Kërko

2023.05.29 diocesi di Sapa, in Albania

Dioqeza Sapës kremtoi Rrëshajët me Krezmimin e të rinjve

Në dioqezën e Sapës me rastin e festës së Rrëshajëve, rreth 30 të rinjë e të reja të famullisë së Shën Kollit – Vau Dejës morën Sakramentin e Krezmimit

R.SH. / Vatikan

Në dioqezën e Sapës me rastin e festës së Rrëshajëve, rreth 30 të rinjë e të reja të famullisë së Shën Kollit – Vau Dejës morën Sakramentin e Krezmimit. I gjithë ky kremtim hyjnor i kësaj feste të Rrëshajave u shërben të gjithëve si një lloj nxitjeje që të lutemi çdo ditë në mënyrë që të arrijmë tek Shpirti Shenjt Zot që është burim feje, drite dhe dashurie. Po më hollësisht nga Vau-Dejës na njofton Violeta Marashi:

FESTA E RRËSHAJAVE DHE KREZMIMET NË DIOQEZËN E SAPËS

E Diela e fundit e muajit maj 28. 05. 2023, solli festën e Rrëshajave që shënon dhe fundin e kremtimeve të kohës së Pashkëve. Kjo festë e madhe për mbarë kishën universale u kremtua me solemnitet edhe në Dioqezën e Sapës.

Me rastin e kësaj feste të mrekullueshme ku kremtohet ditëlindja e Nanës Kishë dhe në kujtim të ndikimit të Shpirtit Shenjt, fillimisht u kremtua Vigjilja e Rrëshajave ku përmes iniciativës së bariut Imzot Simon Kulli, për të dytin vit radhazi ftohen të gjithë të rinjtë kandidatë të krezmimit, të cilët shtegtojnë nga famullitë e kësaj dioqeze, dhe të mbledhur rreth ipeshkvit në Katedralen e Shën Terezes Kalkutës, marrin pjesë në këtë kremtim të rrëshajave në këtë manifestim të dashurisë.

Nën organizimin e bashkësisë “Tempulli i Zotit” vigjiljes së Rrëshajave i parapriu animimi i Fjalës së Zotit dhe Lutjet e përshpirtshme bashkë me këngët e Shpirtit Shenjt, duke jetuar kështu së bashku me të rinjtë një përvojë të zbrazjes së Shpirtit Shenjt, dhuratë e Hyjit Atë gjithmonë veprues në Kishën e Tij.

Pas këtyre momenteve të gëzueshme shpirtërore, na përgatiten për të marrë pjesë denjësisht në kremtimin e Meshës Shenjte të udhëhequr nga bariu i kësaj grigje, në bashkëkremtim me të gjithë meshtarët e dioqezës së tij. Gjatë fjalës së tij Imzot Simoni falenderoi Kishën që jemi pjesë e saj e cila ka lindur për secilin prej nesh. Shpirti i Shenjtë vazhdon të vijë gjithmonë mes nesh, të krijojë e të transformojë zemrat tona në imazhin e tij. Shpirti i Zotit na shndërron dhe kërkon të na bëjë më të mirë e të ecim në rrugën e Shenjtërisë. Ndërsa ju drejtua personalisht edhe vetë të rinjëve ku ju kujtoi se Zoti ty të don, nuk të largon prej vetvetes. Ai është dashuri e pamasë që të afron në çdo moment të jetës tënde.

Festa e Rrëshajave u kremtua edhe të dielen me kremtimin e Meshës Shenjte po nga Imzot Simoni, si dhe me mbarështimin e Sakramentit të Krezmimit të rreth 30 të rinjëve e të rejave të famullisë së Shën Kollit – Vau Dejës, të cilët pas gati një vit përgatitjeje nëpërmjet katekizmit nga ana e kishës me dëshirën e zemrës së tyre morën zbritjen e Shpirtit Shenjtë në zemrën e secilit.

I gjithë ky kremtim hyjnor i kësaj feste të Rrëshajave na shërben të gjithëve si një lloj nxitjeje që të lutemi çdo ditë në mënyrë që të arrijmë tek Shpirti Shenjt që është burim feje, drite dhe dashurie.

Violeta Marashi

31 maj 2023, 11:19