Kërko

Nëna në lutje Nëna në lutje 

Në Ditën e Nënave, guximi i nënave ukrainase, me bijtë në front

Lidia jeton në Romë, ndërsa i biri më i vogël është në luftë. Rreth saj, për ta mbështetur, është lëvizja "Nënat e lutjes" që çdo të dielë, pas Meshe, i mbledh gratë që luten për fëmijët në frontet e gjithë botës.

R. SH. - Vatikan

 “Nënë, më thërret atdheu, duhet ta mbroj! Nëse nuk e bëjmë ne, atëherë kush do ta bëjë?. Kështu më tha im bir, i lindur 26 vjet më parë në Ukrainën e lirë dhe të pavarur. E sot është në front”. Këtë na kujton nëna e tij, Lidia. Sot ndodhet në Itali e është anëtare e lëvizjes ndërkombëtare “Mothers Prayers” - “Lutjet e Nënave”, përhapur në mbi 100 vende të botës. Lëvizja bashkon gra dhe burra të besimeve të ndryshme, në lutje. Lidia nga njëra anë rijeton dashurinë dhe shqetësimin e çdo nëne, që ka një bir a bijë në front, nga ana tjetër e respekton rrugën e zgjedhur nga i biri, për ta çliruar sërish vendin e saj e të tij! E pyetëm:

Lidia, ç’i thatë djalit, kur të njoftoi se kish vendosur të rrëmbente armët në mbrojtje të Atdheut?

Kur nisi në shkallë të gjerë pushtimi i Ukrainës, si nënë, sigurisht, u shqetësova për fëmijët e mi, veçanërisht për djemtë. Një ditë më merr në telefon më i vogli, i cili kishte kryer shërbimin ushtarak e më thotë: “Nënë, e ndjej për detyrë të mbroj atdheun tim. Nëse nuk e bëjmë ne, atëherë kush do ta bëjë?”. I gjegja: “Nuk mundem të them jo, po nuk mundem të them as po. Ti je i rritur, e shikon botën me sytë e tu, ndërsa unë jam nënë. Shko, pra! Të jesh i sigurt se do të të ndjekë pas dashuria e lutja ime, edhe nëse do të  jemi dy mijë kilometra larg”.

Por ai, ç’të tha ai?

Kishte një takim gjatë pushimit disaditor të rehabilitimit. Ishte çast gëzimi e ndarjeje. Më foli për jetën e ushtarakëve, si i kapërcejnë vështirësitë psikologjike: herë pas here një kapelan shkon për t'i vizituar dhe qëndron me ta për një periudhë të caktuar. Vetë ushtarakët flasin me njëri-tjetrin, dëgjojnë njëri-tjetrin në një atmosferë miqësore dhe të qetë, duke çliruar emocionet e tyre. Po gjëja më interesante është se një mori kafshësh shtëpijake të braktisura - qen dhe mace - u afrohen dhe nuk largohen më, sepse e ndjejnë veten të mbrojtura nga armët e tyre e, sidomos, sepse perceptojnë dashurinë dhe respektin. Edhe kafshët kështu! Duan ta ndjejnë veten të mbrojtura, larg vringëllimave të frikshme të armëve! Im bir më kërkoi dy gjëra: e para, të mos e humbas kurrë besimin në Zotin;  e dyta, t'i besoj edhe ushtrisë, të mos më kapë paniku, që është armiku i parë. ‘Duam ta shohim atdheun tonë të lirë, të bukur, të lulëzuar siç ishte para luftës - më shkruan - Ju falënderojmë ju prindër që na rritët, na dhatë mundësinë të studiojmë, të udhëtojmë dhe të mësojmë vlerat e botës. E edhe të rrokim armët, kur na thërret zëri i Atdheut! Besoni të rinjve dhe të rejave, sepse ata po luftojnë me vetëdije për të mbrojtur Ukrainën, shtëpinë e tyre”.

E ju, ju si e ndjeni veten?

Në fillim u dëshpërova e u indinjova! Disa ditë  me radhë kështu! Më pas e mora veten. Duhet të jemi të fortë shpirtërisht, t’i besojmë lutjes, sepse lutja të kthen paqen e humbur, të ndihmon t’i ruash energjitë për të shkuar përpara, për të punuar. Duhet të lutemi e të punojmë  për t’i ndihmuar bijtë tanë e edhe gjithë të tjerët: jetimët, të plagosurit, ushtarët që kanë humbur gjymtyrët e shëndetin gjatë luftimeve. Duhet të bëjmë vepra mëshire, për të gjithë! Sepse të gjithë ata që janë bijtë e Atdheut, janë edhe bijtë tanë!

14 maj 2023, 14:21