Kërko

Papa Gjon Pali II e Nënë Tereza Papa Gjon Pali II e Nënë Tereza

Kujtojmë Papën Vojtila, në përvjetorin e 18-të të vdekjes

Gjatë gjithë papnisë, Shën Gjon Palit II iu desh të përballojë kohë, që i quajti “të vështira e të shqeta”, ndërmjet persekutimeve të pamëshira, atentatit kundër jetës së tij, frikës së konfliktit bërthamor e problemeve dhe ndeshjeve të reja, pas shembjes së komunizmit evropian

R.SH. - Vatikan

Kujtojmë sot Papën Shenjt Gjon Pali II, në përvjetorin e 18-të të hapit të parë “të shtegtimit e madh” drejt Shtëpisë së Atit Qiellor, me dy epitete, që i përshtaten plotësisht natyrës së tij: “Polaku i Madh”, dhe “Shërbëtori i Zotit”. Polaku i madh mbeti në kujtesën e kohës posaçërisht si mbrojtës i patundur i popujve, që  martirizoheshin nën thundrën e pushteteve gjakatare antikristiane, siç ishte populli shqiptar, për  të cilin i pati drejtuar Zojës së Këshillit të Mirë lutjen tejet aktuale:

“Nëna jonë e ëmbël! 

Ti, që në zemër të rrjedh gjaku i popullit tënd: 

silli sytë e tu mbi këtë komb 

i cili pati fatin të marrë mësimin e parë të Ungjillit nga goja e Apostujve 

e Ty të nderoi përherë me dashuri të pastër bijnore”.

Funerali i Gjon Palit II, kremtuar nga Papa i ardhshëm Benedikti XVI
Funerali i Gjon Palit II, kremtuar nga Papa i ardhshëm Benedikti XVI

I zgjedhur në selinë romake në moshë relativisht të re, Papa sllav u bë shumë shpejt një nga burrat më në zë të fundshekullit XX e Burri i madh, që i priu Kishës drejt Mijëvjeçarit të Tretë. E kujton ai vetë në testamentin  e shkruar herë pas here, gjithnjë gjatë ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve, që dokumenton vizionin mistik të historisë e të udhës së tij personale, guximtare e dramatike.

Gjatë gjithë papnisë iu desh të përballojë kohë, që i quajti “të vështira e të shqeta”, ndërmjet persekutimeve të pamëshira, atentatit kundër jetës së tij, frikës së konfliktit bërthamor e problemeve dhe ndeshjeve të reja, pas shembjes së komunizmit evropian. Kuptimplote, në këtë kontekst, fjalët e lutjes drejtuar Nënës sonë të Këshillit të Mirë, gjithnjë aktuale, e jo vetëm për Shqipërinë:

“E sot, në terrin e provës 

ky komb të drejtohet Ty plot shpresë 

e pret ndihmën tënde amtare”

Nënë e shpresës, shpejtoje ditën në të cilën ky popull fisnik 

do të shikojë të realizuara edhe një herë 

të gjitha dëshirat e thella të shpirtit të tij  ….”.

U nis në shtëpinë e Atit, duke mbetur gjithnjë i gjallë në kujtesën e Kishës katolike, edhe jashtë kufijve të saj të dukshëm, për forcën dhe guximin, me të cilin diti ta bënte të dukshëmn mesazhin e Krishtit në mbarë botën duke u bërë “shok udhe për njeriun e kohëve tona e luftëtar i pamposhtur në luftën “për shëlbimin e njerëzve dhe shpëtimin e familjes njerëzore!”.  

02 prill 2023, 16:33