Më 12 prill, kalendari kishtar kujton shën Julin I, papë
R.SH. – Vatikan
Romak, Papë nga 6 shkurti i vitit 337 deri më 12 prill 352, Juli I luftoi arianizmin me të gjitha mjetet, duke mbledhur koncile të ndryshme, që konfirmuan doktrinën trinitare, kundër tezave ariane të disa ipeshkvijve.
Ishte diakon, që u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, pas papnisë së shkurtër të Markut (10 muaj), dy muaj para vdekjes së Kostandinit, perandorit që u dha lirinë të krishterëve. Iu desh t’i bënte ballë një krize tejet të rëndë në Kishë, keqësuar nga ndërhyrja e pushtetit perandorak, të përfaqësuar nga tre bijtë dhe trashëgimtarët e Kostandinit: Kostandini II, i cili luftoi kundër vëllait të tij Konstatit dhe u vra në një pritë; pastaj Konstanti, i cili mbretëroi mbi Perëndimin dhe vdiq gjatë një revolte ushtarake; dhe së fundi Kostanci II, nga viti 353, perandor i vetëm i Lindjes dhe i Perëndimit.
Kriza në Kishë u shkaktua nga prifti Arius i Aleksandrisë së Egjiptit (që vdiq më 336), i cili mohoi hyjninë e Krishtit. Kjo doktrinë u dënua në vitin 325 në Koncilin e Nikesë, me nxitjen e Shën Athanasit, ipeshkëv i Aleksandrisë. Por arianët e Egjiptit, të mbështetur nga oborri i Kostancit II, e dëbuan Athanasin nga selia ipeshkvnore. Papa Juli I e strehoi atë në Romë, ku në vitin 341 mblodhi një sinod për të shqyrtuar çështjen. Por konflikti, në vend që të mbyllej, u shkallëzua më tej. Atëherë, në vitin 343, Juli I mblodhi një koncil ekumenik në Sardikë (tani Sofje, në Bullgari) për të dëgjuar ipeshkvijtë e të dyja palëve. Zgjodhi Sardikën, sepse ndodhej në kufirin ndërmjet Perandorisë Lindore e Perëndimore: vend neutral. Bashkë me Athanasin e Aleksandrisë shkuan në të edhe ipeshkvijtë e tjerë të rrëzuar nga arianët, nga perëndimi dhe lindja. Por “lindorët” u larguan thuajse menjëherë, pa nisur puna.
E kështu, Koncili nuk ishte më ekumenik, universal, por u shndërrua në një asamble, gjithsesi me autoritet, që bashkoi vetëm barinjtë perëndimorë të Kishës. Mbetet i rëndësishëm veçanërisht për disa nga vendimet e tij, që kanë të bëjnë me detyrat e ipeshkvijve: i ndaloi ata të lëvizin nga një dioqezë në tjetrën; autorizoi mungesat në dioqezë, por jo më shumë se tre javë. Gjithashtu, i shkurajoi fuqishëm ipeshkvijtë të frekuentonin ambientet e gjykatës.
Peripecitë e Perandorisë (herë e bashkuar e herë e ndarë) ndikuan shumë në jetën fetare. Konstanti mbështeste katolikët; vëllai i tij Konstanci mbeti neutral për sa kohë që mbretëronte vetëm në Lindje; pastaj, u bë pro-arian kur mbretëroi edhe mbi Perëndimin...
Për këto dhe për arsye të tjera, Papa Juli I nuk arriti të fitojë mbi arianët, madje, gjendja u keqësua më tej. Por, ai mbrojti unitetin e fesë me forcë, duke sqaruar parimin e autoritetit papnor në çështjet e besimit, gjë që do të ndihmonte më vonë edhe në luftën kundër arianizmit, të cilin Kisha arriti ta mposhtë.