Lufta në Ukrainë: mendohet për përfundimin e fazës së armatosur
R. SH. - Vatikan
Themeluesi i Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, flet për mundësinë e armëpushimit përfundimtar në Ukrainë. Në një tekst, lideri thekson se zgjidhja ideale do të arrihej nëse Rusia do të ndërpriste fazën aktive të luftës dhe të konsolidonte praninë e saj në territoret e pushtuara, përkatësisht në Donbas dhe Krime. Prandaj flitet për shpalljen e përfundimit të konfliktit dhe arritjen e rezultateve të planifikuara. Ndërkaq, nga Brazili, Presidenti Lula da Silva u kërkon Shteteve të Bashkuara t’i japin fund inkurajimit të luftës dhe të flasin për paqen. Kreu i shtetit po i drejtohet gjithashtu Bashkimit Evropian. “Edhe Brukseli - bën thirrje - duhet të bëjë të njëjtën gjë, në mënyrë që t’i bindë presidentët e Rusisë dhe të Ukrainës, Vladimir Putin dhe Volodymir Zelenski, se ‘paqja është në interesin e të gjithëve’”.
Vijonë viktimat
Ndërkohë bombardimet ruse të një zone banimi, në qytetin lindor të Ukrainës, Slovyansk, në veri të Donetskut, ka shkaktuar vrasjen e tetë civilëve dhe plagosjen e 21 të tjerëve. U ndje fort në gjithë vendin dhimbja për vdekjen e një djali dy vjeçar, që u shua në ambulancë, pasi u nxor i gjallë nga rrënojat e një ndërtese të bombarduar.
Neutralizimi i forcave ruse
Në fjalimin e zakonshëm televiziv të mbrëmjes, Presidenti ukrainas Zelenski theksoi nevojën për shkatërrimin e potencialit ushtarak rus, në funksion të kundërsulmit të afërt. Kreu i shtetit e kujtoi këtë pas takimit me shefin e Shërbimeve të Sigurisë, Vasyl Maliuk dhe të Inteligjencës Ushtarake, Kyrylo Budanov.