Shenjtorët e javës 30 prill – 7 maj
R.SH. - Vatikan
E diell 30 prill, Kisha katolike kremton të Dielën IV të Pashkëve, ciklit të parë 'A'; po më 30 prill kalendari kishtar përkujton edhe Shën Piun V, papë dhe Shën Kuirinin martir. Në Ungjillin e kësaj së Diele të 4-të të Pashkëve, sipas Gjonit, Jezusi paraqitet si Bariu i mirë. Leximi i dytë, nga Letra e Parë e Pjetrit, thotë se Jezusi “mbarti mëkatet tona në trupin e vet, në drurin e kryqit”. Bariu i mirë merr përsipër njeriun e lënduar nga mëkati. Mëkati është bjerrja e njeriut, prandaj, për ta gjetur këtë krijesë të humbur, Bariu i amshuar duhet të hyjë në realitetin e së keqes, brenda plagës së njeriut të lënduar.
Të hënën më 1 maj, Kisha përkujton Shën Jozefin punëtor, shën Jereminë, profet dhe shën Rikardin Pampuri. Festa e 1 majit, kushtuar punëtorëve, na fton t’i lutemi Zotit ta bekojë veprën e duarve tona.
Maji, muaj i pranverës e muaj marian. Kisha e lidh ngushtë kontekstin stinor me atë liturgjike, në të cilin Kisha kujton Nënën e Krishtit. Në këtë periudhë, në hemisferën tonë pranvera shpërthen në lule shumëngjyrëshe. Klima e butë të fton të dalësh nga shtëpia, të shëtitësh, të organizosh ekskursione. Ndërsa për të krishterët kjo është Koha e Pashkëve, koha e Alelujës, koha e pritjes së Rrëshajëve. Një periudhë kjo që e intonon mirë traditën e Kishës për t’ia kushtuar muajin e majit nderimit dhe lutjes drejtuar Virgjërës Mari.
Të martën më 2 maj, kalendari përkujton shën Atanasin, ipeshkëv i Aleksandrisë e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se për të besuar, duhet t’i hapim zemrat për dhuratën e Zotit. Hyji ditë për ditë na dhuron praninë e Krishtit në fe e në Eukaristi. E Jezusi është buka e vërtetë, që e ushqen jetën tonë për amshim. T’ia kushtojmë Atij krejt vetveten.
Të mërkurën më 3 maj, kalendari do të përkujtojë festën e shën Filipit e shën Jakut të vogël, Apostuj si dhe të shenjtorëve Eveci, Aleksandri e Teoduli, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi erdhi në botë për të bërë që ne ta njohim fytyrën e Atit: është Krishti Rruga që duhet përshkruar për të mbërritur tek Ati qiellor; Jeta e Hyjit që na komunikohet, e Vërteta që na tregon kuptimin e jetës sonë tokësore.
Të enjten më 4 maj, do të përkujtohen shën Floriani dhe shën Antonina martire, festa e të cilëve na kujton se të krishterët duhet të impenjohen për shëlbimin e mbarë popujve, sepse të gjithë janë të thirrur për të besuar në Jezu Krishtin.
Të premten më 5 maj, do të përkujtohen Shën Angjelini dhe i Lumi Nunci Sulpricio i Napolit. Liturgjia e ditës na kujtojnë se të hash korpin e Krishti e të pish gjakun e Tij, do të thotë të bëhesh një gjë e vetme me Të. Të mendosh si Ai. Të zgjedhësh si ai. Të duash si Ai.
Të shtunën më 6 maj, do të përkujtohen Shën Mariani e Shën Jaku, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se të jesh si krishterë do të thotë ta ndjekësh Jezusin, ta pranosh fjalën e Tij, fjalë e jetës së amshuar dhe ta lesh veten të përtërihesh ditë për ditë nga Shpirti i dashurisë që të çon drejt Atit.
Të dielën e ardhshme më 7 maj, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e V të Pashkëve, ciklit të parë 'A', gjithnjë më 7 maj, kalendari përkujton shën Domitilën e shën Rozën Venerini.