Ukraina, aleanca që shëron varësitë dhe plagët
R.SH. – Vatikan
“Arma më e fuqishme e të ligut kundër të mirit dhe botës, është zhvlerësimi i gjithçkaje: i vetes dhe i të tjerëve, i mjedisit dhe i marrëdhënieve. Të gjithë ata, që vuajnë nga varësitë, e marrin këtë rrugë zhvlerësimi”. Kështu shprehet don Vasyl Bilas, drejtor shpirtëror i qendrës së rikuperimit "Nazareth" në Ukrainë, e cila i ndihmon njerëzit të kapërcejnë varësitë nga droga, alkooli dhe lojërat e fatit, duke i shoqëruar në rrugën e kundërt, atë të dashurisë: "Ne i ndihmojmë të ndihen të dashuruar, të besojnë në vlerën e vet dhe, rrjedhimisht, të vlerësojnë edhe botën e njerëzit përreth. Me fjalë të tjera, përpiqemi t'i bëjmë të kuptojnë se janë nën shikimin e Zotit Atë” - shpjegon don Vasyl për Vatican News. Qendra, e vendosur në mes të gjelbërimit në rajonin e Lviv, funksionon që nga viti 2004 dhe mbështetet nga Heparkia Sambir-Drohobych e Kishës Katolike Greke të Ukrainës. Nuk është rastësi që quhet "Nazaret" sepse, si vend i lindjes së Virgjërës Mari, bën të mbijë shpresa, vë në zemra një shenjë, që e ndryshon historinë e njerëzve.
Një shtëpi, ku mund të rifillojë jeta…
Por çfarë lidhje ka kjo shtëpi, me Laudato Sì? “Njerëzit, që vijnë tek ne për të ndryshuar, kanë nevojë për një mjedis të shëndetshëm dhe të rehatshëm dhe kjo është arsyeja pse ky objekt shëndetësor apo social, që i ngjan një shtëpie të vërtetë, rrethuar me gjelbërim, nuk e pezulloi kurrë misionin e tij, pavarësisht nga lufta. Ndaj ata mbërrijnë këtu për t’u pastruar nga helmet e për të jetuar rehat deri në dy vjet” - shpjegon Maryna Poturay, psikologe dhe koordinatore e projektit në Qendrën e Rimëkëmbjes. Koncepti i "shtëpisë" nuk ka të bëjë vetëm me hapësirën fizike, por edhe me mjedisin ku njeriu ndihet i mirëpritur dhe i inkurajuar për t’u rikthyer në jetën normale. Si metodë mbështetjeje qendra “Nazareth” ka zgjedhur bashkimin e psikologjisë me fenë dhe përshpirtërinë. “Kjo e lejon njeriun të punojë me vetveten, me vlerat e veta, me shpirtin e tij - kujton me optimizëm drejtori shpirtëror, At Vasyl - E bukura është se ata që vijnë në qendrën tonë nuk janë gjithmonë praktikantë të krishterë, por në fillim nuk pyesin fare nëse qendra lidhet me fenë: vijnë këtu duke e ditur se kanë nevojë për ndihmë. Kisha, si gjithmonë, u thotë: ‘Do të përpiqemi t'ju ndihmojmë’. E ata e pranojnë këtë ndihmë. Vetëm më vonë nisin të besojnë. E kjo ua ndryshon rrënjësisht jetën”:
“Është shumë e rëndësishme që banorët e qendrës sonë të kenë mundësinë të flasin me Meshtarët, të marrin pjesë në Liturgji dhe të ndërtojnë ngadalë një marrëdhënie të re me Zotin - shton Maryna Poturay - sepse njerëzit që vuajnë nga varësia e humbasin çdo vlerësim për vetveten e ndihen të braktisur nga të gjithë, duke përfshirë edhe Zotin. Prandaj, kur vendoset kjo lidhje me Krijuesin, rritet edhe besimi në vetvete dhe në të ardhmen e tyre”.
Pasuria nuk të bën të lumtur
Duke reflektuar mbi shkaqet e rritjes së varësive në Ukrainë dhe më gjerë, At Vasyl kujton se bota moderne është bërë tepër materialiste. “Materializmi, sasia e sendeve që zotëron njeriu - kujton - nuk është kurrë vlerë, nuk e bën njeriun më të mirë. Në enciklikën Laudato si' Papa shkruan: “Meqenëse tregu përpiqet të krijojë një mekanizëm konsumistik për të shitur produktet e veta, njerëzit përfundojnë në vorbullën e blerjeve dhe të shpenzimeve të panevojshme (Ls, 203). “Nuk është mëkat të kesh gjëra - vazhdon meshtari - por është e rëndësishme ta vësh gjithçka në vendin e duhur: për besimtarët, në radhë të parë duhet të jetë Zoti, për jobesimtarët - marrëdhëniet me njerëzit e tjerë. Të tjerat vijnë më pas. Egoizmi, nga ana tjetër, të pëshpërit në vesh: “Gjithçka është për mua, të gjithë më kanë borxh diçka, duhet të kem shumë pse kur kam pak, mbetem gjithnjë i pakënaqur”.
Një tjetër shkak i shpeshtë e themelor i varësisë është dhimbja, me pasojë, vuajtjen. Pikërisht kjo arsye i sjell shpesh tek ne, në “Nazareth”, ushtarët ukrainas që kanë përjetuar stres të rëndë, kanë humbur një mik apo të afërm në front ose kanë pësuar dëmtime fizike.
Aleancë, që shëron
Pas fillimit të luftës në Ukrainë në “Nazareth”, i cili ndodhet në perëndim të vendit, kanë mbërritur kërkesa për strehim nga personat e zhvendosur që ikin nga zonat e luftimit. Drejtuesit e objektit vendosën t'i mirëpresin, sepse kishin në dispozicion një godinë të përshtatshme dhe mjetet e nevojshme për mjekimin e tyre. Që nga shpërthimi i konfliktit, disa të zhvendosur u pritën këtu për disa ditë, të tjerë qëndruan me muaj të tërë, duke mos pasur ku të shkojnë. Kur vijnë këtu, krijojnë grupin e tyre të vogël, por pa u shkëputur nga e gjithë Bashkësia me emrin aq premtues "Nazareth": punojnë së bashku në kopsht, shkojnë në Meshë. “Ndodhte shpesh - thotë Maryna - që ndonjë nga të ardhurit e rinj, pas disa ditësh ose javësh qëndrimi mes nesh, i afrohej njërit prej atyre që mjekoheshin dhe e pyeste: “Më thanë se këtu ka pasur edhe të droguar. A e dini ku janë?”. Dhe ai i gjegjej me buzë në gaz: “Unë do të isha njëri prej tyre”.