqi përfundon në balotazh: në zgjedhjet e djeshme, asnjë nga kundërshtarët nuk e kaloi 50 për qindëshin e votave, të nevojshme për të fituar që në raundin e parë. Kreu aktual i shtetit, Rexhep Tajip Erdoğan, fitoi 49,42 për qind, ndërsa sfiduesi i tij kryesor — Kemal Kılıçdaroğlu, lider i Partisë Republikane Popullore (CHP), laik dhe socialdemokrat, kreu i opozitës — mori 44,95 për qind të votave. Turni i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 28 maj. Erdogan deklaroi se ai është “qartësisht në krye", duke theksuar se "do t’i respektojë këto zgjedhje dhe zgjedhjet e ardhshme".

Presidenti aktual pretendon se ka në dorë shumicën e 600 vendeve në parlament, të cilat, sipas tij, duhet t’i shkojnë Aleancës Kombëtare, të formuar nga partia e tij, partia konservatore AKP (Partia e Drejtësisë dhe e Zhvillimit) dhe partive më të vogla nacionaliste dhe islamike. Edhe Kılıçdaroğlu premton fitoren e partisë së tij në balotazh, duke nënvizuar se do t’i rikthejë vendit demokracinë.

Ndërkaq, mbi votimin e djeshëm rëndon pamundësia për të marrë pjesë në zgjedhje e viktimave të tërmetit shkatërrimtar të 6 shkurtit. Sipas burimeve diplomatike nga Turqia, përmendur nga agjencia e lajmeve AsiaNews, qindra mijëra e, deri në një milion të zhvendosur, për shkak të tërmetit, nuk kanë mundur të votojnë.  Është pikërisht ajo pjesë e elektoratit, e cila muajt e fundit nuk e ka fshehur pakënaqësinë, madje, edhe zemërimin kundër qeverisë për problemet në zgjidhjen e emergjencës pas tërmetit. Gjithsesi, pjesëmarrja në votime e kaloi 90%-shin, gjë që tregon se popullsia e ka kuptuar mirë se është në lojë e ardhmja e vendit, ndërmjet ekulibrave dhe aleancave në rajon e më tej, nën vështrimin e interesuar të Bashkimit Evropian, NATO-s, Rusisë, SHBA-ve, Sirisë dhe Iranit. E këta janë vetëm disa nga emrat, që luajnë gurët e shahut në zonë.

Erdoğan e ruajti pozitën e tij në metropolet e mëdha si Stambolli dhe Ankaraja, ku opozita mori më pak vota nga sa shpresohej. Janë të shumta arsyet, që i shtyjnë zgjedhësit në këto qytete të votojnë për presidentin aktual, me të cilin janë lidhur me marrëdhënie klientele dhe për interesa personale. Gjatë ballotazhit do të jenë vendimtare votat e kandidatëve të tjerë: Sinan Ogan fitoi 5,2% dhe Muharrem Ince 0,44%. Pashmangshmërisht, ato do të shpërndahen ndërmjet dy kandidatëve kryesorë. Duhet parë se cila anë e peshores do të rëndojë më shumë me bursën turke, që sot regjistroi një humbje prej 6,6%, duke dëshmuar se ekonomisë nuk i pëlqen ky ballotazh.

15 maj 2023, 16:32