“Secili çmendet sipas mënyrës së vet”. Stefan Çapaliku në Romë
Të premten, 21 prill, në Shtëpinë e Letërsive (Casa delle Letterature) në Romë, shkrimtari i njohur shkodran Stefan Çapaliku paraqet njërën nga veprat e tij të përkthyer në italisht, “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”. Është pjesa e parë e një trilogjie, siç shpjegon vetë autori në mikrofonin e programit shqip të Radio Vatikanit – Vatican News. Dy vëllimet e tjera do të publikohen edhe ato, së shpejti, në italisht. Në orën 17.30 të së premtes, kush dëshiron, e gjen shkrimtarin në paraqitjen e librit (Piazza dell’Orologio 3), veprimtari e organizuar nën patronazhin e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Itali, të bibliotekave të komunës së Romës dhe të “Zètema”-s, projekt kulturor i komunës së Romës.
Kujtojmë se Stefan Çapaliku është lindur në vitin 1965 në Shkodër. Është shkrimtar, dramaturg e studiues. Nga viti 1993 deri më 1998 ka drejtuar Departamentin e Letërsisë në Universitetin e Shkodrës. Më pas, ka punuar pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si Drejtor i Drejtorisë së Kulturës së Shkruar dhe Komunikimit. Ka qenë profesor titullar i Historisë së Letërsisë dhe Qytetërimit Shqiptar në katedrën e Albanologjisë të Fakultetit Filologjik pranë Universitetit të Beogradit dhe profesor i Estetikës dhe Teorisë së Dramës pranë Fakultetit të Artit Skenik, në Universitetin e Arteve, në Tiranë. Është studiues pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike. Pjesë nga veprat e tij në poezi, prozë, dramë dhe ese janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht, bullgarisht, serbisht, maqedonisht dhe turqisht.
Ja intervista, që i dha programit shqip të Radio Vatikanit / Vatican News, në mikrofonin e Klaudia Bumçit, në prag të paraqitjes së librit “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, në Romë…